Pas shtatë vitesh shef Policie, shef në Inteligjencë

Aktuale

Pas shtatë vitesh shef Policie, shef në Inteligjencë

Më: 20 prill 2018 Në ora: 17:29
Shpend Maxhuni

Shpend Maxhuni në vitin 2011 ishte zgjedhur drejtor i Policisë së Kosovës nga në atë kohë kryeministri Hashim Thaçi.

Maxhuni kishte pasuar Reshat Maliqin, i cili u shkarkuar nga Thaçi ditën kur njësitë speciale të Policisë u nisën për të marr kontrollin në veri të vendit, më 26 korrik të vitit 2011 e që në këtë aksion u vra polici Enver Zymberi.

Që nga ajo kohë Maxhuni është drejtor I përgjithshëm I Policisë deri më ditën e sotme.

Ai u emërua drejtor i AKI-së nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Emërimi i Maxhunit në këtë pozitë vjen pas shkarkimit të Driton Gashit, nga pozita e kreut të AKI-së pas deportimit të gjashtë gylenistëve për në Turqi më 29 mars të këtij viti.

Deportimi i shtetasve turq u kritikua nga të gjithë, kryeministri, kryetari I Kuvendit, mediat shoqëria civile, etj.

Qysh ditën e parë u kërkua dorëheqja e ministrit Flamur Sefaj, drejtorit të AKI-së Driton Gashi,  por edhe të drejtorit të Policisë Shpend Maxhuni.

Sefaj dhe Gashi u shkarkuan por jo edhe Maxhuni. Emërimi i tij në këtë pozitë ka befasuar të gjithë. Por kush do ta pasojë Maxhunin në pozitën e drejtorit të Policisë. Sipas ligjit për Policinë e Kosovës nëse drejtori lirohet, shkarkohet apo suspendohet nga pozita  e tij kryeministri menjëherë emëron në ushtrues detyre njërin nga zëvendësdrejtorët e  Policisë.

Aktualisht në Polici janë dy zëvendësdrejtorë, Naim Rexha dhe Dejan Jankoviq.

Në Ligjin për Policinë sqarohet edhe zgjedhja e drejtorit të Policisë.

Në nenin 37 të këtij Ligji thuhet:

Kandidatët për pozitat e Drejtorit të Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të Policisë, përzgjidhen dhe propozohen nga komisioni, i cili themelohet nga ministri. 

2. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Policisë, emërohen për një periudhë kohore prej pesë (5) vjetësh, me mundësi vazhdimi pas çdo pesë (5) vjet, nga autoriteti që i ka emëruar.

 3. Nëse Drejtorit të Përgjithshëm dhe Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të Policisë iu përfundon mandati në vitin kalendarik të zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë qëndrimi i tyre në detyrë do të zgjatet në mënyrë automatike për një (1) vit pas certifikimit të zgjedhjeve.

4. Komisioni i propozon ministrit kandidatët për emërim në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ministri në njërën nga mbledhjet e Qeverisë i propozon kandidatin Qeverisë për këtë pozitë ndërkaq Qeveria i rekomandon kryeministrit kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron Kryeministri.

Po ashtu sipas Ligjit secili  kandidat për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat