KMDLNJ kërkon informata dhe drejtësi për të pagjeturit

Aktuale

KMDLNJ kërkon informata dhe drejtësi për të pagjeturit

Më: 24 prill 2018 Në ora: 13:56
Ilustrim

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut (KMDLNJ) përmes një reagimi për media ka kërkuar informata dhe drejtësi për personat e pagjetur.

Sipas këshillit, familjarët e të pagjeturve janë duke u privuar nga e drejta elementare, e drejta për t’u informuar.

“Sipas statistikave , ndonëse nga aspekti i të drejtave të njeriut është diskriminuese të ndahen viktimat në bazë të përkatësisë nacionale , fetare etj., afërsisht 70% janë shqiptarë kurse 30% janë serbë , romë , ashkalinj , boshnjak dhe të tjerë . Realisht , kjo ndarje diskriminuese e viktimave që janë në listën e të zhdukurve ka krijuar kushte që edhe gjatë realizimit të së drejtës njerëzore për zbardhjen e  fatit të të zhdukurve , palët që e kanë pësuar më shumë të kërkojnë ndriçimin e fatit të familjarëve të tyre ndërsa kanë injoruar të drejtën e palës tjetër ta kërkojnë po të njëjtën të drejtë”, thuhet në një pjesë të komunikatës, përcjell KosovaPress.

Reagimi i plotë:

TË SIGUROHEN INFORMATA DHE DREJTËSI PËR PERSONAT E PAGJETUR

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë edhe 1658 persona janë në listën e të pagjeturve ndërkaq që familjet e tyre janë të privuara nga një e drejtë elementare e njeriut , e drejta për t’u informuar për fatin e më të dashurve të tyre . Ankthi i këtyre familjeve po zgjat që nga viti 1998 , 1999 dhe viti 2000 për faktin se palët që janë përfshirë në luftë nuk kanë treguar për fatin e tyre shkaku se mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore për zhdukjen e tyre. Sipas statistikave , ndonëse nga aspekti i të drejtave të njeriut është diskriminuese të ndahen viktimat në bazë të përkatësisë nacionale , fetare etj., afërsisht 70% janë shqiptarë kurse 30% janë serbë , romë , ashkalinj , boshnjak dhe të tjerë . Realisht , kjo ndarje diskriminuese e viktimave që janë në listën e të zhdukurve ka krijuar kushte që edhe gjatë realizimit të së drejtës njerëzore për zbardhjen e  fatit të të zhdukurve , palët që e kan ë pësuar më shumë të kërkojnë ndriçimin e fatit të familjarëve të tyre ndërsa kanë injoruar të drejtën e palës tjetër ta kërkojnë po të njëjtën të drejtë. KMDLNj , në vazhdimësi ka kërkuar që të gjitha viktimat të trajtohen si viktima pa bërë dallime në baza etnike , fetare , bindjeve politike , statusit ekonomik dhe tjetër në shoqëri sikur që ka bërë thirrje që të sillen para organeve të drejtësisë ata që planifikuan , e mëshehën , nuk e penguan apo  zbatuan  politikat që për pasojë kanë zhdukjen pa gjurmë të 1658 personave . Edhe për këta që dyshohet se kanë bërë krim me kidnapimin e civilëve apo edhe personave të uniformuar e që duhej të trajtoheshin si robër lufte , pavarësisht përkatësisë etnike , pas administrimit të provave duhet të përballen me dënimet e merituara , jo si shenjë hakmarrjeje por si shembull që do të ndikonte dhe ndihmonte në mospërsëritjen e këtij krimi të rëndë ku ndër civilëve të pafajshëm dhe kategorisë që i mbron Ligji për të Drejtën Humanitare dhe zakonet e luftës. Bashkësia ndërkombëtare , për shkak të oprtunitetit politik nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për t’i detyruar palët ndërluftuese , menjëherë pas përfundimit të luftës të tregojnë për fatin e personave të pagjetur dhe këtë çështje e kanë keq-përdorur për t’i shantazhuar palët përgjegjëse ndërsa familjarët i kanë mbajtur dhe ende po i mbajnë në ankth , duke mos siguruar informata për fatin e të pagjeturve. Shoqatat dhe familjarët e të pagjeturve , në vend se të bashkohen sepse e kanë një qëllim dhe vuajtje të përbashkët , janë ndarë pikë e pesë duke u manipuluar nga partitë politike të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë në gjendje ta zgjidhin fatin e të pagjeturve  , duke kontribuar kështu në vazhdimin e agonisë për familjarët që kërkojnë zbardhjen e fatit të personave që janë në listën e të zhdukurve . Lufta për fatin e familjarëve të zhdukur dhe lufta për drejtësi , duke ndëshkuar kriminelët , kohëve të fundit ka mbetur pa përkrahje institucionale apo se kjo përkrahje është e natyrës deklarative që përdoret për qëllime dhe përfitime politike. Çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk është shtruar në bisedimet në Bruksel sepse ka munguar vullneti politik apo është kushtëzuar vetëm me kërkesë të njërës palë e që praktikat e të drejtave të njeriut nuk e njohin apo e njohin si parim që diskriminon njërën palë duke ia mohuar të drejtën për informata. Të drejtat e njeriut , me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për këto të drejta e njohin vetëm parimin e universalitetit , si drejta të përgjithshme që nuk mund të mohohen prandaj , në këtë kontekst , Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë kërkon zbardhjen e fatit për të gjithë personat që janë në l istën e të zhdukurve sikur që kërkon drejtësi dhe shpagim për ta dhe , me theks të veçantë kërkon përgjegjësi për ata që e shkaktuan këtë krim kundër njerëzimit duke shkelur zakonet e luftës.

Kërkesa që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur shqiptarë është kërkesë e drejtë vetëm nëse plotësohet me kërkesën që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion edhe Kosovës për të siguruar informata për zbardhjen e fatit të serbëve , romëve , ashkalinjve , boshnjakëve etj., që janë të zhdukur . Ndryshe , kërkesa që shtrohet në kontekst tjetër , vetëm për njërën palë është e padrejtë dhe nga aspekti moral dhe i të drejtave të njeriut është krejtësisht  i papranueshëm  . Pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe pa përgjegjësi për kriminelët , çdo përpjekje për normalizim të marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe ndërtim të një paqeje të qëndrueshme do të ishte humbje kohe , konservim i problemit për një kohë të caktuar me mundësi që të shpërthejë sërish , me pasoja edhe më të rënda. Zgjidhja e çësht jes së personave që janë në listën e të zhdukurve nuk ka nevojë për akrobacione retorike por për veprime praktike. Çështja e personave të zhdukur është ekskluzivisht çështje e të drejtave të njeriut e cila , në mungesë të vullnetit dhe presionit ndërkombëtar vendimmarrës , duhet ta gjejë epilogun duke e kombinuar praktikën e shkopit dhe karrotës ndaj atyre që kanë informata . Në të kundërtën , sforcimi i retorikës shfajësuese për përgjegjësi për palën tuaj dhe sforcimi i retorikës fajësuese për palën kundërshtare – armike , jo që nuk e zhgjidhë çështjen e personave të pagjetur por e bënë çështjen edhe më të pazgjidhshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat