Kuvendi pa kuorum për të votuar rekomandimet për shëndetësi

Aktuale

Kuvendi pa kuorum për të votuar rekomandimet për shëndetësi

Më: 17 prill 2018 Në ora: 19:25

(E plotesuar)-Iniciuesja e interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha Kollçaku pas përfundimit të debatit mbi sistemin e shëndetësisë në Kosovë, ka lexuar rekomandimet e paraqitura nga grupi iniciues i interpelancës.

Rekomandimet:

Qeveria e Kosovës të fillojë me funksionalizimin dhe shtrirjen e plotë të sistemit informativ shëndetësor dhe të bëjë publik kalendarin e aktiviteteve.

Qeveria e Kosovës të implementojë të 22 masat e rekomanduara nga raporti i auditorit.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë të hartojnë dhe të përgatisin parakushtet për sistemin informativ shëndetësor, ku përfshihen lisat e shërbimeve të sistemit shëndetësor në Kosovë në institucionet publike dhe ato private.

Rishikimi i Ligjit për sigurime shëndetësore i parashikuar në programin legjislativ për në qershor të vitit 2018.

Kuvendi i Kosovës t’i kërkojë Bankës Qendrore të Kosovës të paraqes jo më vonë se 60 ditë pune raport të detajuar mbi financat dhe operacionet e  kompanive të sigurimit të licencuara, të cilat ofrojnë sigurimet private shëndetësore.

Qeveria e Republikës së Kosovës bazuar në raportin e përformancës të auditorit të përgjithshëm, të adresojë në institucionet e drejtësisë rastet e shkeljeve dhe të dëmit financiar nga mos implementimi me kohë i projektit të Sistemit Informativ Shëndetësor.

Për shkak të mungesës së kuorumit, rekomandimet nuk u qiten në votim, kurse seanca ndërpreu punimet për të vazhduar nesër në ora 11:00   

Zeka i quan budallenj gazetarët që fotografojnë pacientët në emergjencë

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se shëndetësia do të jetë gjithmonë problem në Kosovë pasi mjekët, sipas tij, nuk kanë haber në punën e menaxhimit.

Zeka ka sugjeruar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli që të trajnojë mjekët dhe motrat medicinale për mënyrën e komunikimit me gazetarë, ku këta të fundit i ka quajtur ‘budallenj që fotografojnë pacientët në emergjencë’.

Zeka: Gazetari hyn në Emergjencë dhe e incizon pacientin e përgjakur

“Është shumë me vlerë dhe respektim i të drejtës elementare të një pacienti nëse MSH i trajnon mjekët dhe motrat medicinale për mënyrën e komunikimit me gazetarë. Jemi i vetmi vend në kontinentin evropian ku gazetari hyn në emergjencë dhe e incizon pacientin e përgjakur, e fotografon në sallën e operacionit. Kjo është edhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut edhe budallallëk i gazetarëve e mungesë totale e profesionit të tyre, por ne budallain duhet ndal, nuk duhet me ia hap derën e emergjencës e me hi ai me fotografuar një aksident e me pa fëmija babën ose nënën duke iu bërë operacion ose që ne shpesh herë lexojmë rreth diagnozës së pacientëve”, tha  deputeti Zeka./M.Duraku/

Baftiu: Mungesa e sigurimeve po i kushton buxhetit të Kosovës

Deputetja Besa Baftiu, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur tha se mungesa e sigurimeve shëndetësore është një padrejtësi e madhe që po i bëhet qytetarëve për shkak të paaftësisë, papërgjegjësisë si dhe keqmenaxhimit që po i bëhet sektorit të shëndetësisë tash e sa vite.

Ajo tha se mungesa e sigurimeve shëndetësore po ju kushton jo vetëm qytetarëve të vendit, por edhe buxhetit të Kosovës, pasi që sipas saj për çdo vit ndahen milion euro për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike.

Baftiu: Mungesa e sigurimeve po i kushton buxhetit të Kosovës

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore po ju kushton jo vetëm qytetarëve tanë, por edhe buxhetit të Republikës së Kosovës, për çdo vit ndahen miliona euro për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike. Po ashtu, janë dhënë miliona euro si nga buxheti po ashtu edhe nga donatorët për implementimin e sistemit informativ shëndetësor, por sot ky sistem është në fazën e parë, gjë të cilën na e argumentoi edhe raporti kombëtar i auditimit për efikasitetin dhe efektivitetin e SISH-it. Në këtë raport thuhet se ka pasur keq menaxhim, nuk ka pasur koordinim në mes të ministrisë së Shëndetësisë dhe palëve përgjegjëse, në këtë projekt ka pasur edhe keq menaxhim dhe keq përdorim të mjeteve financiare, nuk është punuar sipas planit të veprimit për implementimin e SISH-it të publikuar me strategjinë sektoriale për sistemin informativ shëndetësor 2010-2020, ku sipas këtij plani SISH-it do të ishte në fazën përfundimtar e”, tha ajo, raporton KosovaPerss.

Avdyli: Gjendja në shëndetësi, pasojë e mos seriozitetit tonë

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e krijuar në shëndetësi, duke thënë se në këto 15 vite i ka munguar prioriteti këtij sektori duke bërë kështu të humbë hapin në ngritjen e një sistemi funksional shëndetësor.

Sipas tij, me financimin me të ulët në shëndetësi është e pamundshme të ofrohet shërbime shëndetësore të mira.

Avdyli: Gjendja në shëndetësi, pasojë e mos seriozitetit tonë

“Reforma shëndetësore ka ngecur, edhe sot jemi i vetmi vend pa sigurime shëndetësore dhe jemi jo vetëm me mungesë të sigurimeve shëndetësore, por jemi edhe vendi me nivelin me të ulët të financimit në shëndetësi. Sot gjendja në shëndetësi është e keqe, si pasoj e shumë mungesave, duke filluar nga mungesa e barnave nga më baziket, si shiringat, e deri të mungesat mujore të insulinave, citostatikëve e tjera. Reforma e filluar e cila do të parashikonte implementimin e pagesës nga buxheti në sigurime ka ngecur dhe afati po shtyhet edhe me tutje, si pasoj e mos gatishmërisë dhe mos serioziteti tonë për t’u marrë me këtë reformë”, theksoi Avdyli.

Ai ka kërkuar rritjen e buxhetit për shëndetësinë, granteve të komunave për shëndetësi dhe bashkëpunimin për sigurimet shëndetësore. Sipas tij, para se të fillohet me sigurimet shëndetësore, duhet të bëhet riorganizimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Sveçla: Gjendja në shëndetësinë e Kosovës është jashtëzakonisht e keqe

Në emër të grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla tha se gjendja në shëndetësinë e Kosovës është jashtëzakonisht e keqe dhe sipas tij këtë më së miri e dëshmon që figurat politike kërkojnë shërim jashtë vendit duke anashkaluar atë të Kosovës.

Ai tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që sistemi shëndetësor dhe shëndetësia në përgjithësi të vendoset në prioritet të parë për këtë Qeveri.

Sipas tij, të gjitha qeveritë shëndetësinë nuk e kanë pas prioritet dhe e kanë parë si një shancë për të zhvatur disa pare këtu aty, apo për të rehatuar familjarë apo militant familjar.

Sveçla: 24 përqind e pagesave të bëra nuk kanë të bëjnë asgjë me SISH-in 

“Se sa jo serioze ka qenë puna e deritanishme për SISH-in, ndër të tjera dëshmohet edhe me faktin se nga buxheti i dedikuar për të 24 përqind e pagesave të bëra nuk kanë të bëjnë asgjë me SISH-in, por si për shembull rasti i renovimit e sanimit të ashensorëve të QKUK-së. Në të njëjtën kohë ka munguar mbështetja me staf që është planifikuar me planin e veprimit në emër të vetë kufizimeve buxhetore, kjo vetëm sa dëshmon që në rastin më të mirë ka munguar trajtimi i SISH-it si prioritet. Prandaj, kjo edhe duhet të ndërpritet dhe ne ju ftojmë votoni rekomandimet tona në mënyrë që të fillojmë me reforma të thella në shëndetësi drejt përmirësimit të gjendjes së saj. Sa më parë do të jetë më mirë, më lirë dhe çka do të jetë më me rëndësi më pak vuajtje të qytetarëve tanë çoftë si pacient, çoftë familjarë të tyre”, tha ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat