GAP: Me ‘Kosova A’ rryma 44 përqind më shtrenjtë

Aktuale

GAP: Me ‘Kosova A’ rryma 44 përqind më shtrenjtë

Më: 15 prill 2018 Në ora: 12:28
Ilustrim

?GAP ka ngritur shqetësimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke thënë se do të ketë rritje prej 44 përqind.

Energjia elektrike që do të faturohet si pasojë e termocentralit “Kosova e Re” do të jetë 93.9 euro për MWh, ose një rritje prej 44 përqind krahasuar me çmimin aktual.

Blend Hyseni nga instituti GAP, gjatë  prezantimit të raportit “Ndikimi i TC ‘Kosova e Re’ në tarifat e energjisë elektrike”, tha se me një investim prej 1.3 milion euro, tarifa e energjisë elektrike me shumicë do të rritet për 86 përqind, krahasuar me vitin aktual.

Sipas tij, aktualisht çmimi me shumicë është rreth 31.3 euro, derisa duke marrë parasysh termocentralin A dhe B dhe burimet tjera alternative, ky çmim do të arrijë diku minimum 61.4 ose një rritje akumulative rreth 86 përqind.

Hyseni tha se rreth 50 mijë familje do të paguajnë rreth 18 përqind të të ardhurave të tyre mujore në faturat e energjisë elektrike. Derisa shprehi shqetësime për pasojat që do të ketë shtrenjtimi i rrymës.

Hyseni: Një rritje prej 44 përqind krahasuar me çmimin aktual

“Siç e dimë çmimi me shumicë për të arritur në shtëpitë tona duhet të kalojë në transmisionin e lartë, në shpërndarje të furnizuesi publik dhe prapë në shtëpitë tona. Ne e kemi marrë prapë një parashikim që KOST-in do ta paguajmë 3 euro për MWh, KEDS-in 24 për MWh dhe KESKO 8 euro për MWh. Energjia elektrike që do të faturohet si pasojë e TC Kosova A do të jetë 93.9 euro për MWh, ose një rritje prej 44 përqind krahasuar me çmimin aktual. Energjia elektrike që do t’i pasohet konsumatorit fundor do të pësojë një rritje prej 44 përqind në krahasim me vitin aktual. Pa dyshim kjo do të ketë pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale. Rreth 50 mijë familje do të paguajnë rreth 18 përqind të të ardhurave të tyre mujore në faturat e energjisë elektrike”, theksoi ai.

Kurse, Agron Demi tha se ndërtimi i ‘Kosovës së Re’ është projekt i cili ka ndikim të gjithanshëm në ekonomi, buxhetin e shtetit, shëndet, ambient, zhvendosje të popullsisë, borxhin publik e ndikime tjera, por në këtë raport të shkurtër, Instituti GAP ka analizuar vetëm ndikimin në tarifa të energjisë që do të ketë ndërtimi i termocentralit të ri sipas marrëveshjes së nënshkruar.

Demi: Kemi dhënë disa rekomandime

"Ne i kemi dhënë edhe disa rekomandime për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët siç e thashë, do të kenë një intepelancë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, që seanca të dalë me së paku dy rekomandime apo dy kërkesa, për ZRRE-në dhe Ministrinë e Financave. E para është që ZRRE të vëjë një vlerësim zyrtarë të tarifave, meqenëse Kuvendi i Republikës ka të drejtë t'iu kërkojë që ata të marrin në iniciativë të tillë dhe ta informojnë publikun edhe zyrtarisht për ndikimin e tarifave. Dhe e dyta, që të bëhet një vlerësim financiar nga Ministria e Financave sesa do të ndikojë kjo në buxhetin e shtetit, sepse indirekt do të ketë shumë shpenzime prej buxhetit të shtetit me qëllim që t'i hapet rrugë TC 'Kosova e Re'", tha Demi.

Në fund Demi theksoi se duke marr parasysh se Kuvendi i Kosovës ka ftuar interpelancë për kontratën e “Kosovës së Re”, seancë e caktuar të mbahet më 16 prill 2018, një ndër rekomandimet që duhet të dal nga kjo seancë është që t’i kërkohet ZRrE-së një raport zyrtar për impaktin e “Kosovës së Re” në tarifat e energjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat