Haradinaj: Sefaj e dinte prej 23 marsit se shtetasit turq do të arrestoheshin

Aktuale

Haradinaj: Sefaj e dinte prej 23 marsit se shtetasit turq do të arrestoheshin

Më: 31 mars 2018 Në ora: 12:17
Flamur Sefaj, Ramush Haradinaj dhe Shpend Maxhuni

Kryeministri i Kosovës ka mbledhur Këshillin e Sigurisë dhe thotë se Kosova është në gjendje stabile.

Haradinaj në një konferencë për media pohoi se me veprimin e fundit ndaj gjashtë shtetasve turq dhe deportimit të tyre në Turqi, ka pasur pasoja humane të të drejtave të njeriut, për çka thotë se nuk ndihet krenar që ka ndodhur.

“Megjithatë konstatojmë se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile. Qytetarët duhet të jenë të qetë. Kam kërkuar që Kosova mos të befasohet, kjo s’do të përsëritet më kurrë”, tha tutje Haradinaj.

Haradinaj thotë se hetimin e parë që e ka bërë, menjëherë pas kësaj ndodhie, ka kërkuar nga drejtori i AKI-së Driton Gashi, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtori i Policisë s[ Kosovës, Shpend Maxhuni, një raportim, dhe ka ardhë në përfundim se dy vartësit e tij të parë, Driton Gashi dhe Flamur Sefaj, e kanë humbur besimin e tij.

“Ata s’e kanë besuar me më informuar mua. Për këtë e kërkova lirimin e tyre. Por Flamur Sefaj e ka pasë shkresën që nga dita e premte e javës së kaluar që shtetasit turq do të arrestoheshin”, tha Haradinaj, duke iu referuar që e ka pasur nga AKI-ja.

Haradinaj tha se në mbledhjen e Këshillit të sigurisë, ka kërkuar që veprime të ngjashme mos të ndodhin më.

“Mos gabo më me shku dikush kësaj rruge. S’do të tolerojmë një gjë të tillë”, tha ai.

Haradinaj thotë se ka pasur takime të menjëhershme me presidentin Thaçi, pas arrestimit të gjashtë turqve dhe pas shkarkimit të drejtorit të AKI-së, për çka tha se do të emërohet një tjetër në bisedime me Thaçin e të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat