Soltes: Qytetarët e Kosovës janë shumë afër liberalizimit të vizave

Aktuale

Soltes: Qytetarët e Kosovës janë shumë afër liberalizimit të vizave

Më: 23 mars 2018 Në ora: 14:19
Igor Soltes

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ka shprehur edhe njëherë bindjet e tij se pas ratifikimit të Demarkacionit, Kosova është më afër se kurrë liberalizimit të vizave.

“Pas ratifikimit të Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, qytetarët e Kosovës janë shumë afër që të fitojnë liberalizimin e vizave dhe të lëvizin lirshëm nëpër Evropë”,  deklaroi Soltes.

Ai shtoi se përkundër kësaj, Kosovën e presin edhe sfida të tjera të vështira në raport me luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Mbetet të shihet se cilat janë përparimet dhe niveli i reformave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është ndër pikat kryesore për demokracinë dhe stabilitetin e shoqërisë”, deklaroi Soltes.

Soltes foli edhe për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ku deklaroi se Serbia dhe Kosova kanë pritje dhe interesa të ndryshme në këtë dialog.

“Është bashkësia ndërkombëtare dhe BE-ja të cilat kanë kërkesat e tyre, mirëpo aty janë edhe sistemet ligjore të të dy shteteve të cilat mund të paraqesin pengesë për arritjen e këtyre marrëveshjeve”, deklaroi ai.

Ai potencoi po ashtu se është shumë e rëndësishme që para paraqitjes dhe arritjes së marrëveshjeve juridikisht obliguese mes dy vendeve, të rishiqohet dhe monitorohet sistemi kushtetues i të dy vendeve të përfshira në këto marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat