IPK: Po, po hetojmë policët në rastin Gjuriq

Aktuale

IPK: Po, po hetojmë policët në rastin Gjuriq

Më: 24 prill 2018 Në ora: 15:37
Pamje nga arrestimi i Gjuriqit

Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar ankesë nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme Millan Radojeviq lidhur me dyshimet që ka shprehur për policinë e Kosovës në rastin e arrestimit të drejtorit të së ashtuquajturës zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.

Sipas IPK-së në përputhje me misionin  dhe fushëveprimin ligjor IPK merr masa dhe veprime hetimore në rastet kur dyshohet se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin e PK-së dhe aktet tjera nënligjore të Policisë.

“Edhe në lidhje me rastin e arrestimit të z. Marko Gjuriq, IPK respektivisht Departamenti i Hetimeve ka filluar me mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IPK-së.  

Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në konsultim me prokurorin kompetent.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat