BE: Mbetet edhe një kusht për liberalizimin e vizave, ja cili është

Aktuale

BE: Mbetet edhe një kusht për liberalizimin e vizave, ja cili është

Më: 22 mars 2018 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

Shefi i zyrës së BE-së, përfaqësuesi special i BE-së dhe shefat e misioneve të BE-së kanë reaguar përmes një komunikate të përbashkët për miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Këto misione kanë përgëzuar deputetët për votimin, dhe gjithashtu kanë shprehur keqardhje për hedhjen e gazit lotsjellës brenda ambienteve të Kuvendit.

Këtu bëhet e qartë se pas miratimit të Demarkacionit, Kosova ka për të përmbushur edhe një kriter për liberalizimin e vizave, që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Miratimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës paraqet një moment historik për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ratifikimi është një shembull konkret i përkushtimit të Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ky ratifikim gjithashtu nënkupton se është plotësuar njëri nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave”, thuhet në komunikatë.

Misionet e lartcekura kanë përgëzuar deputetët e Kosovës që kanë mundësuar këtë hap drejt liberalizimit të vizave, duke shtuar se edhe pse procesi ishte i gjatë, megjithatë përfundimi është në të mirën e qytetarëve të Kosovës.

“Ne shpresojmë dhe presim që ky bashkëpunim ndërpartiak me rastin e miratimit të marrëveshjes së Demarkacionit është një shenjë për gjërat e rëndësishme që pritet të vinë për Kosovën. Vëmendja duhet të përqendrohet tani në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për ta përmbushur kriterin e mbetur për liberalizimin e vizave dhe për ta përkrahur dhe avancuar perspektivën evropiane të Kosovës”, thuhet në pjesën e fundit të kësaj komunikate, përcjell KosovaPress.

“Sidoqoftë, me keqardhje pamë që diskutimi në Kuvend u pengua nga përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërprerë procedurat duke lëshuar gaz lotsjellës. Ne, i dënojmë me forcë të gjitha aktet e dhunës kundër ligjvënësve të Kosovës; praktika të tilla nuk kanë vend në diskursin politik”, thuhet në këtë reagim duke komentuar edhe hedhjen e gazit lotsjellës nga deputetët e Vetëvendosjes gjatë ditës së djeshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat