Rrëfimi i narkomanit 45 vjeçar: Fillova drogën nga mosha 15 vjeçare, arsyeja një femër

Aktuale

Rrëfimi i narkomanit 45 vjeçar: Fillova drogën nga mosha 15 vjeçare, arsyeja një femër

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 prill 2018 Në ora: 13:40
Foto ilustrim

Probleme me shëndet, probleme në jetë, humbje e familjes, gruas  e fëmijës. Këto janë pasojat e përdorimit të drogës që në moshë të re, për të mos u ndarë nga ajo për më shumë se 20 vjet.

Kështu i ndodhi 45 vjeçarit I.H. i cili në një rrëfim për gazetën “Bota sot”, ka treguar se si ka filluar marrjen e substancave narkotike e deri tani kur është në një qendër rehabilituese.

E gjitha për I.H. filloi ende pa i mbushur 16 vjet dhe thotë se nuk ishte për shkak të kureshtjes apo mendjemadhësisë, por pasi vajza me të cilën ishte në lidhje ia kishte dhënë kur ai kishte emigruar jashtë Kosovës.

Ai nuk kishte pasur aspak njohuri se çka është droga dhe rreziku i saj.

“Kam fillu në moshën 15-16 vjet. Herën e parë kam fillua direkt me heroinë. Se në kohën kur kam fillu unë ta përdor, sidomos heroinën, në atë kohë nuk është përdor as nuk është folur për të as në televizion as nëpër shkolla. Në 89-tën kam filluar direkt në heroinë. Kam emigruar, jo me dashje por ashtu kanë qenë rrethanat. Kam filluar jashtë Kosove, direkt në heroinë e jo në kanabis apo tjera droga dhe jo prej kureshtje, mendjemadhësie, adoleshenca ka mund të ndikojë sepse nuk ke mendu shumë por unë nuk e kam dit se çka është droga, as efektet anësore, as krizat që ka, nuk m’ka tregu askush.Unë pasi kam emigru ende pa i bë16 vjet jam njohur me një femër, ajo e kishte përdor drogën, heroinën, kish qenë në kohë të pauzës edhe mua në atë kohë më janë dasht dy vjet për tu martu dhe për t’i fitu letrat. I bona letrat, i porosita në Kosovë që të mi rregullojnë dokumentet, pasi ndryshe do t’më kthenin. Edhe u bënë letrat, u martova me to, i kalova 6 muaj me të. Shkuam në pushime verore. Ajo ka qenë shtytja që të marr drogë, heroinë, sepse ajo nuk më ka tregu qëështë e dëmshme. Më ka thënë merre provoje se është e mirë. Madje e kish pas edhe një shoqe shqiptare përdoruese në atë kohë. Edhe e provova, kam pasur çrregullime”, rrëfen ai.

Pasojat e takimit të parë me Heroinën

Të vjella, marramendje, ethe e temperatura thotë të kenë qenë pasojat e para të përdorimit të heroinës, por në të njëjtën kohë, ai thotë se kënaqësia që e ka përjetuar në herën e parë, nuk e ka përjetuar më asnjëherë tjetër.

“Ndjesia e parë ka qenë vjellje, marramendje, jo vetvetja, por janë bërë pothuajse 30 vjet dhe unë asnjëherë nuk kam mund të përjetoj kënaqësinë e parë që e kam pas në heroinë, edhe pse kanë ndodhë ato vjellje e çrregullime. Më kurrë nuk e kam përjetuar atë ndjenjë. Hala pa shku në Itali në pushime ajo më tha se ka qenë hera e parë dhe prandaj më ka mundu por nuk më ka tregu qëështë drogë. Kemi shku në Itali, kemi pasur heroinë me vete. Ishte vera në plazh, kisha temperaturë, ethe. Ajo e ka ditë që prej drogës dhe më dërgoi tek një ambulantë, por e pashë që diçka u mundojke të fshehë, qasjen ndaj meje e ka ndryshu nga ai moment, sepse sigurisht ia ka marrë mendja që i tregoj doktorit. Shkuam në një ambulantë dhe doktori sapo më pa e ka ditë, pasi nuk e ka pasë rastin e parë dhe më tha a më tregon drejt se çka ke pi sot, alkool apo drogë.I thashë alkool jo, çaja të ftohtë, por edhe heroinë. Më tha qëpo të jap diçka për ndihmë fillimisht dhe pastaj kur shkon në vendin në të cilin jeton, sepse nuk do të mund të flesh as kurgjo, drejtohu në një qendër, dropin center quhej”, vazhdon rrëfimin e tij I.H.

Ndarja nga gruaja

Më pas, ai tregon se si është drejtuar në qendër rehabilituese dhe ndarjen nga gruaja e tij me të cilën thotë se ishte martuar për të siguruar letrat. Ajo nuk ishte shqiptare, por kishte një shoqe shqiptare konsumuese të drogës.

“Pastaj kur u ktheva e lajmërova doktorin e shtëpisë, më drejtoi tek psikiatri, psikiatri më drejtoi tek një qendër e aty pastaj më ofruan ndihmë, nuk ishte kohë e gjatë që kisha filluar dhe më thanë të mos bëhem merak. Më kanë dhënë medikamente ndihmëse. I thashë se çka ndodh me mua, sepse nervat s’më linin rehat, nyjet kryesore në këmbë, shpinë më dhembnin. Më pas i thashë gruas se pse nuk më ka tregu,a pe sheh çka m’ka gjet, kom mund edhe me vdek qysh m’thanë edhe qendra. Ajo u mundojke me nxjerr veten. Unë i thashë se kështu paska qenë e shkrume, ka qenë qysh ka qenë deri sot, prej sot unë e vazhdoj jetën time, ti tënden. Ajo filloi me qajt edhe shoqja e saj shqiptare thoshe pse po largohesh, e përdorin shumë njerëz. Por, unë e mora një vendim dhe kisha inat në të që nuk më kish tregu, sepse dhimbjet ishin të shumta. 11 ditë s’kam mund me fjet”, tregon ai.

Sa i përket dozës që kishte marrë dhe mënyrës se si e kishte marrë drogën, ai tregon: “Doza ka qenë pa masë, shumë edhe në qendër më thanë 11 ditë kthehesh në jetë. Mënyra qysh e kam marrë ka qenë me nuhatje dhe foli. E nëfoli i kishte krizat katastrofë”.

I`u ktheva sërsh drogës

Rrëfimin e vazhdon duke treguar se pas ndarjes nga gruaja, vazhdoi të jetonte i vetëm dhe kishte pauzuar nga droga, por jep një arsye që e kishte shtyrë sërish ta përdorë atë, duke e sjellë në një gjendje aq të keqe, sa thotë se nga përdorimi i tepër gati është çmendur.

“Nga ajo u ndava. Punoja nganjëherë sa për t’i vazhdu letrat. Ajo s’mi ka prish letrat. Në trajtim kam shkuar, e kryva. Një kohë të shkurtë kam pauzu, pasi fillova të kem halucinacione të drogave, kënaqësi prej tyre, edhe u ktheva sërish me të, këtë herë vetëm. Por ajo e ka kuptu dhe më thoshte hajde prapë bashkohemi, por unë e pata përfundu dhe më nuk doja me të. Mandej, kam përdor edhe kokainë, alkool edhe heroinë. Jetoja vet. Merrja kokainë pastaj heroinë, i bëja koktej nganjëherë dhe njëherë aq shumë kam marrë sa që disa shokë më kanë dërgu në spital dhe aty më kanë lidh për shtrati për 24 orë më kanë dhënë vetëm qetësues dhe ujë të gazuar, sepse isha gati të çmendem. 20 vjet kam qenë në atë kohë. Edhe mandej kam përdor kokainë, shkoja në lokale ku kishte muzikë shqip dhe e përdorja, por e pashë që kokaina nuk bën me mua, më bënte agresiv, nuk isha vetja kur e merrja por me heroinë pak më ndryshe apo ndoshta që kam fillu direkt me heroinë, edhe pse kam përdor edhe droga tjera, heroina ka mbet tek unë”, rrëfehet ai për “Bota sot”.

9 vite në burg

Përdoruesi i drogës tregon se ka pauzuar tërësisht nga droga për 16 muaj, derisa ishte në paraburgim, pro më pas kur kishte vuajtur dënimin në burg, ka përdorur rregullisht.

“Për pauzë, kam pauzu deri në 16 muaj, edhe atë kam qenë i detyruar pasi kam qenë në paraburgim dhe nuk ka pasë mundësi të futet droga por më pas kur m’kanë çu në vuajtje të dënimit në burg të madh, aty ka pas drogë sikur në krejt botën.Edhe kur kam dalë e kam vazhdu, 9 vjet kam qenë në burg.Drogat të sjellin shumë probleme, të mira nuk ka prej asnjë droge, as prej cigares e lëre më prej droge. Unë pastaj kur i mësova llojet e drogave, efektet anësore e pashë si është.Me ndalu krejt kurrë s’kam thënë pe nali për krejt, por me pauzu kom pauzu edhe në liri kur kam qenë”, shprehet ai.

Përdorimin e heroinës, thotë ta ketë vazhduar edhe kur është kthyer në Kosovë, nga viti 2003, derisa tregon se si është sjellë familja me të dhe fjalët që ata i kanë thënë për të ndaluar drogën, duke shtuar se ka zgjedhur drogën para familjes, pasi me të dyja nuk ka mundur.

“Në Kosovë e kam vazhdu heroinën. Jam kthy në 2003. Familja e kanë ditë që e përdori, ata nuk më kanë dërgu në qendra por gjithmonë përdorin fjalët “Me desh e le por nuk po do”. Edhe familja kanë qenë në perëndim, tani ata të gjithë janë në perëndim, unë jam këtu. Unë s’kam mund me jetu me familjen se edhe drogë edhe familje nuk shkojnë. Më ka sjellë probleme sepse nuk doja që familja të më shohin në atë gjendje. Për të mbijetuar kam punu shumë pak por është dashur të shitem për vetë konsum, e aty kush ka qenë përdorues i heroinës, ka qenë e caktuar se sa gramë i lejohet me i pas me vete. Mandej, kanë qenë doping center që nëse mbetesh pa heroinë, pasi krizat e heroinës janë më të vështirat, shkencëtarët e kanë paraparë që dhimbjet nga heroina janë shtatë herë më të mëdha se një grua kur lind”, ka thënë ai.

Droga më ndau nga gruaja shqiptare dhe djali 19 vjeç

I.H tregon se ka qenë i martuar edhe me një shqiptare, me të cilën ka dhe një djalë 19 vjet dhe mbanë kontakt me ta, por qëështë ndarë nga ajo, pasi ka pasur një frikë të madhe se edhe ajo mund të bëhet përdoruese e drogës.

“Kam qenë i martuar edhe me një shqiptare dhe kam një djalë, ai jeton me nënë e tij, jeton larg Kosovës, kam kontakt me të. Më nuk jam martuar. Gruaja edhe pse e kam përdor drogën nuk ka dashtë të ndahet prej meje sepse nuk jam martu vetëm për të qëndru në perëndim, po ku e di ndoshta më ka dasht aq shumë, por unë doja vetëm një arsye që ajo të më largohej sepse e kisha një frikë të madhe që mos ajo po ka lakmi në drogë dhe po bëhem unë shkaktar dhe ajo po e fillon drogën. Gruaja më ka pa duke e marrë. Ia arrita me bind se edhe burgu por edhe i thashëmos mendo për mua, llogarite që nuk ekzistoj. Edhe me djalin kam kontakt me të sikur të ishim bashkë.  Tani jetoj vet, ajo jeton me djalin dhe nënën e saj”, rrëfehet ai.

Prej 8 vitesh ai ka zgjedhur qendrën rehabilituese Labirinth në Prishtinë, që thotë se e ka bërë për shkak të sigurisë dhe se prej 8 vitesh ai është në fazën e metadonit dhe tregon arsyen për të cilën do të përdorte sërish heroinë në Kosovë.

“Në Labirinth vij rregullisht prej 8 vitesh. Më ka ndihmu që droga të mos marrë. Shkaku që kam ardhë në Labirinth është për siguri për veten sepse në Kosovë i kanë bërë drogat mix me gjithçka, me kimikale e ajo është arsyeja që shumë ju kanë drejtuar qendrave, por shumë janë që nuk duan të identifikohen në qendra dhe shkojnë tek dikush i njohur. Tash jam në program të metadonit, shkaku i një sigurie më të madhe. Problemi i shkëputjes ka qenë i vështirë, por po të vinte në Kosovë prapë e njëjta heroinë në treg, gjasat janë që marr prapë, por derisa ta di që po e përziejnë me ngjyrave të kerreve, helm të minjve, ato janë që më japin panik.Probleme me shëndet deri tash jo nuk kam.Me metadon njeriu mundet edhe të punojë, nëse nuk e keqpërdor, e merr dozën dhe mundesh me punu. Unë tre vjet kam jetuar në fshat dhe kam punuar. Metadoni nuk ma ka humb fizikun që mos me mund me punu. Metadoni është njëfarë mënyrë një shans për përdoruesit që të mund të hiqen prej heroine ose prej drogave tjera, hyn në program të metadonit dhe vazhdon punon pa problem. Për metadon vij 3 herë në javë, stafi i qendrës janë të mirë, sillen mirë”, vazhdon më tutje ai.

Nëpër shkolla po përdoret shumë..

Për fund, ai jep këshilla për përdoruesit e drogave, për të cilët thotë se shumë mundohen ta mbajnë tabu çështjen e përdorimit të saj dhe këshillon që të mos përdoret sepse droga të ndanë nga familja.

“Unë në Prishtinë i kam vërejtur, se nuk e kam vështirë t’i vërej përdoruesit e drogave, i kam parë, këtu kanë filluar ta marrin shumë, sidomos barin që po i thonë kanabis, po e përdorin shumë. Nëpër shkolla po përdoret shumë, bëhen grupe të përdoruesve dhe kam dëgjuar që shumë po e përdorin nga mendjemadhësia, kureshtja, mendojnë që droga iu sjell të mira, unë do t’i këshilloja që të rinjtë të mos i afrohen, të mos e përdorin as kanabisin e larg koftë edhe drogat tjera që janë më të rënda. Mos ta përdorin, ai që do familje dhe dëshiron të krijojë familje, mos ta përdor hiç. Ai e prish familjen, e prish jetën e vet, familja e tij ndahet nga ai”, ka treguar ai.

Për të gjithë përdoruesit e drogës, ai këshillon që të shkojnë në qendrën Labirinth dhe të marrin njohuri profesionale dhe të shpëtojnë.

“Iu këshilloj që të vijnë sepse ka shumë e tek ne mundohemi ende t’i mbajmë tabu. Unë iu kisha këshillu, preferu që të vijnë ta vizitojnë qendrën sepse më lehtë flasin me psikologë të qendrës se me të familjes dhe të familjes po ashtu kanë nevojë të kenë njohuri se si të sillen me fëmijë sepse shpesh disa gabojnë dhe e shtyjnë në drogë, duhet të dinë si të qasen. Ju kisha preferu që ta vizitojnë qendrën dhe të marrin njohuri profesionale dhe t’i shpëtojnë, sidomos kur janë në fillim që të mos i mbajnë tabu, sepse qendra i mbanë konfidencial dhe nëse i sjellin me kohë në qendër, gjasat janë të mëdha që të shpëtojnë”, përfundon rrëfimin e tij I.H.

Statistikat shqetësuese

Muharrem Ademi, punëtor social në qendrën Labirinth, ka treguar për “Bota sot” se në këtë qendër çdo vit po rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë, kurse mosha është çdoherë më e re.

“Rreth 1230 klientë të regjistruar. Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave është 16.1 vjet, mosha mesatare e gjithë klientëve të regjistruar në databazëështë 28. Varësisht nga viti në vit, numri i personave që vijnë të kërkojnë ndihmë tek ne është në rritje, ndërsa mosha çdo vit është më e re”, tregon ai.

Ai shpjegon edhe kohëzgjatjen e trajtimit që thotë se bëhet varësisht nga personi dhe droga që ai e ka përdorur, duke shtuar se marihuana është droga më e përdorur aktualisht.

“Trajtimi zgjatë varësisht prej përdoruesit, p.sh nëse vjen dikush qëështë përdorues i marihuanës, bëjmë psikoterapi, varësisht prej individit dhe drogës, varësisht çfarë çrregullimi a ka diçka tjetër. Por, varësisht 1-2 muaj zgjatë trajtimi i një përdoruesi të barit, marihuanës, por nëse është përdorues i heroinës ne zakonisht, nëse ai shpreh gatishmërinëqë të futet në program të metadonit e ka mundësinë, e ai zgjatë varësisht sa do klienti, në shumicën e rasteve zgjatë ndoshta edhe përjetësisht. Kapasur raste kur klienti dëshiron ta lërë heroinën e bashkë me të edhe metadonin dhe shkojmë duke e zvogëlua dozën, gradualisht, në fund e bëjmë pastrimin e drogës nga organizmi dhe me psikoterapi, zakonisht kështu shkon trajtimi. Droga më së shumti e përdorur është bari pra marihuana, pas barit kokaina, heroina ka rënie të madhe. Më së shumti po i përdorin drogat stimulante, rekreative të klubeve, ekstazia, kokaina e këto”, ka thënë Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat