Gjukanoviq kërkon votën e shqiptarëve, siguron se do t’i përmbahet marrëveshjes për kufirin

Aktuale

Gjukanoviq kërkon votën e shqiptarëve, siguron se do t’i përmbahet marrëveshjes për kufirin

Më: 12 prill 2018 Në ora: 19:40
Millo Gjukanoviq

Millo Gjukanoviq, Kandidat për President të Malit të Zi në zgjedhjet e 15 prillit, ka folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pas mosmarrëveshjeve për çështjen e kufirit. Ai ka treguar nëse Podgorica do ta respektojë deklaratën Thaçi-Vujanoviq për korrigjimin e gabimeve që Kryeministri Haradinaj insiston se janë bërë kur është shënuar kufiri. Kreu i DPS’së së Malit të Zi ka folur edhe për vendimin e vitit 2008, kur vendi i tij vendosi ta njohë Kosovën, raportet me Hashim Thaçin, bisedimet Kosovë –Serbi, tentim puçin e vitit 2016 për rrëzimin e tij, të sponsorizuar nga Rusia, paralajmërimet e kundërkandidatëve të tij se do ta anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe pritjet se elektorati shqiptar në Mal të Zi do ta votojë masivisht të dielën

Milo Gjukanoviq është njëri nga dinozaurët politikë të Ballkanit. Në politikën e lartë, të Malit të Zi, ka hyrë i ri në moshë, duke u ngjitur shpejt në majën e pushtetit.  Malazezi shtatgjatë, si vetëm 29-vjeçar arrin të bëhet Kryeministër. Ishte edhe shefi më i ri i një qeverie në Evropë, e për kuriozitet thuhet se kjo ishte edhe puna e parë e tij me rrogë. Në ngritjen e tij ka hise edhe vetë Sllobodan Millosheviq, me të cilin më vonë konfrontimi ishte i pashmangshëm. Sloba thuhej se kishte dërguar njerëz në Podgoricë për ta vrarë.

Në vitin 1999, Mali i Zi, edhe pse nën një çati me Serbinë, kishte hapur dyert për strehimin e kosovarëve që po iknin nga forcat serbe. Me Gjukanoviqin në krye Mali i Zi, më 2006, konfirmohet si shteti më i ri në Evropë. Për rezultatin e referendumit, ku vota shqiptare ishte vendimtare, presidenti i atëhershëm serb Vojislav Kostunica thuhej se kishte qarë në Beograd. Politikani kontrovers, i njohur ndër të tjera edhe për pasurinë e tij enorme,  më 2008 fitoi edhe një herë simpatinë e shqiptarëve. Ai kishte  marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës - gjë që u kundërshtua edhe në Serbi dhe nga serbët e Malit të Zi.

U tregua konstruktiv edhe kur Kosova dhe Mali i Zi dukej se po kalonin nëpër një periudhë të vështirë për shkak të kufirit. Këtë kurs premton se do ta mbajë edhe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë matjeve për shënimin e vijës kufitare.

“Do të respektojmë gjithçka që parashihet me marrëveshje, edhe nevojën që të përmirësojmë gabimet eventuale nëse konfirmohet se ka të tilla” thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat