Liri Loshi: Kohë pastrimesh

Aktuale

Liri Loshi: Kohë pastrimesh

Nga: D.RR Më: 30 mars 2018 Në ora: 19:41
Liri Loshi

Ish pjesëtari i UÇK-së, Liri Loshi, përmes një statusi në rrjetin social facebook, ka shkruar se ata që kidnapuan profesorët turq, duhet të gjenden dhe të sillen para drejtësisë.

Ai shpreson për një pastrim të madh në skenën politike.

Postimi i plotë i Loshit:

KOHË PASTRIMESH

Qeni i keq ta sjell ujkun n’torishtë, thotë një fjalë e popullit. Kosova duhet t’i heq qafesh të gjithë “qentë” e këqij, përndryshe nuk do të kemi shtet, por torishtë. Ata që kidnapuan profesorët turq duhet të gjenden dhe të sillen para drejtësisë. Le ta kuptojnë nën lëkurë një pjesë të vuajtjes që tani pësojnë qytetarët e pafajshëm turq për fajin e tyre. Nëse kjo qeveri nuk mund ta bëjë pastrimin e të gjitha instancave ku ka rrjedhur uji, atëherë le të shkojë në shtëpi, sepse test më adekuat për matjen e aftësisë së saj nuk mund të ketë. Presidenti dhe kryeministri duhet t’i shikojnë mirë njerëzit të cilët i kanë përreth dhe të identifikojnë shkaqet e këtij dështimi të madh.
Populli i Kosovës gjithandej duhet të kërkojë llogari për këtë dështim të shtetit. Kosova i ka borxh një proteste të fuqishme popullore qytetarëve të pafajshëm turq dhe botës së civilizuar që të tregojë se prerja në besë e miqve nuk është ves i popullit shqiptar, por i disa mbeturinave që në pikë të ditës me diell e kanë humbur rrugën e tyre. Populli pra, duhet ta bëjë të qartë se ai vetë nuk e ka humbur rrugën, as nuk i ka tjetërsuar vlerat tradicionale kombëtare, siç është ruajta e njerëzve në besë që në fakt përputhet plotësisht me vlerat e shoqërive më demokratike për t’i strehuar dhe ndihmuar të përndjekurit politikë. 
Le të shpresojmë se pastrimi i madh dhe adekuat do të ndodh. Përndryshe, udhëheqësit e shtetit duhet ta kenë të qartë se nëse ata nuk dinë se çfarë bën policia e tyre, një ditë mund të gjenden edhe vetë të kidnapuar edhe dhe ta shohin veten me thes në kokë diku në mes të rrugës për Beograd, Ankara, apo Moskë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat