Mashtrimet nga liderët e Kosovës për vizat

Aktuale

Mashtrimet nga liderët e Kosovës për vizat

Më: 23 mars 2018 Në ora: 16:36
Qeveria dhe Kuvendi

Insistimi i drejtuesve të institucioneve të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi krijonin përshtypjen se ky është kushti i fundit që qytetarët të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ata minimizuan kushtin e dytë, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Edhe pse kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave ishin të qarta dhe të shkruara nga Komisioni Evropian, në propozimin ligjor për liberalizimin e vizave në maj 2016 ku kërkohen ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe përforcimi i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kjo e fundit shumë pak u përmend, madje drejtuesit e institucioneve thanë se demarkacioni është kushti i vetëm.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, më 23 nëntor 2015, ishte i bindur se në vitin 2016 qytetarët e vendit do të udhëtonin pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian, duke qenë se Kosova është vendi i fundit në rajon që nuk gëzon lirinë e lëvizjes drejt zonës Shengen.

“Në të gjitha takimet është konstatuar, se ne i kemi përmbush kriteret që janë caktuar nga ne, i kemi njoftuar se edhe disa rekomandime të fundit që kërkohen nga ne do t’i përmbushim brenda dy jave dhe ne presim që raporti të jetë pozitiv në fund të këtij viti për këtë  dhe po ashtu jemi të sigurt që në vitin 2016, qytetarët tanë do të udhëtojnë pa viza“, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, më 26 dhjetor të vitit 2015, pati paralajmëruar se nëse nuk u lejohet qytetarëve të Kosovës të lëvizin të lirë në shtetet e Shengenit, atëherë as ai dhe as kabineti i tij nuk do të udhëtojnë jashtë vendit, në formë solidarizimi me qytetarët, por pavarësisht kësaj, ata vazhduan vizitat gjatë gjithë qeverisjes së tij.

“Jam shumë i bindur se nuk ka asnjë arsye Bashkimi Evropian që në fillim të vitit të ardhshëm të mos caktojë datën për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Presidenti  Hashim Thaçi, pas betimit në Kuvendin e Kosovës më 7 prill të vitit 2016, tha se në ditët në vijim do të bëhej liberalizimi i vizave.

“Në ditët në vijim presim rekomandimin për liberalizimin e vizave, ku qytetarët e Kosovës, si gjithë evropianët do të lëvizin lirshëm“, pat deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj më 4 nëntor 2017, tha se deri në fund të atij viti presin lajme të mira për liberalizimin.

“Mbaj shpresë shumë që deri në fund të vitit të kemi edhe lajme sa i përket liberalizimit të vizave”, tha ai.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha më 9 nëntor 2017, ka ripërsëritur se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, përveç njërit – ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Hoxha, që ka dorëzuar një raport te Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova, ka deklaruar se janë munduar që përmes raportit të prezantojnë punën e tyre dhe plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave.

Kurse, më 16 shkurt të vitit 2018, pas deklaratës së përbashkët me presidentin e Malit të Zi,  presidenti Thaçi doli në një konferencë për media, ku tha se me ratifikimin e demarkacionit, definitivisht, mund të ndodhë liberalizimi i vizave.

“Tash me ratifikimin e demarkacionit, definitivisht, qytetarët e Kosovës do të mund të ndodhë liberalizimi i vizave dhe të lëvizin lirshëm në tërë Bashkimin Evropian“, tha ai.

Po në të njëjtën ditë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, pati bërë thirrje për votimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që t’u hapet rruga e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Mendoj që është koha e fundit që Kuvendi i Kosovës ta votojë marrëveshjen pas arritjes së kësaj deklarate të përbashkët, që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza drejt Evropës”, tha ai.

Presidenti Thaçi ishte i bindur edhe më 28 shkurt të vitit 2018, kur presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ishte për vizitë në Prishtinë, se votimi i demarkacionit do t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës.

“Jam i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në ditët e ardhshme, dhe në momentin që kjo të ndodhë, unë jam i bindur se presidenti Juncker, të gjithë bartësit e institucioneve tjera në Bashkimin Evropian, do të bëjnë punën e tyre, do t’i marrin vendimet e tyre dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës“, tha ai.

Por ndryshe nga kreu i shtetit për liberalizimin e vizave, u shpreh zyrtari i lartë evropian, i cili për herë të parë ishte për vizitë në Kosovë. Juncker, përveç demarkacionit, përmendi edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin.

“Kosovarët do të gjejnë kështu një të ardhme më të sigurt në Evropë. Është esenciale që Kuvendi i juaj të votojë së shpejti demarkacionin e kufirit të përbashkët me Malin e Zi. Është një hap kyç, i pashmangshëm, i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave, ku bashkëqytetarët tuaj shqiptarë e serbë do të jenë përfituesit e pare…Ata janë qytetarë si të tjerët dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta, me kusht që demarkacioni të zgjidhet. Gjithashtu, të arrihen edhe hapa konkretë në luftën kundër trafiqeve, në luftën kudër korrupsionit”, ka thënë ai.

Një ditë pas votimit të marrëveshjes, filluan edhe deklaratat për kushtin tjetër - luftën kundër korrupsionit.  Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se pas përmbylljes së temës më të përfolur gjatë tri viteve të fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, demarkacionit me Malin e Zi, përgjegjësia për lëvizjen e lirë të qytetarëve kryesisht bie mbi institucionet e sistemit të drejtësisë.

Ai tha se Republika e Kosovës do të shkëputet përfundimisht nga perceptimet e mos efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe çdo obligim institucional që ka adresë, nuk do të arsyetohet.

Kurse, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në një konferencë për media është shprehur optimiste se plotësimi i këtij kriteri, i cili ka qenë kyç për këtë proces, do të bëjë që këtë vit qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Duke folur për kriterin tjetër, Hoxha ka përmendur raste konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që sipas saj, e përbëjnë këtë si kriter të përmbushur.

Hoxha: Kriterin për luftën korrupsionit e kemi përmbushur

“Në kuadër të ekipit të përbashkët për luftimin e krimeve serioze, respektivisht udhëheqjen e Prokurorisë Speciale: Janë shenjëzuar 39 raste, janë ngritur 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallët e ndryshme të shqyrtimit gjyqësor, 7 raste janë përmbyll në formë të vendimit të prerë. Vlerësimi i jonë është që për qëllime të liberalizimit të vizave, kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i përmbushur”, u shpreh Hoxha.

Por, ndryshe tha ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. Ai theksoi dje se sa i përket liberalizimit të vizave ka ende punë për t’u bërë.

Heldt: Sa i përket liberalizimit të vizave, ka ende punë për t’u bërë

“Sa i përket liberalizimit të vizave ka ende punë për t’u bërë. Por, kemi bërë hapa të mëdhenj përpara në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Në qershor 2012, Kosova ka pranuar 94 kritere në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Deri më tash nga këto kritere pa u përmbushur ka mbetur vetëm lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por kjo gjë ishte përmendur shumë rrallë, duke vënë theksin vazhdimisht në aprovimin e marrëveshjes së demarkacionit, i cili mori fund më 21 mars, duke u votuar me 80 vota për dhe 11 kundër në Kuvend.

Përndryshe, më 17 prill Komisioni Evropian publikon do të publikojë "paketën e zgjerimit". Kurse, për ta përmbushur kriterin e vetëm, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosovës i mbeten edhe tri afate, qershori, shtatori dhe dhjetori, muaj këta ku Këshilli Evropian takohet në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat