Bytyqi: Kosova këtë herë do të jetë shembull në testin Pisa

Aktuale

Bytyqi: Kosova këtë herë do të jetë shembull në testin Pisa

Më: 21 mars 2018 Në ora: 11:01
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi,

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë lansimin e fushatës për pjesëmarrjen e Kosovës në Testin Pisa.

Me këtë rast, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se janë duke e bërë një fushatë shumë të gjerë me lidhje me arsimin në Kosovë, e cila ka për qëllim që të gjithë të fillojnë të mendojnë për të pasur një arsim më të mirë.

“Arsimi të jetë prioritet i qeverisë së Kosovës dhe Kosova ka nevojë që të ketë një arsim shumë më të mirë”, tha ai.

Bytyqi tha se është një mobilizim i përgjithshëm dhe se Kosova këtë herë do të jetë shembull në testin Pisa.

“Nuk ka shkollë në Kosovë sot që nuk flitet për Pisa dhe kjo është e rëndësishme që e kemi arritur. Megjithatë, nuk do të thotë kjo që kemi bërë mrekulli, por vetëm e kemi shtuar përgjegjësinë. Puna jonë nuk do të ndalet. Ky është vetëm fillimi i punës që do të bëjmë”, tha ai.

Përfaqësuesi nga GIZ, Ruben Faller, ka bërë një krahasim në mes të PISA dhe sistemit arsimor në Kosovë. Ai tha se në këtë kontekst Pisa ka treguar qartë se Kosova përballet me probleme në arsim.

Kryesues i Komisionit për Pisa, Skender Susuri, shprehu besimin se këtë vit Kosova do të ketë një renditje më të mirë në testin Pisa se sa në vitin 2015.

"Hapi i parë që kemi bërë ka qenë hartimi i një udhëzimi administrativ ku janë caktuar detyrat e gjithsecilit. Më pas kemi dal në terren për të parë gjendjen, ku në këto takime kemi diskutuar me koordinatorët e shkollave. Shqetësuese është tendenca e disave që po quhen ekspertë që po pretendojnë se komisioni po përgatit nxënësit për testin Pisa. Jemi duke i respektuar të gjitha standardet. Përgatitja e nxënësve me pyetje që kanë qenë më herët nuk përbën asnjë shkelje", tha ai.

Në testin Pisa do të marrin pjesë 211 shkolla në gjithë Kosovën, me 5 mijë e 330 nxënës. Komuniteti serb është tërhequr. Testi fillon nga 11 prill deri më 5 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat