LDK e shqetësuar me gjendjen e krijuar në Kosovë

Aktuale

LDK e shqetësuar me gjendjen e krijuar në Kosovë

Nga: A.M. Më: 29 mars 2018 Në ora: 19:21
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të gjatë shtetasve të Turqisë, të cilët më pas u deportuan nga Kosova.

Në reagimin e LDK-së thuhet se kjo parti do të kërkojë raportim urgjent, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Ministrin e Drejtësisë, për ta njoftuar Kuvendin lidhur me deportimin e 6 shtetasve të huaj.

“Konventat ndërkombëtare nga fusha e të drejtave të njeriut janë pjesë e Kushtetutës se Republikës se Kosovës. Çdo anashkalim i këtyre konventave është edhe shkelje e Kushtetutës se Kosovës.

LDK do të ftojë në raportim urgjent, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Ministrin e Drejtësisë, për ta njoftuar Kuvendin lidhur me deportimin e 6 shtetasve të huaj.

Vetëm respektimi i plotë i instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut mund të shërbejë për avancimin e raporteve bilaterale me shtetet mike.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehë shqetësimin e saj me gjendjen e krijuar në Kosovë, ditët e fundit, kur është shpërfaqur mungesa e theksuar e koordinimit institucional.

LDK-ja u bën thirrje bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës, të ndërprejnë praktikat e përdorimit të institucioneve për larjen e hesapeve ndërmjet tyre.

Institucionet e Republikës së Kosovës, si institucione të një shteti të pavarur dhe demokratik, duhet të zbatojnë me përpikëri Kushtetutën e vendit dhe të gjitha veprimet duhet t'i ndërmarrin në pajtim edhe me obligimet që dalin nga e drejta ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare.

Rasti i arrestimit dhe ekstradimit të 6 shtetasve turq kërkon trajtim të vëmendshëm, për shkak të natyrës specifike të këtij rasti, por edhe për shkak të dyshimeve për motivin e anashkalimit të procedurave ligjore të aplikueshme për rastet e ekstradimeve të shtetasve të huaj.

LDK-ja, si gjithmonë, mbetet e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj në drejtim të stabilitetit institucional dhe ruajtjes e kultivimit të frymës pro-perëndimore të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat