Haxhiu: Kemi argumente të mjaftueshme që Kushtetuesja ta hedh poshtë demarkacionin

Aktuale

Haxhiu: Kemi argumente të mjaftueshme që Kushtetuesja ta hedh poshtë demarkacionin

Më: 23 mars 2018 Në ora: 13:55
Albulena Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje, ka vendosur që mos të dorëzohet dhe pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Ata për këtë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja e kësaj Lëvizja Albulena Haxhiu  ka thënë se ata tashmë janë në përgatitje të  lëndës, për ta dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese,  pasi që kanë argumente të mjaftueshme që me këtë marrëveshje, është cenuar integritetit territorial i vendit.

Haxhiu: Kemi argumente të mjaftueshme

“Menjëherë pas ratifikimit të këtij Projektligji në Kuvendin e Kosovës, ne si grup parlamentar kemi diskutuar lidhur me hapat që do t’i ndërmarrim tutje dhe kemi rënë dakord, që këtë projektligj ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Afati kohor për dërgimin e kësaj  çështje në Gjykatën Kushtetuese,  është tetë ditë dhe ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Qysh dje në mëngjes kemi nisur me punën tonë, në aspektin juridik kushtetues. Kemi argumente të mjaftueshme,  për shkak se është cenuar integriteti territorial, njëra prej elementeve kryesore të shtetit që është territori. Po ashtu ka pasur dhe shumë shkelje të tjera, të cilat natyrisht do t’ arsyetojmë në lëndën tonë që do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Megjithëse thotë se nuk kanë përvoja të mira me Gjykatën Kushtetuese, Haxhiu  pret që kësaj radhe Kushtetuesja të mos pranojë ndikimet që mund t’i bëhen, ashtu siç ka bërë dhe në shumë raste të tjera. 

Sipas saj Gjykata Kushtetuese duhet ta hedh poshtë këtë marrëveshje, për shkak se siç thotë Haxhiu,  cenon rëndë integritetin territorial.

Haxhiu: Pres që Gjykata kësaj radhe Gjykata të mos ndikohet për këtë rast

“Ne nuk kemi përvoja të mira sa i përket vendimeve apo aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Po e them këtë për faktin se ka shumë lëndë, apo konteste që i kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese sa i përket dhe çështjes së Gjykatës speciale, marrëveshjes së prillit. Ligjit për Amnisti por dhe çështje të tjera, ku gjykata për shkak të presioneve,  sepse ishin tema që prodhonin presione nga vendoret, nga ndërkombëtarët dhe gjykata kushtetuese ka qenë njëra prej institucioneve që është ndikuar jashtëzakonisht shumë nga këto presione dhe në të shumtën e herëve ose ka hequr dorë nga trajtimi i lëndës, sidomos kur në krye të kësaj gjykate kushtetuese ka qenë z. Hasani dhe nuk i ka trajtuar me seriozitet lëndët që i kemi proceduar ne në Gjykatën kushtetuese.... Megjithatë sa i përket kësaj, unë nuk dua të paragjykoj qysh sot. Lëndën të cilën do ta përgatisim do të jetë jashtëzakonisht shumë profesionale, e bazuar dhe e faktuar me kushtetutë dhe dokumente tjera,  që i kemi dhe që lidhen me të. Natyrisht që unë pres që Gjykata kushtetuese të reflektoj dhe të veproj në përputhje me kushtetutën dhe mos të pranoj ndikime, që mund t’i vijnë gjatë trajtimit të këtij rasti”, tha ajo.

E teksa flet për seancën e mbajtur ditë më parë, ku u ratifikua kjo marrëveshje, Haxhiu thotë se iu pamundësua që ta pengonin ratifikimin e demarkacionit,  pasi që ua arrestuan shtatë deputetë..

E duke i komentuar deklaratat e ambasadorit të SHBA-ve Greg Delaëie, i cili ishte i ashpër me VV, e cila atë ditë përdori gaz lotsjellës në Seancë,  Haxhiu thekson se qasja e ambasadorëve shpesh mund të jetë problematike, pasi që duket si ndikuese në deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe se kësaj duhet t’i vie fundi.

Haxhiu: S’jemi ne përfaqësues të ambasadorëve

“Unë jam e bindur që këta e dinë që Kosova ka humbur territor. Por ne këtu nuk jemi përfaqësues të ambasadorëve. Jemi përfaqësues të qytetarëve të republikës së Kosovës. Jemi shtet demokratik. Qasja a e ambasadorëve shpesh mund të jetë goxha problematike. Sepse duket si ndikuese në punën e deputetëve të kuvendit të Kosovës. Disi po duket që kuvendi i republikës së Kosovës, po funksionin me dy dhoma. Njëra dhomë e ambasadorëve, njëra dhomë e deputetëve. Besoj që ka ardhur koha,  kur këto gjëra duhet të ndërpriten. Ne  kemi jashtëzakonisht respekt, për kontributin që kanë dhënë shtetet e ndryshme përfshirë dhe SHBA-të për Kosovën. Por besoj që ka ardhur koha që të vendosim vet për vetveten dhe natyrisht që t’i mbajmë miqtë tanë. Mirëpo të respektojnë së pari mandatin e tyre që e kanë në Kosovë”, tha ai.

Haxhiu thekson se ka qenë jashtëzakonisht e shqetësuar, me sjelljen e ish kolegëve të tyre, të cilët tashmë veprojnë si Grup i Pavarur i Deputetëve, për të cilët thotë se me veprimet e tyre kanë bërë dëm.

Ajo madje nuk pranon se Vetëvendosje është ndarë duke thënë se ka pasur vetëm dorëheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat