Haradinaj: Njohja reciproke me Serbinë jo me ndonjë pazar të ri

Aktuale

Haradinaj: Njohja reciproke me Serbinë jo me ndonjë pazar të ri

Më: 26 mars 2018 Në ora: 14:43
Ramush Haradinaj

Kosova vërtet është e interesuar për paqe, por njohja reciproke me Serbinë nuk mund të bëhet mbi ndonjë pazar të ri.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Koskvës, Ramush Haradinan në tubimin përkujtimor me rastin e 19 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe.

Ai tha se presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i kanë thënë ta çlirojë popullin e vet dhe ta njeh këtë dhimbje se i bënë mirë popullit të tij.

Haradinaj ka thënë se e drejta e Kosovës për liri u arrit edhe me ndihmën e NATO-s, por që arritja se deri në atë ditë shumë u flijuan.

Haradinaj: Paqja mbërrihet duke e respektuar dhimbjen e tjetrit

"Presidentit të Serbisë Z.Vuqiq që po thotë duhet me dhanë diçka për me e njoftë Kosovën i kishim thanë çliroje popullin tënd, mos e mbaj me frikë të kaluarës. Kuptoje tragjedinë e popullit të Kosovës, dhimbjen e këtij populli, kuptoje këto varre e këta njerëz që janë me dhimbje, njihje këtë dhimbje, nderoje këtë dhimbje se i bënë mirë popullit tënd. Duke kërkuar me marrë hala prej Kosovës në emër të njohjes reciproke është gabim, paqja mbërrihet duke e respektuar dhimbjen e tjetrit, duke e respektuar të drejtën e tjetrit. Ne në Kosovë, populli i Kosovës, shqiptarët e Kosovës jemi të interesuar për paqe për jetë, jemi të interesuar kurrë mos me u kthye dhimbja e tragjedia, por, ne nuk dimë çka me dhanë më për të drejtën tonë, për lirinë tonë sesa njerëzit më të dashur që i kemi në tokë e ata që nuk po i gjejmë hale", tha ai.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se është e padrejtë për t'i kërkuar Kosovës në fazën finale për njohje edhe diçka. Ai tha se Kosova e ka respektuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në maksimum dhe se Kosova vërtet është e interesuar për jetë të qetë, stabile dhe paqe.

Haradinaj ka potencuar se njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të bëhet mbi ndonjë pazar të ri.

Haradinaj: Nuk ka çka jep Kosova më shumë

"Në Kosovë respektohen komunitetet, do t’i ruajmë të gjithë që janë njerëz të këtij vendi, edhe serbët e Kosovës, por njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të bëhet më mbi ndonjë pazar të ri, sepse s’ka mbetur më çka. Nga Krusha, iu them të gjithëve, edhe tanëve, edhe fqinjëve, por edhe miqve, ka ardhur koha për t’i mbyllë plagët e së kaluarës në Ballkan, ka ardhur koha me u ndalë retorika, ka ardhur koha me ecë përpara. Nuk ka çka jep Kosova më shumë, sesa guximin me ecë përpara, jo me harru, sepse ai popull që harron i përsëriten, ai popull që ka guxim me ecë përpara, siç kemi pasur ne guxim më 1999 me u kthye në shtëpitë dhe trojet tona, siç kemi pasur guxim me gjithë ato dhimbje për të vazhduar jetën, ashtu siç ka guxim sot Krusha të vazhdojë jetën, ashtu duhet ne si Kosovë me pas guxim me ecë përpara, por jo duke harru", tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se Krusha mbetet simbol i qëndresës në luftën për liri.

Latifi: Janë 64 që ende nuk e dimë se ku janë

"Krusha e madhe dihet sa shumë i dha Kosovës dhe paguajti shumë shtrenjtë çmimin e lirisë. Janë 241 që u vranë, masakruan dhe u dogjën, janë 64 që ende nuk e dimë se ku janë. Ende nuk e dimë ku është as profesor Ukshin Hoti. Krusha i ka në panteonin e pavdekësisë edhe 22 dëshmorë të cilët ia falën jetën atdheut për një ideal. Krusha e madhe mbetet simbol i qëndresës përballë stuhive në luftën për mbijetesë", tha ai.

Ai tha se Krusha e Madhe u dëshmua edhe në vitet e pasluftës së dytë botërore.

Ndërkaq, kryetari i fshatit, Selami Hoti, tha se sikur në çdo përvjetor vijnë për të përkujtuar masakrën më të madhe në Kosovë në të cilën njerëz të pafajshëm u vranë në mënyrë mizore.

Ai kërkojë që në bisedimet me shtetin serb çështja e të pagjeturve të trajtohet si temë e veçantë.

Hoti: Asnjë kriminel serb nuk është dënuar

"Gjithë ky krim dhe çuditërisht asnjë kriminel serb nuk është kapur apo dënuar edhe përkundër dëshmive të shumta. Gjithashtu, Krushës i mungojnë edhe 64 familjarë e që për fatin dhe vendndodhjen e tyre nuk dimë gjë, e nuk ka asnjë të dhënë as për fatin e profesor Ukshin Hotit, andaj edhe këtë herë në emër të familjareve kërkoj që të punohet më shumë në këtë çështje me të gjithë faktorët relevant kombëtar e ndërkombëtar. Në bisedimet me Serbinë të trajtohet si temë e veçante, njëkohësisht kërkoj që të rregullohet ligji për familjarët e kësaj kategorie", tha Hoti.

19 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 241 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat