Veseli pas takimit me Apostolovën: Sot përfundon drama e demarkacionit

Aktuale

Veseli pas takimit me Apostolovën: Sot përfundon drama e demarkacionit

Më: 21 mars 2018 Në ora: 08:58
Kadri Veseli dhe Nataliya Apostolova

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas takimit me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë të akredituar në Kosovë dhe shefen e BE-së, Natalyia Apostolova, u shpreh i bindur se marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi do të ratifikohet sot, derisa vlerësoi se kështu do t’i vijë fundi dramës trevjeçare.

Ai tha se takimi i sotëm është konfirmim se BE-ja ka agjendë të qartë për Kosovën si dhe përçon mesazhin se BE është me Kosovën. Teksa theksoi se kanë siguruar partnerët evropianë se institucionet e Kosovës do të punojnë fuqishëm në agjendën e integrimit euroatlantik.

Veseli: Ka ardhur momenti që ta përfundojmë këtë dramë

“Tre vjet së bashku kemi përjetuar ato që ndoshta nuk do të duhej t’i përjetonim bashkërisht. Ka ardhur momenti që ta përfundojmë këtë dramë. Kjo dramë do të përfundojë ditën e sotshme. Në ora 11 do ta votojmë marrëveshjen për shënimin e kufirit, e cila do të thotë forcim i sovranitetit, forcim partneriteti me BE-në, liberalizim i vizave, hapje e perspektivës, qytetarëve tanë drejt integrimit të BE-së. Nuk do të lejojmë që për ego të askujt, që ky mund i yni, kjo sakrificë e qytetarëve tanë të shkojë kot”, tha ai.

Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se sot është ditë e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi ka gjasë që të zgjidhet çështja e demarkacionit.

Teksa ka përsëritur thirrjen e saj që të votohet demarkacioni, në mënyrë që qytetarët të mos mbahen peng drejt rrugës së integrimit në BE.

Apostolova: Thërras politikanët që të mos i mbajnë qytetarët e tyre të izoluar

"Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën, për rininë dhe qytetarët e Kosovës ku një çështje, e cila ka vazhduar për një kohë të gjatë ka gjasë të përfundohet, pra është marrëveshja për demarkacionin. Kjo është një nga dy kriteret dhe u bëj thirrje parlamentarëve dhe partive politike të Kosovës të marrin përgjegjësinë e tyre dhe të votojnë marrëveshjen për demarkacionin pasi që kjo është marrëveshja e parë ndërkombëtare që Kosova duhet ta ratifikojë në mënyrë që të tregohet partner i besueshëm dhe u bëj thirrje politikanëve qe  që të mos i mbajnë rininë dhe qytetarët e Kosovës të izoluar drejt rrugës së integrimit në BE", tha ajo.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se në takimin e sotëm kanë biseduar në detaje se cila do të jetë puna e asamblesë për javën dhe muajin tjetër në kohën kur do të publikohet raporti për Kosovën.

Kuvendi u mblodh dje në një seancë të jashtëzakonshme, në tentativën e katërt për të ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa pas rreth nëntë orë debati parlamentar, ku pothuajse të gjithë deputetët e Kuvendit shprehen mendimet e tyre rreth kësaj teme, ajo u shty për sot, kur pritet të iniciohet procedura e votimit.

***

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas një takimi me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova theksoi se ka ardhur momenti që të përfundohet drama, duke u votuar demarkacioni në orën 11.00.

Veseli u shpreh se i sigurojnë partnerët evropianë që institucionet e Kosovës do të punojnë fuqishëm në rrugën drejt integrimit në BE.

"Kemi sakrifikuar shumë si vend, nuk do të lejojmë që për ego të askujt ky mund i joni të shkojë huq. Sot do ta përfundojmë ratifikimin e kufirit me shtetin mik, Malin e Zi", tha ai.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se sot është ditë e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi ka gjasë që të zgjidhet çështja e demarkacionit.

"Sot është ditë e rëndësishme për Kosovën ku një ngjarje, e cila që një kohë të gjatë ka gjasë të përfundohet, pra është marrëveshja për demarkacionin. Kjo është një nga dy kriteret dhe thërras politikanët që të mos i mbajnë qytetarët e tyre të izoluar drejt integrimit në BE", tha ajo.

Apostolova tha se kanë biseduar në detaje se cila do të jetë puna e asamblesë për javën dhe muajin tjetër në kohën kur do të publikohet raporti për Kosovën.

***

Pas debatit maratonik që zgjati deri në mesnatë në Kuvendin e Kosovës, sot në orën 11, pritet të votohet për demarkacionin me Malin e Zi.

Në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, do të mblidhen ambasadorët e vendeve të Quintit, bashkë me shefen e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova.

“Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pret sot në takim ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës.

Seanca për votimin e demarkacionit do të fillojë sot në ora 11:00.

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar në takim të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë të akredituar në Kosovë si dhe shefen e BE-së, Natalyia Apostolova, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend.

Në takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, kryeparlamentari Kadri Veseli pritet të diskutoj për çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit, të lëvizin shpejt me vendime për tu mundësiar qytetarëve të Kosovës lëvizjen pa viza.

Takimi mes Veselit dhe ambasadorëve evropianë do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit C301.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat