Brovina: SISH-i nuk ka qenë funksional

Aktuale

Brovina: SISH-i nuk ka qenë funksional

Më: 17 prill 2018 Në ora: 07:25
Kuvendi i Kosovës

(E plotesuar)- Deputetja e PDK-së, Flora Brovina theksoi se nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se SISH-i nuk ka qenë funksional. Megjithatë, ajo ka shprehur optimizmin e saj se me punët që ka filluar t’i ndërmarr ministri i ri, do të ketë lëvizje në këtë drejtim.

Brovina: Sigurimet realizohen edhe pa SISH

“Fatkeqësisht auditimi vërteton se SISH-i nuk ka qenë plotësisht funksional dhe nuk ka qenë plotësisht efektiv në planin e implementimit deri në vitin 2014. Deri në 30 për qind të përfshirjes nuk ka arritur të implementohet. Kjo ngecje ka shkaktuar edhe mos zhvillimin e implementimit të SISH-it të fondit të sigurimeve shëndetësore, që do të thotë që ka munguar parakushti për funksionimin e këtij projekti”, tha ajo.

Brovina tha se mungesa e SISH-it nuk është pengesë për realizimin e sigurimeve shëndetësore, pasi mund të fillojnë me sigurimin e fondit, ose edhe vet Qeveria të ndajë mjete për fondin sepse kështu është vepruar edhe tek shtetet tjera.

Mirëpo, sipas deputetes Brovina, sigurimet shëndetësore nuk mund të jepen pa pasur protokolle. Por sipas saj, nëse presin deri në përfundim të protokolleve, atëherë mund të vonohen në sigurimin shëndetësor.

Ismajli e pranon se ka pasur të meta në implementimin e SISH-it

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se Sistemi Informativ Shëndetësor, i cili ka nisur para shtatë viteve, ende nuk është implementuar në 30 për qindëshin e paraparë.

Ai gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës tha se ministria që ai drejton ka nisur projektin për implementimin e SISH-it në vitin 2011 dhe ai është paraparë të kryhet në tri faza, ku në dy fazat e para përfshihej implementimi dhe pilotimin e sistemit në 30 për qind të vendit dhe kjo është paraparë deri në fund të vitit 2014.

Ismajli: Ka pasur të meta në implementimin e SISH-it

“Faza e tretë që përfshinë implementimin e sistemit në gjithë territorin e vendit parashihej të përfundoj në vitin 2020. Asnjërën fazë të këtij projekti unë s’e kam gjetur të realizuar plotësisht ashtu siç ishte e planifikuar me dokumente strategjike. Në 5 institucione ku është shtrirë SISH-i është konstatuar se vetëm 39 e pacientëve janë evidentuar në sistemin informativ, pra një përqindje e ulët. Natyrisht nuk duhet të hedhet gurë e baltë mbi projektin, ka pasur të mira, fakti i mirë ka qenë që është iniciuar si ide, janë bërë dokumentet strategjike, janë bërë përpjekje që të arrihet, mirëpo raporti i bërë nga zyra e auditorit na ka treguar se ky projekt ka pasur shumë të meta”, tha Ismajli.

Ai shtoi se Këshilli Nacional i SISH-it do të ketë para vetes edhe një dokument shumë të rëndësishëm, pasi gjatë kësaj kohe MSH-ja ka arritur të hartojë një plan, i cili parasheh që brenda 18 muajve të realizohet implementimi i Sistemit Informativ Shëndetësor në tërë Kosovën.

Ismajli tha se gjatë këtyre muajve parashihet qartë të gjitha aktivitet që duhet përfunduar./B.Syla/

Kosova i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore

 Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka akuzuar të gjitha qeveritë e deritashme për mos implementimin e ligjeve bazike për qytetarët, siç është ai për sigurimet shëndetësore. Sipas saj, tash e 15 vjet është dashur të ishte ligji për sigurimet shëndetësore dhe të implementohej.

Këto komente ajo i bëri në interpelancën e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, të thirrur nga LVV-ja, për Sistemin informativ dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Mulhaxha-Kollçaku: Kosova i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore publike, situata e mjekimit adekuat e pacientëve në Kosovë po vështirësohet nga dita në ditë në mungesë edhe të SISH-it edhe sigurimeve shëndetësore. Në kushtet kur Kosova është vendi më i varfët në regjion e Evropë, me jetëgjatësinë mesatare me të ulët, me investimin me të ulët në sektorin shëndetësor në raport me Bruto Pruduktin vendor, si dhe i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore. Qasja jo serioze dhe jo vetëm që nuk siguron të drejtën elementare për të marrë shërbime shëndetësore, që bënë pjesë në të drejtën themelore të njeriut, por varfëron akoma me shumë popullatën ashtu të varfër duke pasur parasysh impaktin në ekonominë e vendit”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo tha se sigurimet private që mbajnë monopolin aktualisht në mungesë të zbatimit të Ligjit për sigurime publike, abuzojnë në të shumtën e rasteve, ndoshta ka përjashtime, me ndërprerjen e kontratave me pacientët të cilët në vitin e ardhshëm duhet të vazhdojnë një kurim me të shtrenjtë.

Deputetja Kollçaku tha se në fund të debatit do të paraqesin një mocion duke harmonizuar me të gjitha grupet parlamentare

(E plotësuar)-  Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës të pikave të mbetura nga seance e djeshme.

***

Kuvendi nuk zgjedh drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës pasi që asnjëri nga kandidatët nuk arritën që të marrin votat e mjaftueshme nga deputetët.

Kandidati Arbër Hadri ka marr  21 vota ndërsa Driton Mulaj 42 vota.  Nga votat e 91 deputetëve të pranishëm në seancë 27 ishin të pavlefshme. 

Pasi që asnjëri nga këta nuk kanë marr votat e duhura konkursi do të përsëritet. Këtë agjenci deri më tani e ka udhëhequr Idriz Blakaj. 

***

Deputetët votuan edhe për themelimin e Komisionit Hetimor për ndriçimin e arrestimit dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq. Për këtë komision votuan 66 deputetë për, pesë abstenime dhe asnjë kundër. Deputetët e PDK-së dhe LDK-së janë përplasur rreth nderimit të përvjetorit të masakrës së Poklekut në Drenas.

Përplasja erdhi pasi deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, mori fjalën për të diskutuar rreth raportit të KOSTT-it, meqë kryetarja e Komisionit përkatës Sala Berisha-Shala, nuk ishte aty, me që po merrte pjesë në përkujtimin e asaj masakre.

Hoti: Deputetët në Kuvend me gjuhë fyese, nuk po ka rend shtëpie

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti reagoi sot në Kuvend pas një debati ndërmjet deputetes së LDK-së, Hykmete Bajramit dhe deputetes së PDK-së, Sala Berisha Shala, lidhur me pjesëmarrjen në Komisionet parlamentare dhe delegimin e detyrave në rast mungese në mbledhje.

Pas debatit të këtyre dy deputetëve, reagoi shefi i GP-së së LDK-së, Hoti duke dënuar gjuhën e përdorur.

“Ky debat është plotësisht i panevojshëm. I Lus të gjithë deputetët të përmbahen nga kjo gjuhë. Njëherë kryesuesi e quajti ‘rrenc’ një deputet, pastaj deputetët këtu këtë debat, kah po shkojmë kështu… Në Kuvend nuk ka rend”, tha Hoti.

Pas deklaratë së Hotit, reagoi kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Ai tha se ka 15 vjet që i ka duruar duke folur për të dhe asnjëherë nuk ka reaguar.

“…. Edhe unë kam gjak, ndonjëherë mundem me reagu”, tha Haliti.

Berisha: Hykmete, mos ma baj gajlen mua

“E nderuar kolege deputete mos e baj gajlen time ti hiq, kryej punët tua për të cilat je e thirrur edhe sot po me detyron ta përdorë foltoren këtu. Sot është përvjetori i njërës nga masakrat me të rënda, masakra e Poklekut, në të cilën edhe kam pasur obligim me qenë aty. Nuk është tragjike mos me qenë kryetarja këtu. Ke mundur të diskutosh lirshëm, unë i kam deleguar detyrat e mia edhe mos e baj gajlen ti. Ty s’ta kam përmendur emrin sepse nuk je në hierarkinë së Komisionit”, tha Berisha-Shala.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes Bajrami, e cila tha se duhet t’iu vijë turp përdorimi i të rënëve për përfitime politike.

Bajrami: Mjaft i përdorët viktimat për përfitime politike

“Unë me të vërtetë asnjëherë nuk kisha dashur të jem zëvendësja e juaj. Por, sot kryesuesi ka dashur ta heqë nga rendi i ditës për shkak se askush se merrte fjalën në emër të komisionit. Kështu që mos e mbivlerëso vetveten. I ka thënë sekretarit nuk e qes në votim raportin dhe e potencuat disa herë se raporti është me vonesë. Kështu që mbylle këtë temë, edhe mjaft i përdorët viktimat dhe përvjetorët për përfitime politike, turp duhet me ju ardhur”, tha Bajrami.

Në debat u kyç edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se turp duhet t’iu vijë atyre deputetëve, të cilët sot ishte dashur të jenë në Poklek për nderime.

Musliu: Turp të akuzohemi pse shkuam në nderime të masakrës në Poklek

“Nëse këtu vërtet dikujt duhet t’i vijë turp është ajo që foli para meje. E them me sinqeritetin me të madh, sot është dashur që ky Kuvend t’i mbyllë dyert në orën 10:00 dhe të gjithë të ishim në Poklek për të bërë nderime para atyre viktimave që fatkeqësisht familjet e tyre nuk e kanë as nga një varr ku duhet t’iu qesin lule me të dashurve të tyre. 54 anëtarë të familjes Pokleku, të gjithë të varrosur në një varr, dhe ne të akuzohemi pse paskemi shkuar të bëjmë nderime sot atje, është turpi me i madh që dikush në Kuvendin e Kosovës e thotë”, theksoi Musliu.

Për përmbajtje deputetët i ftoi shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se në këtë vend nuk ka rend shtëpie, sepse po të kishin ftesa të gjithë do të ishin në Poklek.

Hoti: Kah po shkon Kuvendi me këtë gjuhë

“Unë i lus të gjithë deputetët që të përmbahen nga gjuha që janë duke e përdorur. Nderimi më i madh atyre viktimave iu bëhet nëse gjithë deputetët do ishin paraqitur në orën 10:00 sot në seancë. Deputetët e shumicës dy-tri orë me vonesë paraqiten në seancë, shtyhen seancat për shkak se nuk jeni të rregullt. Nderimi me i madh i atyre viktimave është me funksionuar si duhet institucionet dhe me krye secili detyrën e vet. Po të kishte pasur një organizim të duhur nga Kryesia e Kuvendit, të kishim ftesë gjithë deputetët, të gjithë do ishim duke bërë nderime atje. Por, nuk ka rend shtëpie këtu, nuk mund të ketë asnjë seancë të rregullt. Asnjë institucion nuk është duke funksionuar normalisht. Krejt çka ndodh në Kuvend është të fyhet njeri-tjetri. Hapet seanca dhe kryesuesi e quan gënjeshtar një deputet, nuk e përdor debatin, një deputete tash i thotë tjetrit ashtu, çka është ky Kuvend kështu, ku po shkojmë kës htu”, theksoi Hoti.

Ndaj tij reagoj edhe Haliti, duke i thënë se për 15 vjet e kanë sha e akuzuar dhe asnjëherë nuk ka reaguar. Por tani është bërë mjaft dhe është tepruar.

Përplasen Xhavit Haliti dhe Anton Quni, Haliti e pranon se ka marrë para nga Ahmet Krasniqi, por nuk tregon sa milionë

 Me shumicë votash deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar nëntë emrat për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ky vendim është marr nga ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi.

Në seancën e djeshme ky ratifikim nuk kishte kaluar pasi që LDK-ja nuk kishte votuar pasi që deputetët nuk e kishin votuar komisionin hetimor për të hetuar rastin e gjashtë shtetasve turq.

***

Anton Quni tha dje në Pressing Xhavit Haliti kishte marrë në luftë 8 milionë euro nga FARK’u. Seancën e sotme, Haliti e hapi me mllef ndaj deklaratës së Qunit, dhe e akuzoi atë se po gënjente kur po thoshte se koloneli i FARK’ut ia kishte dhënë 8 milionët. Megjithatë, nënkryetari i Kuvendit e pranoi se kishte pasur kontakt me kolonel Krasniqin, e edhe që kishte marrë para. E diskutoi shumën, por Haliti tha se me këto punë prezent ka qenë Isa Mustafa e Bujar Bukoshi.

Si nënkryetar i Kuvendit, që sot drejtoi vazhdimin e seancës plenare, Xhavit Haliti shfrytëzoi foltoren për të demantuar atë që kishte thënë deputeti i LDK’së, Anton Quni mbrëmë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti e ka quajtur gënjeshtar deputetin e LDK-së, Anton Quni, i cili ka deklaruar se Ahmet Krasniqi i ka dhuruar atij 8 milionë marka.

Haliti: Keni gënjyer

“Është gënjeshtër e kulluar, është gënjeshtër prej atyre kuzhinave të tyre dhe nuk është mirë me përdor emrin e Ahmet Krasniqit. Nëse ke argumente zotëri që po i jep vetit zor që dinë diçka për UÇK-në, unë po të them që nëse unë i kam marrë 8 milionë euro, sot nuk jam në këtë Kuvend, nëse ti ke gënjyer a je i gatshëm të jep dorëheqje nëse ki argumente se unë i kam marrë 8 milionë euro. Duhet ta kesh parasysh që në strukturat politike dhe ushtarake ka pasur bashkëpunim mes qeverisë së Kosovës dhe UÇK-së dhe strukturat ushtarake dhe politike të UÇK-së nuk janë marrë me kalamajtë që kanë qëndruar nëpër thera. Unë për të biseduar dhe për t’u marrë vesh kam pasur vetëm një njeri, veç Bujar Bukoshin”, tha Haliti.

Por, Quni tha se mund ta siguroj me dokumentacione me njerëz, me datë, se Haliti i ka marrë 8 milionë, apo diçka me pak apo me shumë.

Quni: Ta dëshmoj me fakte se i keni marrë paratë nga Krasniqi

“Unë nuk e di çka ka të keqe që ky fond është ndarë për ndihmë për njësitë e UÇK-së. Nuk është asgjë sekrete, nuk jam i vetmi që e kam thënë, kanë folur për këtë çështje edhe shumë tjerë, kanë folur edhe shok të juaj të idealit, partisë e tjera. Por nëse ju dëshironi fakte dhe me shumë unë do t’i siguroj. Tani nuk jam i sigurt a janë në pyetje 6, 7 apo 8, por mund t’i siguroj të gjitha faktet, edhe dëshmitarët edhe protagonistët, që të saktësojnë me ditë, me datë, me ngjarje me zhvillime me vend se ju këtë shumë plus minus e keni pranuar personalisht me autorizimin e kolonel Ahmet Krasniqit”, theksoi Quni.

Haliti: Juve iu konvenon me fol për njerëzit e vdekur të UÇK-së, të gjallët s’kanë rëndësi

“Ti nuk di asgjë për këtë punë, as ata shokët tu nuk dinë asgjë sepse nuk kanë qenë kurrë prezent, ka qenë prezent Agim Mehmeti në të gjitha bisedimet, është bisedu me Bujar Bukoshin dhe Isa Mustafa, ju tjerët keni qenë ushtar, keni luftuar apo jo është problem tjetër sepse juve iu konvenon me fol për njerëzit e vdekur të UÇK-së sepse njerëzit e gjallë nuk kanë rëndësi, ky është problemi juaj, edhe në atë betejën që e ke bo bashkë me të tjerët, ju askund nuk e përmendini se kush e ka arrit marrëveshjen për të qenë bashkë, ju nuk e dini procesin e zhvillimit të asaj pune as në Koshare, as në këto tjerat, prandaj mos shprush, këtu mund të flas, dy vet janë gjallë, sa i përket pjesës politike Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, pjesërisht për çështjen e financave që ka bërë dhe gjallë është veç  Hilmi Nebihu,... kur t’i qelim letrat i qelim taman, tani këtu unë e përfundoj se dje ke fol t’i e sot unë dhe skam  fjalë”, tha ai

E pas Haliti përfundoi fjalimin nuk ia dha fjalën Qunit, duke thënë se ai ka folur dje, ndërsa ky sot.

Quni në shenjë proteste u ofruar afër Halitit, ku për disa minuat aty u panë edhe deputetët tjerë të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së.

Formohet komisioni hetimor për deportimin e shtetasve turq

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar formimin e komisionit hetimor për të ndriquar rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars të këtij viti.

Kjo iniciativë është bërë pas një seance të jashtëzakonshme me kërkesë të LDK-së dhe VV-së.

Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës (Drejtpërdrejt)

Po vazhdon punimet seanca e Kuvendit të Kosovës me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës të pikave të mbetura nga seance e djeshme.

Sipas njoftimit janë të paraparë 15 pika, ndër to edhe interpelanca e

kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë, interpelanca e kryeministrit, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës, interpelanca e kryeministrit Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar "Deputetët e Pavarur", në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë "Contour Global" dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit "Kosova e Re" të nënshkruar më 20 dhjetor 2017,si dhe interpelanca e Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.

Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës

Sot vazhdon punimet seanca e Kuvendit të Kosovës me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës të pikave të mbetura nga seance e djeshme.

Rendi i ditës:

11. Shqyrtimi i Raportit të operatorit të sistemit, transmisionit dhe tregut-KOSTT sh. a, 12. Përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, 13. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e gjashtë (6) anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, 14. Zgjedhja e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës.

15. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, 16. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave. 17. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë.

18. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

19. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar "Deputetët e Pavarur", në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë "Contour Global" dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit "Kosova e Re" të nënshkruar me 20 dhjetor 2017, 20. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.

21. Interpelanca e ministrit të Shëndetësisë, z. Uran Ismajli, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me Sistemin informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private në Republikën e Kosovës, 22. Debat parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me të gjeturat e raportit të komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, 23. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Ganimete Musliu, Salih Salihu dhe Driton Çaushi, në lidhje me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika, si dhe cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë.

24. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, e mbështetur edhe nga 11 deputetë nënshkrues, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave, dhe 25. Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes, Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 5 deputetë nënshkrues, në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat