72 zv/ministrat gati t’i raportojnë shefit…

Aktuale

72 zv/ministrat gati t’i raportojnë shefit…

Më: 18 prill 2018 Në ora: 14:39
Në foto zv/ministrat e Haradinajt

10 prilli ka qenë data e fundit që 72 zëvendësministrat t’i dorëzojnë raportin e punës për 100 ditshin e dytë të qeverisë, kryeministrit Ramush Haradinaj.

Por, ky raportim për fatin e mirë edhe të disa zëvendësministrave që deri 10 prill nuk e kanë dërguar raportin,  është shtyrë për shkak të agjendës së kryeministrit Haradinaj.

Donjeta Gashi, zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës ka thënë se raportimi i zëvendësministrave është paraparë të mbahet më 20 ose pas 20 prillit.

“Për shkak te agjendës se Kryeministrit, Samiti i Shkupit dhe takime te tjera te rëndësishme, pjesa e raportimit te zëvendësministrave është shtyrë pas 20 ose me 20 prill”, ka thënë Gashi.

Por, edhe pse 10 prilli ka qenë koha kur zëvendësministrat është dashur të dërgojnë raportet e tyre, jo të gjithë e kanë bërë një gjë të tillë deri në datën e caktuar.

Megjithatë sipas Gashit një pjesë e madhe e tyre kanë dorëzuar këto raporte.

Kryeministri Haradinaj i kritikuar shumë për numrin e madh të zëvendësministrave, kishte thënë se ata duhet të kenë ndonjë fushë të veprimit me të cilën merren në ministritë përkatëse.

Madje ai kishte paralajmëruar se nuk do të ketë vend për ata, të cilët nuk e arsyetojnë pozitën që kanë.

Kryeministri kishte takuar të gjithë zëvendësministrat në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ku edhe kishte kërkuar raport nga ta.

“Qeveria e Kosovës është e përgjegjshme dhe transparente dhe ajo përmes raportit të pranuar të secilit zëvendësministër do ta njoftojë publikun detajisht për përformancën e tyre”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Por edhe vet zëvendësministrat duket se nuk po gjejnë rehati në ministritë e përkatëse.

Njëri ndër ta është edhe ai në ministrin e Jashtme, Gjergj Dedaj. Ai është ankuar më kushte të papërshtatshme në punë, duke thënë se nuk një zyre të tij, e madje është ankuar edhe për injorimin nga shefi I tij në ministri, Behgjet Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat