Pse ndryshoi mendje Donika Kadaj-Bujupi për Demarkacionin?

Aktuale

Pse ndryshoi mendje Donika Kadaj-Bujupi për Demarkacionin?

Më: 22 mars 2018 Në ora: 00:36
Donika Kadaj-Bujupi

Donika Kadaj-Bujupi nuk thotë se vetëm ka sakrifikuar për qytetarët e Kosovës kur votoi për kalimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

Ajo shprehet se prapa vendimit të saj për të votuar demarkacionin qëndrojnë edhe dy arsye të tjera: Raporti i Bulliqit dhe marrëveshja mes presidentëve.

“Raporti Bulliqi dhe marrëveshja e arritur megjithatë lënë hapësirë për përmirësimin e marrëveshjes së 2015-tës”, ka thënë Kadaj-Bujupi në një përgjigje për Insajderin, teksa ka shpjeguar arsyet pse ndërroi qëndrimin lidhur me demarkacionin.

Ajo nuk e harron të kaluarën me Vetëvendosjen, por sheh nga e ardhmja.

 “Edhe pse përgjatë tri viteve të fundit jam arrestuar dhjetra herë e kam dhjetra aktakuza, nevojat e mësiperme të popullit të Kosovës e veçanërisht mundësia e përmirësimit të gabimeve eventuale të marrëveshjes së re legjitimojnë këtë mundësi të re për zgjidhjen e problemeve që po e mbajnë peng me vite Kosovën”.

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje kishte kundërshtuar për tri vite me radhë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Sërdan Darmanoviq në vitin 2015.

Madje, tashmë deputetja e AAK-së, gjatë tri viteve të kaluara kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar këtë marrëveshje.

Për këtë i ishte shqiptuar edhe një dënim nga Gjykata Themelore e Prishtinës,

Por, Kadaj-Bujupi shprehet se “sot është një moment i ri”, e sipas saj, nuk është më koha për të përdorur gazin lotsjellës.

“Në retrospektivë, kemi parë se gazi asokohe e ka ndaluar marrëveshjen e dëmshme të demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Sot, jemi në një moment të ri”.

“Kosova sot ballafaqohet me probleme të shumta e shumë bazike”,  ka deklaruar ajo.

Pas tre vitesh bllokim në çështjen e kufirit me Malin e Zi, Kadaj-Bujupi thotë se ka ardhur koha që institucionet shtetërore të fokusohen në çështje të tjera; çështje të cilat prekin direkt jetët e qytetarëve.

“Tani që u ratifikua, megjithatë kemi hapësirë të vazhdojmë të merremi me temat të cilat prekin dhe kanë efekt të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve, pra në shëndetësi, arsim e punësim”.

Pas miratimit të Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi, Kadaj-Bujupi komentoi edhe përparësitë që sjell liberalizimi i mundshëm i vizave për Kosovën, që kishte si kriter kryesor demarkacionin.

“Sportistët e studentët tanë edhe pse për nga cilësia e kapaciteti mund të konkurojnë me ata ndërkombëtarë, penalizohen prej pjesëmarrjes në evente të ndryshme për shkak të izolimit me të cilin vendi jonë përballet padrejtësisht”.

Donika Kadaj-Bujupi u largua nga Lëvizja Vetëvendosje javën e kaluar, pas përcarjes së kësaj partie në dy grupe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat