Deputeti i Vetëvendosjes rrëfen metodat se si e fusin gazin lotsjellës në Kuvend

Aktuale

Deputeti i Vetëvendosjes rrëfen metodat se si e fusin gazin lotsjellës në Kuvend

Më: 21 mars 2018 Në ora: 16:40
Gazi në Kuvend

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte i pari që e solli praktikën e gazit lotsjellës në Kuvend. Kjo u pasua edhe nga disa deputetë të kësaj partie, dhe të partive tjera që asokohe ishin në opozitë.

Kjo praktikë vazhdon të ndiqet edhe tash nga Lëvizja Vetëvendosje. Seanca e sotme për Demarkacionin e ka treguar se veprimet e tyre janë të njëjta, pavarësisht deklaratave të tyre se këtë marrëveshje do ta kundërshtojnë me mjete demokratike.

Por si u fut gazi lotsjellës në Kuvend?

Një rrëfim për Gazetën Insajderi në kushte anonimiteti të njërit prej deputetëve të Vetëvendosjes, nxjerr në pah metodat që janë përdorur për ta futur gazin lotsjellës brenda Kuvendit, apo edhe brenda sallës së Kuvendit.

Sipas deputetit, pothuajse në të gjitha rastet gratë deputete të opozitës asokohe e kanë futur gazin lotsjellës.

“Fshehja e gazit bëhej në pjesë të ndjeshme të trupit”, rrëfen deputeti.

Pasi Kuvendi mori masa për kontroll të rreptë, atëherë u komplikua futja e gazit lotsjellës. U desh të mendohej për metoda të reja.

“Metoda tjetër ishte që gazi lotsjellës futej në këpucë që kishin hekur, konkretisht në thembër. Kalimi përmes skanerit të kontrollimit, linte përshtypjen se këpucët me hekur e ndiznin sinjalin”, ka vazhduar rrëfimin deputeti.

Natyrisht, sigurimi nuk kontrollonte deri në ato detaje, dhe kështu gazi lotsjellës futej në Kuvend.

Gjithashtu, sipas këtij deputeti, edhe sasia e fundit e gazit lotsjellës është futur në këtë mënyrë, duke shtuar se kësaj here është futur sasi gazi sa të gjitha herët e tjera.

Metoda e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ka prolonguar për tri vjet procesin e ratifikimit të Demarkacionit.

Madje ka bërë që shumë deputetë të opozitës të arrestohen dhe të paraburgosen, ndaj të cilëve edhe janë ngritur aktakuza dhe janë zhvilluar procese gjyqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat