(E plotësuar) - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini u takua në Bruksel me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim ky që zgjati më shumë se një orë.
Në takim, është diskutuar në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe për përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.
“Përfaqësuesja e Lartë theksoi rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit / Komunitetit të komunave me shumicë serbe, Marrëveshjen e Energjisë, si dhe të përfundojnë punimet për hapjen e Urës mbi Ibër”, thuhet në njoftimin për media.
Në njoftim bëhet me dije po ashtu se Përfaqësuesja e Lartë “përshëndeti angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kujton se përparimi i të dy vendeve në agjendat e tyre të integrimit në BE është i lidhur fort me progresin në dialog”.
***
Ka filluar në Bruksel takimi trepalësh i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini.
Temat që do të diskutohen janë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë - Beograd dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi fazën e re të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijanqiç, përmes një postimi në Twiter, ku ka publikuar edhe fotot e takimit.
Paraprakisht Mogherini ka takuar ndaras dy presidentët.
***
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sonte me Shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, dhe ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë – Serbi, Federica Mogherini.
“Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Mogherinit.
Paraprakisht Mogherini ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas dy takimeve kokë me kokë, fillon takimi i përbashkët i Mogherinit me dy presidentët.
***
Sapo ka filluar takimi ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Burime thonë se takimi sapo ka filluar, i cili po zhvillohet në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në javët e fundit, presidenti Thaçi ka udhëtuar në qendrat vendimmarrëse për të harmonizuar agjendën e dialogut me partneret strategjik të Kosovës.
Pas takimit, dy presidentët pritet të prononcohen për media.