Kurti: Haradinaj po han me dy lugë, ne të mbrojmë, nëse nuk doni të falni tokë

Aktuale

Kurti: Haradinaj po han me dy lugë, ne të mbrojmë, nëse nuk doni të falni tokë

Më: 20 mars 2018 Në ora: 18:29
Kryetari i VV-së Albin Kurti

(E plotësuar) - Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, tha se demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi nuk mund të quhet demarkacion, por kufi i ri.

Sipas tij, me logjikën e Murat Mehës Kosova nuk ka kufi fare dhe ajo duhet t’i përcaktojë ata në bazë të librave kadastralë.

Kurti: Demarkacioni i Thaçit e tash i Haradinajt nuk është demarkacion por kufi i ri

“Demarkacioni i Murat Mehës dhe Thaçit, Hysenit dhe Mustafës, dhe tash i Haradinajt, nuk është demarkacion por kufi i ri. Me logjikën e Mehës, Kosova nuk ka kufi fare dhe ajo duhet t’i përcaktojë ata në bazë të librave kadastral, me ç’rast ne e marrim barrën e provës. Aty ku nuk kemi ne mbulesë kadastrale toka i takon palës tjetër pavarësisht nëse ata kanë dëshmi apo jo... Me këtë lloj deliminimi që quhet demarkacion po bëhet një precedent i rrezikshëm për Kosovën anembanë”, tha ai.

Ai ka krahasuar qeverisjen e kryeministrit Ramush Haradinaj me atë të Isa Mustafës, ku ka akuzuar Haradinajn, për të cilin tha se njëjtë si paraardhësi i tij po përpiqet të hajë me dy lugë, duke treguar se është më shumë i uritur se sa i zemëruar.

Kurti: Haradinaj po përpiqet të hajë me dy lugë

“E mbani mend qysh Isa Mustafa vetëm që të mos ketë zgjedhje të reja i mbështeti të gjitha vendimet e këqija të Thaçit. Më shumë se sa vet thaçi, Mustafa e bëri Thaçin president, e bëri Veselin kryeparlamentar, e mori barrën e Zajednicës dhe demarkacionit. Njëtjë edhe Ramush Haradinaj. Ngjashëm Haradinaj po përpiqet të hajë me dy lugë. Edhe me Mehën edhe me Bulliqin. Po del se është më shumë i uritur se sa i zemëruar. Dhe për postin e kryeministrit po e merr barrën që nuk i takon e për të cilën nuk ka faj. Nuk ka ndryshuar demarkacioni i Mehës, por ka ndryshuar AAK e NISMA. Nuk bëhet fjalë për korrigjim të kufirit në drejtim të Çakorrit e Zhlebit, por devijim të  qëndrimit të Haradinajt në drejtim të Murat Mehës”, tha ai.

Kurti ka rekomanduar zbatimin e pesë pikave përmes së cilave do të duhej të zgjidhej çështja e demarkacionit. E sipas tij, butësia që po tregon Mali i Zi duhet të shfrytëzohet për një gjë të tillë, gjegjësisht për bisedime të reja rreth kësaj çështje.

Kurti: Ne propozojmë debat parlamentar për raportin e komisionit Bulliqi.

“Përfundimisht ne propozojmë debat parlamentar për raportin e komisionit Bulliqi. Deklaratë e Kuvendit për fqinjësi të mirë dhe kërkesë për rishqyrtim të marrëveshjes. Tre, përmes kontakteve të drejtpërdrejta diplomatike t’i kumtohet mospajtueshmëria Malit të Zi me metodologjinë e përcaktimit të kufirit dhe nisja e një iniciative të re për një proces të ri të demarkimit. Katër, hetim parlamentar për këtë marrëveshje, rolin dhe përgjegjësinë e faktorëve të involvuar në këtë proces. Pesë, konferencë ndërkombëtare lidhur me procesin e përkufizimit, delimitimit dhe shënjimit të demarkacionit të kufirit në Kosovë, rajon dhe më gjerë si  rast si për shpalosjen e gjithë të vërtetës”, u shpreh Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat