Kurti në Gllogjan: Dheu i Kosovës nuk falet as nuk shitet

Aktuale

Kurti në Gllogjan: Dheu i Kosovës nuk falet as nuk shitet

Më: 24 mars 2018 Në ora: 13:12
Albini Kurti

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje sot bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan me rastin e 20 vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.

Me këtë rast, kryetari i Lëvizjes, Albini Kurti, kujtoi se më 24 mars të vitit 1999, kishim përfshirjen e NATO-s në luftën çlirimtare të UÇK-së, bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së tretë dhe forcave të Millosheviqit.

“Mirëpo saktësisht një vit para bombardimeve të NATO-s nisi Epopeja e Dukagjinit, nisi kushtrimi i lirisë dhe lufta çlirimtare në Dukagjin. Sot, ne me nderim dhe respekt të thellë kujtojmë burrat, gratë e të rinjtë, pleqtë e fëmijët, që nuk janë më në mesin tonë dhe të cilët na e përkujtojnë se historia nuk kalon”, tha Kurti.

Sipas njoftimit të VV-së, Kurti tutje ka thënë se toka e Kosovës përveçse e ujitur me djersën e bujqve dhe punëtorëve është edhe e larë me gjakun e dëshmorëve.

“Ashtu sikurse dikur që çlirimi nisi prej nesh e nga brenda e më pas u ndihmua prej jashtë e nga të tjerët njësoj edhe sot zhvillimi duhet të fillojë prej nesh e nga brenda që të ndihmohet prej të tjerëve e nga jashtë”, shtoi ai.

“Lavdi gjithë dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit shqiptar! I lehtë ju qoftë dheu i Kosovës e i tokës shqiptare që as nuk falet e as nuk shitet!”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat