Bytyçi: Kemi ndërprerë kontratat për dy projekte të papërfunduara

Aktuale

Bytyçi: Kemi ndërprerë kontratat për dy projekte të papërfunduara

Më: 23 mars 2018 Në ora: 16:03
?Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

?Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar për raportin e auditimit financiar të vitit 2016, ku edhe janë dhënë disa rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Mbledhja nisi me përfaqësuesin e Auditorit të Përgjithshëm, Bujar Bajraktari, i cili duke paraqitur të gjeturat financiare të vitit 2016, në MASHT ka thënë se rreth 13 milionë euro është vlera e shkollave, të cilat ministria i ka ndërtuar nëpër komuna dhe të cilat figurojnë si pasuri të ministrisë, derisa mbi 9 milionë euro ishin mjet të paguara për libra shkollor .

Bajraktari: Ekzistojnë disa dobësi të qeverisjes

“Kemi konsideruar se ekzistojnë disa dobësi të qeverisjes, veçanërisht në lidhje me mos zbatimin e plotë të rekomandimeve nga vitet paraprake, ka mungesë të angazhimit në plotësimin e angazhimit të pozitave kyçe që mbahen me ushtrues detyre dhe ka ndikim të ultë të auditimit të brendshëm. Sa i përket menaxhimit financiar dhe kontrolleve, auditimi kishte identifikuar dobësi në planifikimin dhe realizimin e buxhetit, tek shpenzimet, menaxhimi i mjeteve kapitale, te menaxhimi i pasurive dhe stoqeve“, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti tha se komisioni ka shqyrtuar raportin e auditorit dhe lexoi disa rekomandime për MASht-in.

Hoti: Këto janë rekomandimet e komisionit

“MAShT duhet të hartoj planin e veprimit për të gjeturat e auditorit, duke caktuar personat përgjegjës dhe afatet për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e auditorit të jashtëm për vitin 2016, dhe për këto brenda një muaji ta njoftoj komisionin aktual. MASHT duhet të sigurohet se kompensimi i pagave dhe mëditjeve në sektorin publik rregullohet edhe me rregullore të brendshme të universiteteve për të ardhurat personale. .....MAShT duhet të sigurohet se cilat janë stoqet e librave, para se të bëhet kërkesa për librat e reja dhe ministri duhet të sigurohet në mënyrë të saktë se po bëhet evidentimi i pasurive dhe jokapitale“, tha Hoti.

Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyçi ka thënë se tanimë një numër i madh i rekomandimeve janë plotësuar, por pati opinion për rekomandimin e pa plotësuar, ku është kërkuar kompani për përcjelljen e projekteve, duke thënë se ende mendojnë se nuk ka nevojë për shkak se është një kosto shtesë për ministrinë. Ndërsa, sa i përket auditorit të brendshëm, ai tha se kanë staf të vogël, i cili duhet të rritet.

Bytyçi: Rekomandimet do të plotësohen

“Lidhur me dy projektet e filluar që nga viti 2009 dhe të pa përfunduara, edhe kjo ka qenë një gjetje dhe rekomandim ku në fakt ne në momentin që e kemi marrë detyrën, këto kontrata i kemi ndërprerë, tani jemi duke e parë se si duhet të veprojmë pas ndërprerjes së këtyre kontratave. Proceset tjera që janë në vazhdim, rekomandimet që janë 9 në vazhdim, konsideroj që në një kohë afat shkurtër do të plotësohen.  Lidhur me shqetësimin e mbi vlerësimit të pasurisë, e cila ka qenë shqetësimi kryesor, tanimë veç është rregulluar, ne e kemi dërguar listën e plotë të pasurisë në Ministrisë së Financave që këto të eliminohen dhe mos jenë më në pasqyrat financiare të MASHT“, tha ai.

Komisioni ka votuar projektligjin për kontrollin e brendshëm për financat publike, ku edhe i dërgohet seancës për në lexim të dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat