Valon Murati: Kot e keni, shqiptarët kanë qenë, janë dhe do jenë bashkë

Aktuale

Valon Murati: Kot e keni, shqiptarët kanë qenë, janë dhe do jenë bashkë

Më: 18 prill 2018 Në ora: 21:53
Valon Murati

Ish-ministri i Diasporës njëherësh i pari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se shqiptarët kurrë nuk kanë ndaluar së kërkuari lirinë dhe bashkimin me nënën Shqipëri.

Sipas Muratit, Shqipëria ishte ëndrra, por ishte edhe dora e ndihmës kurdo që krijoheshin rrethanat.

Murati ka thënë poashtu se çdo herë e më shumë do të qartësohet se lufta çlirimtare nuk do të kishte gjasa të realizohej pa shtetin shqiptar, pa ndihmën e vëllezërve dhe motrave nga andej kufiri.

Postimi i plotë:

Copëtimi i Shqipërisë në vitin 1912-13 ishte ndër padrejtësitë më të mëdha që i janë bërë një populli në Evropën e shekullit të 20-të. Por ne, pjesa e pushtuar nga Serbia e më vonë Jugosllavia, përkundër të gjitha parashikimeve, i qëndruam të gjitha Serbive e Jugosllavive, i rezistuam kralevinave e federatave pushtuese, i mbijetuam tri fushata të dëbimeve për në Turqi, një fushate dëbimi gjatë viteve 90’ që na degdisi kryesisht në Evropën Perëndimore, dhe një fushate spastrimi etnik që tmerroi botën demokratike. Kurrë nuk u ndalëm së kërkuari lirinë, kurrë nuk reshtëm së kërkuari bashkim me nënën Shqipëri, kurrë nuk e ndalëm luftën, kurrë nuk i ndalëm kryengritjet, kurrë nuk e ndalëm emancipimin dhe përpjekjen për të arritur botën e përparuar në të gjitha fushat. Shqipëria ishte ëndrra, por ishte edhe dora e ndihmës kurdo që krijoheshin rrethanat. Çdo gjë kulminoi me luftën e fundit çlirimtare, e cila solli lirinë dhe pavarësinë. Ndoshta jo siç shumica e kemi ëndërruar, por megjithatë një luftë që hapi shtigjet e lirisë, pavarësisë dhe krijoi hapësirat për të vazhduar punën për realizimin e synimeve tona deri në fund. Dhe sigurisht, me kalimin e kohës, çdo herë e më shumë do të qartësohet se kjo luftë çlirimtare nuk do të kishte gjasa të realizohej pa shtetin shqiptar, pa ndihmën e vëllezërve dhe motrave tona nga andej kufiri. Lufta çlirimtare e Kosovës, ishte lufta e të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë të copëtuar padrejtësisht në Ballkan dhe atyre që jetojnë në diasporë. Si para 87 viteve, si gjatë këtyre 87 viteve, e po ashtu edhe sot, ka pas e do të ketë të tillë që do të punojnë që të përçajnë, e ndajnë tash në rrethana të reja shqiptarët në mes vete. Shumë energji po hedhet, e ndoshta edhe diçka më shumë, që të krijohen armiqësi në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Në këto përpjekje ata do të gjejnë të gatshëm feudalët politik e ekonomik të Tiranës e të Prishtinës, servilët, hajnat, të korruptuarit e dallaveraxhinjtë, të kompleksuarit e provinicialët, që të vihen në shërbim të këtyre politikave përçarëse. Nuk ka dyshim kjo punë, mund të lë pasoja momentale, por asnjëherë nuk do t’ia arrij qëllimit. Populli shqiptar, dhe dy shtetet tona, në rrethana larg më të favorshme e komode se që ishin ato para vitit 1999, megjithatë, do të gjejnë rrugën e duhur, për t’i tejkaluar këto barriera artificiale që po përpiqen të ndërtojnë armiqtë e afrimit, integrimit e bashkimit shqiptar. Ata shqiptarë në Prishtinë e Tiranë që po bëhen argatë të këtyre përpjekjeve antihistorike, do t’i mbulojë turpi i historisë dhe do t’i mallkojë përpjekja e gjakut të dëshmorëve që ranë për liri dhe bashkim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat