Kurti: Problemet mjedisore nuk zgjidhen pa shtet të fortë

Aktuale

Kurti: Problemet mjedisore nuk zgjidhen pa shtet të fortë

Më: 22 prill 2018 Në ora: 16:17
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti , në ditën e tokës ka thënë se mjedisi dhe natyra në Kosovë kanë shumë sfida  dhe këto probleme nuk zgjidhen pa një shtet të fortë.

Sipas Kurtit, anarkia e prodhuar nga synimi i mafias së ndërtimit për të nxjerrë materiale ndërtimore sa më të lira, shoqëruar me paaftësinë e qeverive tona për të zbatuar ligjin, po e shkatërron natyrën.

“Sfidat me të cilat përballet mjedisi e natyra në Kosovë janë nga më të shumtat, e ndonjëherë politikanët populistë veshin ndonjë bluzë të bardhë e dalin kinse të pastrojnë ndonjë park. Mirëpo problemet mjedisore nuk zgjidhen pa një shtet të fortë, që e ndal shfrytëzimin pa sistem e pa rregull të bjeshkëve, të cilat po shkatërrohen prej prerjes së drurëve e sidomos prej nxjerrjes së gurëve, nga gurthyesit e shumtë, gjersa shtretërit e lumenjve po keqpërdoren për zall. Anarkia e prodhuar nga synimi i mafias së ndërtimit për të nxjerrë materiale ndërtimore sa më të lira, shoqëruar me paaftësinë e qeverive tona për të zbatuar ligjin, po na e shkatërron natyrën. E mungesa e investimeve në modernizim të ngrohtoreve apo të industrive që prodhojnë energji, mungesa e imponimit të përdorimit të filtrave në fabrikat që ende punojnë, prodhon një paradoks: Kosova është ndër vendet e rralla me industri thuajse të shkatërruar krejt, që vuan nga ndotja industriale. Mungesa e guximit në aplikimin e planeve të urbanizmit, për të zgjeruar rrugët e trotuaret, për të bërë parqe e parkime e për të zvogëluar dendësinë e banorëve, ngarkon me ndotje qytetet tona”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Kurti ka shtuar se këto problem zgjidhen përmes politikave shtëtrore, e jo thjesht me fushata vetëdijësuese. “Këto probleme do t’i zgjidhim, jo thjesht me fushata vetëdijësuese, por përmes politikave shtetërore, kur në qeveri ta sjellim Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Mjedisi na përket të gjithëve, dhe shteti nuk mund të rrijë spektator kur sheh se si ambiciet dhe dëshira për përfitim e disa njerëzve shndërrohet në shkak për sëmundjen e shumicës së të tjerëve”, ka shkruar tutje Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat