Pacolli nderohet për kontributin e tij gjatë luftës

Aktuale

Pacolli nderohet për kontributin e tij gjatë luftës

Më: 16 prill 2018 Në ora: 13:44
Behgjet Pacolli dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu

Me rastin e shënimit të 19-vjetorit të eksodit kosovar në Kukës, Ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, i janë dorëzuar dy tituj, ai “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.

Pacolli pranoi këto dy mirënjohje gjatë një ceremonie zyrtare në Bashkinë e Kukësit për kontributin e tij të mëhershëm në mbështetje të luftës çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe për vizionin e tij si ish-president për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike Kombëtare.

“Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të UÇK-së me shuma të mëdha financiare. Po ju e keni ndihmuar Kukësin dhe në kohë paqeje, dhe do të na ndihmoni akoma më shumë kur ky vizion të bëhet realitet. Platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me Qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.

Ndërsa, ministri Pacolli tha se Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999 dhe sot ai ndihet krenar.

“Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës. Në shumë takime ndërkombëtare, në takime rajonale, të Bashkimit Evropian, në Japoninë e Largët, por dhe me miqtë e mi këtu në Shqipëri, me Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën e Lulzim Bashën, unë po angazhohem që Lugina e Drinit të shndërrohet në një vektor komunikacioni nga më të rëndësishmit në Evropë”, ka thënë ai.

Gjatë qëndrimit në Kukës, ministri i Punëve të Jashtme  Pacolli vijoi me vizitën në Panairin e Librit, të organizuar me rastin 19-vjetorit të eksodit të kosovarëve.

I shoqëruar nga autoritetet vendore të Kukësit dhe shefat e misioneve të dy vendeve, ministri Pacolli vizitoi edhe një kopsht fëmijësh, dhuratë e bizneseve të Kosovës për Kukësin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat