Haradinaj në gjumë, dështon ta përmbyllë dramën e Demarkacionit

Aktuale

Haradinaj në gjumë, dështon ta përmbyllë dramën e Demarkacionit

Nga Më 20 mars 2018 Në ora: 16:28

(E plotësuar) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një debati 8 orësh, kanë vendosur që sot, duke filluar nga ora 11:00 të votohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Ratifikimi i marrëveshjes kërkon së paku 80 vota.

PDK dhe LDK pajtohen që të mërkurën të votohet demarkacioni, VV kundër

73 deputetë të Kuvendit të Kosovës janë në sallë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli po kërkon nga shefat e grupeve a janë që votimi të ndodh të mërkuren në orën 10:00.

Shefi i GP të LDK Avdullah Hoti pajtohet për këtë e edhe shefi i GP të PDK-së Memli Krasniqi.

Ndërsa Glauk Konjufca tha se kjo është shkelje e procedurës sepse një seancë tjetër është caktuar për nesër ku pritet të votohen rekomandimet lidhur me vrasjen e Astrit Deharit.

Haradinajt i dhurohen edhe dokumente tjera

Ramush Haradinaj ka marr sot dhjetëra dosje të kuqe me nënshkrime të qytetarëve që kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi.

“Bibliotekës” së Haradinajt iu kanë shtuar edhe dy libra të trashë ku janë dokumente të komunës së Pejës e që sipas deputetit Kujtim Shala kufiri me Malin e Zi është vendosur në vitin 1930.

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, iu ka drejtuat kryeministrit Ramush Haradinaj, duke i thënë se subjekti i Isa Mustafës i jep përkrahjen e  plotë atij që çështjen e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi ta çoj deri në fund.

“Asnjë milimetër e territorit të Kosovës nuk duhet të mbetet jashtë kufijve të saj. Do të ia kërkojmë kryeministrit këtë për çdo ditë, por nuk besoj që do të pretendojmë territore që nuk janë tonat. I kërkoj Kryeministrit të Kosovës të mbrojë interesin e Kosovës. Të gjitha të dhënat tjera, duhet të përfshihen në komisionin e përbashkët. Vota e LDK nuk është vote që çliroj kryeministrin por që të kodifikojë pozicionin e tij. Karriera e tij politike lidhet me këtë rast”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se me votimin e demarkacionit po i jepet fund një prej intrigave më të mëdha të historisë së re të shqiptarëve.

“Ne kemi një dokument i cili është tepër i shkurtër, që të jetë aq i çuditshëm. Gjithë përpjekja e LDK-së ka qenë me qëllimin që të japim një shkallë sado të vogël të legjitimitetit këtij dokumenti. Dokumentet që janë bashkuar këtij projektligji kanë efekt politik. Çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi nuk është aspak më specifike se ajo e demarkacionit të ish vendeve të ish Jugosllavisë”.

“ Vërej shumë pak kolegë që e kanë lexuar përfshirë edhe kryeministrin. Ta mbani në tavolinë por edhe ta lexoni. Raporti Bulliqi dhe Raporti i Komisionit Meha janë totalisht të ndryshëm , i pari merret me problemin e i dyti që provon të sjellë argumente. Raporti i parë ka bazë themelore kadastrën. Kadastri që na intereson neve është i viti 1930, që s’është e vërtetë se Kosova dhe Mali i Zi kanë pasur kufij”.

“S’është e vërtet që Kosova ka pasur të njëjtin territor gjithmonë. Pretendimi është që territore të Kosovës kanë mbetur jashtë, që s’i takojnë asnjë komune të Kosovës dhe s’mund të jetë kështu. Kadastri i Kosovës është i plotë dhe i Malit të Zi është i plotë”.

Shala ka thënë se Haradinaj ka marrë detyrë të vështirë – korrigjimin dhe korrektimin e kufirit siç pretendon ai.

“Këut Haradinaj duhet të ketë sukses”.

“Rastin që kemi në dorë, nëse s’i shohim faktet e rrezikojëm atë. I jap mbështetje të plotë kryeministrit  dhe qeverisë që këtë çështje ta trajtojë deri në fund”.

Anton Quni i ka dy fjalë me Ramush Haradinajn

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, duke iu drejtuar disa herë Ramush Haradinajt në postin që e mban si kryeministër, ka përkujtuar që marrëveshja që e kap prezantuar Isa Mustafa para tre vjetësh ishte marrëveshja që “ju e kishit kundërshtuar fuqimisht”.

Quni ia ka përkujtuar Haradinajt se vetë ka shkuar disa herë në pikat kufitare që ishin kundërshtuar nga ai dhe partia e tij.

Image
Anton Quni

Në vazhdim ai i ka kërkuar Haradinajt dhe gjithë deputetëve që në ditën kur pritet të votohet demarkacioni, të pranishëm në sallë të jenë edhe banorët e anëve toka e të cilëve po mendohet të jetë mbetur nën territorin e Malit të Zi.

“Ne jemi takuar me banorë të asaj ane dhe u kemi dhënë fjalën se do të mbrojëm interesin e vendit. Atëbotë edhe kryeministri Haradinaj ka vizituar ato zona kufitare me Malin e Zi. Jeni takuar dhe keni dëgjuar rrëfimet e njerëzve të asaj ane. Edhe unë I kam vizituar ato anë por ju keni premtuar se do të mbroni të drejtat e tyre. Por ju atëbotë kundërshtonit të gjitha përpjekjet tona. Tash ju kërkoni ratifikimin e një Marrëveshje e njëjtë  me ndryshime kozmetike. Atëbotë ju pëkrahni juve banorët e asaj ane me veshje rugovase e me flamuj kombëtar e me flamuj dardanë. Ata ishin të bindur se kufirin ta vendosni në Cakorr. Por pasi keni kërkuar mendimin e atyre fshatrave edhe sot duhet ta kërkoni bekimin e atyre njerëzve për këtë miratim. Sot në Kuvend do të duhej të ishin ata rugovas duke na dhënë bekimin që të japin bekimin për ratifikimin e kësaj Marrëveshjes. Juve ju takon që ti takoni ata banorë dhe në seancën e ardhshme kur votohet Demarkacioni që të jenë të pranishëm në këtë akt ceremonial”, deklaroi Anton Quni në fjalën e tij në Kuvend.

“Përlahen” shefat e deputetëve

Glauk Konjufca ai që tha se Listën Serbe e ka themeluar PDK me në krye Hashim Thaçin.

Deputeti i VV-së Glauk Konjufca dhe ai i PDK-së Memli Krasniqi janë përplasur me fjalë në seancën e jashtëzakonshme.

Ishte Glauk Konjufca ai që tha se Listën Serbe e ka themeluar PDK me në krye Hashim Thaçin.

Ndaj kësaj fjalie ka reaguar Memli Krasniqi I cili ka përmendur Konjufcës se vetëm ata të Vetëvendosjes dhe deputetë të Listës Serbe e kundërshtojnë demarkacionin.

Kjo e ka shtyrë Konjufcën që të replikojë  ndaj Krasniqit, për të ndërhyrë prapë ky I fundit.

Përplasja mes tyre ka vazhduar edhe pa mikrofona pasi që të dytë janë krejt afër njëri-tjetrit.

Konjufca, PDK-së: E keni krijuar Listën Serbe, marre duhet me ju ardh

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa.

“Listën Serbe e keni krijuar ju (PDK), në negociatat e Brukselit në vitin 2013. Hashim Thaçi ai idolli juaj, të cilin po e përmend e ka krijuar Listën Serbe. Ai e ka krijuar, kjo është shumë e vërtet”, ka thënë Konjufca duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së.

“Lista Serbe po pengon Ushtrinë e Kosovës, ju e keni në qeveri. Kush paska lidhje me Beogradin atëherë?”

“E ke krijuar Listën e Serbe, e ke fut në Qeveri, e tash del e akuzon opozitën. Marrë duhet me ju ardh”.

Image

Zyba ia përmend sportet e rënda kryeministrit, ai sërish kotet

Deputeti i VV-së Sali Zyba gjatë fjalimit të tij në Kuvend ia përmendi kryeministrit Ramush Haradinajt fjalinë se “unë jam për sporte të rënda”.

“Sport ma i rëndë se me i lujt gurët e kufirit nuk ka”, i tha Zyba.

Por Haradinaj pak dëgjoi nga fjalët e Zybës. Ai sërish është përgjumur teksa Zyba madje edhe ka përmendur hartën që Haradinaj ia ka gjuajtur në fytyrë Murat Mehës.

Haradinaj-deputetëve: Mos minimizoni dokumentet për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lutur edhe një herë deputetët që mos të minimizojnë dokumentet që kanë para vete për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, por t’i shfrytëzojnë për korrigjim sepse janë në projektligj.

Haradinaj në përfundim të debatit për demarkacionin me Malin e Zi, ka thënë se sot shpjegoi që gjatë këtyre 6 muajve kanë lëviz gjerat me komisionin Bulliqaj dhe mos e minimizoni sepse e mundëson të drejtën në territor të vendit tonë.

Haradinaj: Shfrytëzoni me nxjerr korrigjimin se i kemi në ligj

“Nesër si Kosovës duhet të kërkojmë ndoshta korrigjime, përmirësime dhe nuk e kuptojë pse para se të mbërrimë atje duhet ta dobësojmë vetveten ne, jo vetëm një krah por të gjithë ne me thënë këto nuk janë asgjë, janë gënjeshtra, janë për ta larë fytyrën dikush, ndoshta edhe janë ashtu por shfrytëzoni me nxjerr korrigjimin sepse i kemi në ligj, kushdo qofshim ne“, ka thënë ai.

Ai edhe një herë i luti deputetët që mos ta minimizojnë këtë pasi është raporti Bulliqaj, deklarata e dy presidentëve që mundësojnë korrigjimin.

Osmani: Nëse nuk liberalizohen vizat, derën qytetarëve të Kosovës ua hap ISIS-i

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse nuk zgjidhet çështja e demarkacionit me ç’rast nuk liberalizohen vizat, atëherë derën qytetarëve të Kosovës do t’ua hapin ata që duan t’ua shpëlajnë trurin për të shkuar dhe për të luftuar për ISIS-in.

“Republika përbëhet nga qytetarët e saj, burra, gra, rini, shumica dërrmuese prej të cilëve presin që përfundimisht t’i largojmë nga ky burg i quajtur Kosovë”, tha Osmani në foltoren e Kuvendit.

“Nëse Bashkimi Evropian vazhdon t’ua mbajë atyre derën e mbyllur, e dini që dikush tjetër do t’ua hapë atë ashtu siç ua hapën korridoret për të shkuar për të luftuar në ISIS”, tha Osmani në Kuvendin e Kosovës.

“Do t’ua hapin ata që duan t’ua shpëlajnë trurin, dhe nëse sot është diçka detyrë patriotike e secilit prej nesh, është t’ua shpëtojmë jetën atyre njerëzve nga një izolim i tillë”.

Deputeti i VV’së porosit Haradinajn: Gjeneral Smajli mos fal tokë

Në adresimin e tij para para deputetëve Xhelal Sveçla e ka porositur Ramush Haradinaj duke e thirrur në nofkën e luftës. “Gjeneral Smajli nëse ka mbetur nga ai Mos fal tokë me asnjë çmim “ka thënë Sveçla.

Ai ka pyetur nëse duhet falur tokë për viza. “Pa pjekuria politike po i kushton përditë Kosovës. Nëse ne nuk e kemi bindjen e fortë dhe dijen e thellë bindesh. Gjarpri ua bëri gropën Ramushit e Isës”.

Ai ka shtuar se tradhtia ndaj vendit nuk është tregim historie, ajo po ndodhë para syve tanë.

Labinot Tahiri: Haradinaj e ka punën pisk, lus Vetëvendosjen ta votojë Demarkacionin

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri, e ka ritheksuar edhe një herë se ai nuk do ta votojë Demarkacionin nëse kjo çështje varet vetëm nga deputetët e Listës Serbe.

“Unë po i them Haradinaj, nëse rastësisht varemi prej Listës Serbe unë nuk e votoj Demarkacionin – por nëse jemi shumicë shqiptare unë nuk jam për ta mbajtur peng këtë çështje”, ka thënë Tahiri në Kuvend.

“Qytetarët janë duke pritur një gjë konkrete, që ne sonte ta votojmë Demarkacionin”.

“E di që Haradinaj e ka punën pisk, i lus deputetët e Vetëvendosjes që ta votojnë këtë marrëveshje”.

Koordinim në përfundim të debatit për demarkacionin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdulla Hoti, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, janë parë teksa flasin për një koordinim për mbarëvajtjen apo ndërprerjen e seancës së sotme për demarkacionin me Malin e Zi.

Kjo pasi debati për këtë çështje është ka përfundimi. Siç njoftojnë ekipet në Kuvend, kanë mbetur të diskutojnë edhe 3-4 deputetë.

Përndryshe, disa deputet kanë thënë se sonte nuk do të votohet demarkacioni dhe se votimi do të ndodhë një ditë tjetër.

Shtyhet votimi i Demarkacionit

Po vazhdon debati për marrëveshjen e demarkacionit megjithëse ka filluar qysh në orën 16.00.

Deputët pozitë e opozitë po vazhdojnë debatin ani pse kohë pas kohe po tregohen të pa vëmendshëm gjatë fjalimit të njëri-tjetrit.

Burime brenda redaksisë së gazetës  ‘’Bota sot’’, konfirmojnë se seanca do të vazhdojë nesër.

‘’S’janë numrat për sonte. Nesër me siguri prej orës 10.00’’, thotë ky burim.

Koalicioni aktual nuk i ka siguruar 80 votat e duhura për demarkacionin megjithëse ishin fare pak afër për të marrë të gjitha votat e duhura.

As sonte nuk ka votim për Demarkacionin

Seanca e thirrur për të votuar Projektligjin e demarkacionit me Malin e Zi është duke vazhduar ende.

Shkak i vazhdimit dhe mos hedhjes për votim del të jetë se koalicioni aktual nuk i ka siguruar 80 votat e duhura për demarkacionin.

Gazeta “Bota sot”, nga burime të sigurta, mëson se as sonte nuk do të ketë votim për demarkacionin.

Ky burim i ka thënë gazetës se për shkak të mungesës së votave, as sonte nuk do të hidhet në votim.

“Sonte nuk do të ketë votim. Nuk ka shanca që të ndodh një gjë e tillë sonte”, i ka thënë ky burim gazetës.

Kujtojmë se kjo hera e katërt që thirret  seancë për të votuar Projektligjin e demarkacionit me Malin e Zi.

Hasani: S’pajtohem me demarkacionin por jam për jetë më të mirë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka deklaruar se ai nuk pajtohem me demarkacionin me Malin e Zi por do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe votuesve që të kenë një jetë më të mirë për shtetin.

Sipas tij, çështjet me rëndësi duhet të kenë konsensus politik por logjika e sotme politike, tregon se Kosova është e nënshtruar politikisht dhe me këso politike e kemi Asociacionin, Gjykatën Speciale dhe me këso politike nuk do të jemi partner ndërkombëtar por shërbyes social në dëmë të shtetit.

“Kosova ka nevojë për liberalizimin e vizave, sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomi që nuk vjen me demarkacionin dhe liberalizimin e vizave”, tha ai.

Deputeti i LDK-së: VV ose paska qenë e lidhur me Veselin ose po kanë frikë nga Haradinaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka replikuar me ata të Lëvizjes Vetëvendosjes për sa i takon çështjes së demarkacionit, në seancën për ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Selmanaj ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes ose kanë qenë të koordinuar me kryetarin e kuvendit kur kanë shkaktuar dhunë për demarkacion ose tash po i frikësohen kryeministrit Haradinaj.

Por ai ka thënë se asnjëra nga këto dy çështje nuk janë të vërteta, sipas tij deputetët e kësaj partie janë duke u emancipuar.

“Meqenëse deputetët e VV-së morën përsipër të komentojnë deklaratat e Rugovës dhe domethënien e votës pro të LDK-së, unë po marrë përsipër të komentoj sjelljen e tyre të kulturuar”.

“VV ose paska qenë e koordinuar me kryetarin e kuvendit kur shkaktonte dhunë ose kanë frikë nga Ramush Haradinaj, por unë mendoj që asnjëherë prej tyre dhe nuk janë bashkë me PDK-në, por janë duke u pjekur politikisht dhe po emancipohen", ka thënë ai.

Nuk besohet se sonte do të ketë votim

Edhe pse ishte paralajmëruar se sot do të votohet Demarkacioni me Malin e Zi një gjë e tillë nuk ka gjasa që të ndodhë sot.

Kjo pasi që koalicioni  nuk i ka 80 votat e duhura për demarkacionin.

Deputeti Milaim Zeka nga Nisma ka thënë se sonte nuk ka votim për projektligjin e Demarkacionit.

“Sëmundja” e deputetit të LDK-së Ramiz Kelmendi u ka prishur punë koalicion qeveritar dhe LDK-së, edhe pse u tha se ishin shumë afër sigurimit të votave.

Seanca ka filluar në orën 16:00 dhe debate ende po vazhdon, ndërsa pritet që të flasin edhe 27 deputetë.

Haradinaj: Evropianët po thonë votojeni demarkacionin, lironi qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se porosia e evropianëve është e qartë se për të lëvizur lirshëm qytetarët, duhet të ratifikohet demarkacioni.

Haradinaj ka thënë se miqtë ndërkombëtar vazhdimisht i kanë thënë deputetëve që nëse e votojnë këtë marrëveshje, atëherë hiqet regjimi i vizave.

I pari i vendit thotë se nëse votohet sot demarkacionit, atëherë do ti behet presion BE-së që të lëshojnë vizat, pasi këtë pritje e kanë krijuar të qytetarët.

Ndërsa, ka shtuar se është e padrejtë nëse pas këtij votimi, nuk jepet vizat.

Fjalimi i tij para deputetëve:

Evropianet vazhdimisht po thonë votojeni demarkacionin, shlironi qytetaret tuaj.

Evropian iu kanë dërguar porosi tek qytetaret se nese parlamenti voton, ndodh liberalizimi.

Askush nuk vjen te na thotë se e keni liberalizimin e vizave në dorë.

Plotë zyrtar shtetëror të BE iu kanë thënë deputetëve të kuvendit kryene këtë e mundësoni njerëzve të juaj qarkullimin e lirë.

Parlamenti i Kosovës e ka parasysh këtë vendim se kjo pritje është e krijuar.

Njëherit lufta ndaj krimit e korrupsionit, nuk është një akt i menjëhershëm është temë që e ka cdo shoqëri demokratike.

Kosova nuk është edhe pa rezultate ne luftimin e korrupsionit edhe BE-ja është korrekt me Kosovën me kërkua me rrit efikasitetin e luftës ndaj çdo krimi.

Është e padrejtë nëse i thuhet rrugëtojmë bashkë,e ju tregojmë se kur e keni kry kushtin e juaj.

Nuk ka zyrtar të BE-së, qofshin opozitar e pozitar që na thonë s’lironi qytetarët, kryeni këtë temë.

Do të ishte porosi e gabuar për njerëzit e këtij vendi, atëherë të gjithë në në rast se votohet kjo marrëveshje, mendojmë që kemi të drejtën më i kërkua BE-së me lëviz lirshëm.

Cdo sukses i vendit tonë, liberalizimi nuk është sukses i një grupi i të caktuar, po është sukses i këtyre viteve të rrugëtimit të Kosovës, është e drejtë e qytetarit.

E padrejtë me i lo qytetarët pa viza, e në emër të një kushti tjetër me i lënë pa viza se vet iu kanë thënë nëse e kryeni demarkacionin, ju lëvizni lirshëm.

Haxhiu, Vetëvendosjes: Mos u ndalni në Çakorr, kërkoni trojet shqiptare në gjithë Gadishullin Ballkanik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që mos ta tegojnë patriotizimin e tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk e di pse po ndalini në Çakorr dhe Kullë – kërkoni që të korrigjohen të gjitha trojet shqiptare në gjithë Gadishullin Ballkanik”.

Haxhiu ndër të tjera ka thënë së më në fund deputetët janë të lirë të shprehin mendimet e tyre pa tymë dhe gazë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Përplasen dy shokët e luftës, Daut Haradinaj e Rexhep Selimi: Lej o Rexhë ato pallavra

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka replikuar pas fjalimit të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i cili deklaroi se marrëveshja është dashur të ndryshohet para se të publikohet.

Haradinaj ka thënë në drejtim të Selimit se s’ka ushtarë pas vetes.

“Rexha e dinë qysh ndrrohen kufijtë, por s’ke ushtar me veti, lëri ato pallavra”, ka thënë Daut Haradinaj.

E menjëhershme ka qenë edhe replika e Selimit.

“Kam menduar që kam ushtarë pas vetes, duke të llogaritur edhe ty, mos iu referoni patriotizmit si diçka negative. Jemi patriota dhe duhet pasur patriotizëm, s’ka ndonjë të keqe, s’di pse po i referohen kësaj. Nëse duhet ndryshuar duhet bërë para se të publikohet pastaj harrone se mund të ndryshohet ”, ka thënë Selimi.

Daut Haradinaj i reagon Rexhep Selimit në Kuvend: Lej o Rexhë…

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj i ka reaguar deputetit të VV-së, Rexhep Selimit, i cili tha se marrëveshja për demarkacion nëse miratohet, ajo më nuk mund të ndërrohet.Haradinaj tha se përkundër që e ka mik të mirë Rexhep Selimin, ia kujton atij që marrëveshjet mund të ndërrohen.“Ju njëherë thoni që marrëveshjet nuk mund të ndërrohen, e pastaj thoni se ato nuk duhet të ndërrohen”, i tha Haradinaj, Rexhep Selimit.

“O Rexhep Selimi, edhe pse të kam mik të vjetër, ku i keni ata ushtar pas vetes. Po lej pallavrat”, tha ai.

Haradinaj bashkëluftëtarit të tij: Nuk ke ma ushtarë

Deputeti i AAK-së Daut haradinaj e ka marr fjalën pas bashkëluftëtarit të tij Rexhep Selimi.

Ai i ka thënë deputetit Selimi se si “patriot që është duhet ta dijë se si ndryshohet kufiri”.    

Por për këtë i tha se nuk ka ushtarë pas vetes. “Nuk ke ma ushtarë o Rexhë”, i tha Haradinaj Selimit.

‘Zv.kryeministri më pyeti: A ka picë në ato pako?’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i është përgjigjur nga foltorja e Kuvendit të Kosovës pyetjes së një gazetari, i cili, sipas tij, e kishte pyetur se çka e pyeti zëvendëskryeministri në momentin kur po i vendosnin para kryeministrit Haradinaj kutitë me peticionin e 205 mijë qytetarëve kundër Demarkacionit.

“Më pyeti: Çka ka në ato pako? A ka pica?”, tha deputeti Selimi, duke treguar se këtë pyetje ia ka bërë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Image
Rexhep Selimi

Selimi: Më habit qëndrimi i AAK-së dhe Nismës

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi tha se sot nuk do të votohet as për heqjen e liberalizimit të vizave, as për integrim evropian, as për marrëveshjen e dy presidentëve as për raportin e Bulliqit.

Sipas Selimit sot do të votohet vetëm për marrëveshjen për demarkacion e jo për marrëeshjet tjera.

Ai tha se i kupton deputetët e LDK-së dhe PDK-së por jo edhe ata që deri dje kanë kundërshtuar fuqishëm demarkacionin me Malin e Zi duke aluduar në AAK-në dhe Nismën.

Limaj: Të bëhemi bashkë ta kalojmë demarkacionin dhe t’ia japim një mundësi të re vendit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të bëhen bashke për t’ia dhënë një mundësi vendit. Limaj ka thënë se nuk ka asnjë dilemë së nga këtu deputetët do të jenë më ndërgjegje të qetë për punën që do të bëjë komisioni punues për demarkacionin. Limaj ka ftuar të gjithë që të bëhen bashkë për t’ia dhënë një mundësi vendit pasi thotë se demarkacioni është temë nacionale dhe nuk është e rezervuar për një grup njerëzisht.

“Besoj se sot të gjithë bashke duhet ta diskutojmë këtë projektligj si mundësi për ta përmbyllur këtë temë duke mos pasur dilema rreth vendimit tonë për të ecur mëtutje. Projektligji i propozuar nga Qeveria duhet ta shohim si mundësi për të rishikuar me palën malazeze për të përmirësuar gabimet dhe lëshimet që janë bërë gjatë kohës së komisionit parë. Vet deklarata mes dy presidenteve i jep mundësi Kosovës dhe është një deklaratë e ndërtuar e cila detyron dy palët të korrektojnë pikat vijat kufitare kudo që është gabuar ose janë bërë lëshime”, ka thënë ndër të tjera Limaj në seancën e jashtëzakonshme plenare ku po diskutohet për marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

Më poshtë një pjesë e fjalimit të Limajt mbajtur në seancën plenare:

Sot duhet ta zhvillojmë debatin tek mundësitë dhe përgjegjësitë që merr grupi punues gjatë bisedimeve që janë bërë me palën malazeze. Është shumë më rëndësi formimi i grupit punës dhe cili do të jetë roli i Kuvendit në mbikëqyrje të grupit punues.

Asnjëherë deri me tani nuk është testuar provat faktet që i ka komisioni ynë me komisionin malazez. Ne nuk kemi çka të fshehim dhe nëse ka fakte e prova le të shkojmë më palën malazeze të bashkëbisedojmë dhe përmes ekspertizës të vlerësohet ku është gabuar dhe të përmirësohet.

Nuk mjafton të themi kështu është dhe ndryshe s’bën. Ne po i japim disa mundësi vendit. Kjo marrëveshje që ka ardhe i jep një mundësi më mirë se vet arbitrazhit dhe e ulë Malin e Zi në tavolinën e bisedimeve dhe për të trajtuar gabimet që janë bërë gjatë përcaktimi të vijës kufitare. Është një mundësi tjetër që po ia ofrojmë vendit tonë hapjes se perspektives evropiane vendit.

Detyra jonë është më nxjerr nga ky vend vendin dhe nga ky ngërç dilet nëse jemi të gjithë së bashku për t’ia dhënë një mundësi organeve kompetente që të rishikohet dhe rivlerësohet cka në fakt ka ndodhur me vijën kufitare. Është një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht me përgjegjësi.

Vet fakti që debati po zhvillohet në këtë formë është një e arritur e jashtëzakonshme që na ka rënduar për disa vite. Prandaj ftoj të gjithë deputetët që sot t’i japim me votën tonë t’i krijojmë disa mundësi për vendin. Do të doja që Kuvendi i Kosovës nga këtu të involvohet në këtë proces jo vetëm qeveria dhe grupi punues.

Image
Albin Kurti

Kurti: Haradinaj po han me dy lugë

Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se partia e tij voton vetëm dokumentin e demarkacionit në të cilin korigjohen gabimet e marrëveshjes me Malin e Zi me ç'rast bëri thirrje Kuvendit për mos kapitullim.

"Demarkacioni është ndryshim i territorit të Kosovës, Murat Meha ka punuar sipas kushteve të Malit të zi. Ky kufi duket sikur kemi pasur luftë me Malin e Zi e tash erdhi si pasoj e kapitullimit. Të mos kapitulloj edhe Kuvendi, të mos e miratoi Demarkacionin", tha Kurti.

Duke iu referuar raportit të Bulliqit, Kurti tha se Vetëvendosje voton vetëm dokumentin që korrigjon kufirin dhe jo atë që premton korigjim.

"Ky është vetëmashtrim. Pas raportit të Bulliqit Kuvendi nuk ka punë por ligji. Sepse në bazë të atij raporti është bërë shkelje ligjore", theksoi Kurti.

Sipas Kurtit Liberalizimi i vizave nuk është prioritet i qyetarëve të Kosoves por prioritet i Qeverisë për qytetarët e Kosovës.

Ai kritikoi edhe kryeministrin Haradinaj duke thënë se nëse ai po e bënë këtë gjë pasi që po kushtëzohet me rrëzim të qeverisë së tij, atëherë Vetëvendosje do e përkrah atë.

"Haradinaj më shumë i uritur sesa i zemëruar dhe po merr barrën për të cilën nuk ka faj. Kryeministër kjo që po bëni është mashtrim por nëse duan të ju rrezojnë për shkak se nuk po falni tokë unë ju mbroj, ne ju mbrojmë. Për këtë nuk do duhej të rrëzoheni por për gjëra tjera po, por sot nuk po flasim sot për to", tha Kurti.

Gjithashtu ai i kërkoi kryeministrit të mos e legjitimojë tradhëtinë.

Fjalimi i Kurtit para deputetëve:

Kjo seancë përcakton fatin e gjeneratave të ardhshme se pyetja është a Ka spo nuk ka Kosova kufi. Kosova nuk ka kufi me logjikën e Mehes.

Në bazë të një studimi të KFORIT janë 200 konteste kufitare me Serbinë. Rreth 50 konteste ka ose prova private ose popullsi, ose të dyja këto.

Pra, ky nuk është demarkacion për delimitim, nuk është për ndryshim të kufirit. Komisioni i Murat Mehes ka patur shënjimin dhe mirëmbajtje, ndërsa ai i Malit të zi përcaktim të kufirit. Meha ka punuar dhe negociuar sipas kushteve të Komisionit të Malit të Zi.

Le të mos kapitulloj edhe Kuvendi, të mos kapitulloj demarkacioni. Aneksi i marrëveshjes është mashtrim. LVV voton vetëm për marrëveshjen që thotë që do të korrigjohet, e jo do të mund të korrigjohet.

Të dorëzohet shteti e Kuvendit pranë Murat Mehes e më vonë të korrigjoj, është mashtrim. Sikur raporti i Bulliqit të ishte orientim, ska punë këtu Kuvendi por prokuroria.

Mu në këtë sallë kemi votuar rezolutën e Kuvendit për Demarkacionin. Kjo rezulute është shkel. Integriteti territorial varet nga ai institucional.

Liberalizimi nuk është prioritet i qytetarëve por i Qeverisë për qytetarët. Qytetarët duan barazi mirëqenie e punësim. Kjo marrëveshje nuk është për viza, por është për falje të territorit….

Deputetët e krahut të Visar Ymerit dalin nga seanca

Deputetët e krahut të Visar Ymerit kanë dal nga seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohet debati për demarkacionin me Malin e Zi.

Ende nuk dihet arsyeja, megjithatë më herët, Visar Ymeri nga ky grup, ka thënë se nuk do ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Ymeri tha se projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi përmban një mori dëshirash të individëve brenda kabinetit qeveritar, teksa pranoi se për shkak të relievit mund të ketë nevojë për korrektime, porse asnjëherë nuk merr përmasa të mijëra hektarëve, siç edhe ka ndodhur ne rastin e Kosovës.

Image

Zeka deputetëve të VV-së: Votoni demarkacionin për inati të serbëve

Deputeti i Nismës Socialdemokrate duke folur në seancën për Demarkacionin u ka thënë deputetëve të VV-së që për inati të deputetëve të Listës Serbe ta votojnë demarkacionin.

“Me kan ven juv e kisha votu demarkacionin veq për inati të Listës Serbe, me jau plas zemrën”, u tha Zeka deputetëve të Vetëvendosjes.

Zeka tha se nuk është e drejtë që Lista Serbe të bllokojë të gjitha proceset në Kosovë por tash nuk mund ta ndërrojnë Kushtetutën.

Image
Ramush Haradinaj

Haradinaj i kundërpërgjigjet Vetëvendosjes

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij duke iu kundërpërgjigjur Vetëvendosjes tha se gjatë kohës që ishte në opozitë ai ka përdorur metodat opozitare.

"Pas disa argumenteve bazë e vërtetë e këtij ligj në jetën tonë politike nuk ka nevojë me u përshkrua prapë sepse të gjithë e dimë rrugëtimin e këtij procesi. Sa i përket pikëpamjeve të mija dhe si kam vepruar kur kam qenë opozitë, ne i kemi shfrytëzuar instrumentet opozitar. Këta instrument të lejuar që i ka demokracia kemi qenë edhe krijues i instrumenteve ne demokraci", tha Haradinnaj.

Ndërsa tani Haradinaj ka thënë se është duke i përdorur instrumentet qeverisëse, gjë që mund të mos i pëlqej opozitës.

"Në këtë prezantim shoqëria është e ndamë secili duhet të i jap bindjet e veta për të. Gjatë marres së Qeverisë i kemi marrë parasysh instrumentet qeverisës.

Nga nisja e kësaj qeverie të përbashkët, ndonëse nga opozita shihet e pamjaftueshme por kemi emëruar një komision të ri shënjues për kufirin me ekspert të ri", theksoi Haradinaj.

Ai me ketë rast iu kërkoi edhe njëherë deputetëve të të gjitha partive që ta votojnë sot demarkacionit.

Ai po ashtu tha se kundërshtimi i Vetëvendosjes për këtë çështje është më i drejti nga të gjithë objektet opozitare.

Hoxhaj: Nuk duhet të dalim nga kjo sallë pa e ratifikuar demarkacionin

Enver Hoxhaj nga PDK, në seancën e jashtëzakonshme për demarkacionin u ka bërë thirrje deputetëve ta votojmë demarkacionin, pasi është për të mirën e vendit dhe për të mirën e qytetarëve.

Ai ka thënë se tri vitet e fundit Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur vullnet për të punuar, andaj kjo nuk do të duhej t’i ndodhte Kosovës.

"Kjo marrëveshje nuk është një mashtrim. Sot nuk duhet te lëshojmë këtë sallë pa e votuar këtë marrëveshje. Vota qe jipet sot, nuk i jepet vetëm hapjes se rrugës se liberalizimit, por është vota me e rëndësishme ne shtetësinë e Kosovës", thënë Hoxhaj.

Haxhiu: Demarkacioni u bë kusht për viza sepse ashtu deshi Hashim Thaçi

Deputetja nga Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka thënë se marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk duhet të kalojë dhe se kjo marrëveshje është vënë si kusht për liberalizim të vizave, sepse ashtu ka dashur Hashim Thaçi, raporton Bota sot.

Në fjalën e saj në Kuvend, ajo tha se Thaçi veproi kështu pasi ka menduar se kështu do të kalojë më lehtë kjo marrëveshje.

"Ne e shpëtuam Kosovën dhe territorin. Sot është për keqardhje që ata që e mbanin flamurin e kundërshtimit sot e përkrahin çështjen e Demarkacionit", tha Haxhiu.

Ajo po ashtu gjatë fjalës së saj "thumboi" edhe kryeministrin Haradinaj pasi që ai ishte kundërshtues i kësaj marrëveshje.

"Kryeministër po ta respektoje vullnetin e qytetarëve sot do ishe këtu duke jetësuar raportin Bulliqi, raport ky që thekson se me atë marrëveshje janë dëmtuar interesat e shtetit të Kosovës, e nuk do ishe këtu duke përkrahur këtë çështje", theksoi Haradinaj.

Haxhiu gjithashtu pyeti deputetët se ku po e marrin ata të drejtën me fal tokën e Kosovës, duke shtuar se "sot secili prej jush po e shkelni me këmbë betimin që e keni dhënë si deputet". 

Haradinaj e pranon: Korrigjimi i Marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë fjalën duke iu drejtuar opozitës pasi LDK-ja e fajësoi se kishte kundërshtuar më parë dhunshëm Marrëveshjen e Demarkacionit, dhe Vetëvendosjen sipas së cilës është absurde që Demarkacioni të votohet e më pas të korrigjohet. Haradinaj ka thënë se kjo s’është e lehtë por korrigjimi do të bëhet

Haradinaj ka arsyetuar veprimet e mëparshme se kanë përdorur instrumente opozitare demokratike, ndërsa tani që është në krye të Qeverisë, Haradinaj thotë se duhet të veprojë sipas asaj që i kërkon detyra.

“Derisa kemi qenë në opozitë kemi shfrytëzuar instrumentet opozitare për të shprehur qëndrimin tonë. Gjatë marrjes së qeverisë veprojmë me instrumente qeverisës. E meriton një respekt rruga e ligjit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, ai i është përgjigjur edhe Vetëvendosjes, pasi Glauk Konjufca tha se është fyerje e inteligjencës të thuhet se një herë po e votojmë Demarkacionin, e pastaj e korrigjojmë.

“Mund ta korrigjojmë një marrëveshje derisa ajo është e ratifikuar”, i ka thënë kryeministri Haradinaj.  

Tutje, shefi i Qeverisë u ka kërkuar të gjitha partive ta votojnë Demarkacionin, duke thënë se korrigjimi është i pashmangshëm edhe pse do të jetë i vështirë.

Haradinaj: Unë e kam përjetuar të rrëzohem e të shkoj në Hagë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë disa argumente për mbështetjen e demarkacionit, duke thënë se komisioni i ri për shënimin e kufirit ka kryer me përgjegjësi punën e tij, pasi ka qenë i përbërë nga ekspertë të fushë së tyre.

Ai në fjalën e tij në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se nuk ka interes që Kosova dhe Mali i Zi të kenë armiqësi, ndërsa i bëri thirrje LDK-së për mbështetjen e demarkacionit.  

Haradinaj: Ndonjëherë më vjen edhe mua rendi me u rrëzua

“I kuptoj kalkulimet politike kush u rrëzuar, kush u qua, ndonjëherë më vjen edhe mua rendi me u rrëzua. Kur është vakti edhe unë jam me ju. Këtu jemi për me u quar e me u rrëzuar në politikë. Ka disa janë rrëzuar e kanë shkuar në shtëpi. Unë e kam përjetuar me u rrëzuar e me shkuar në Hagë, nuk ka më kiamet se ajo, për këto të tjera nuk i bëj dert. Me u rrëzuar prej qeverisë e me shkuar nesër në pushim - po e dini çka po dua të them, është pak më vështirë se me shkuar në Lipjan”, ka thënë Haradinaj.

Isufi: Marrëveshja mund të korrigjohet

Ahmet Isufi ka bërë thirrje në Kuvend që deputetët të votojnë pro demarkacionit me Malin e Zi. 

“Marrëveshjes së vitit 2015, i ofrohet materiali i komisionit aktual, që tregon për gabimet e gjetura të komisionit të kaluar, dhe po ashtu është deklarata e dy presidentëve që jep mundësi për korrigjimin e gabimeve”, ka thënë Isufi në seancë, duke sqaruar nenet që parashohin përmisimin e gabimeve eventuale që kanë mundur të bëhen në marrëveshjen e gushtit të vitit 2015”, ka thënë Isufi.

Image
Deputeti Visar Ymeri

Ymeri: Korrektimet nuk mund t’i kthejnë pas hektarët e humbur

Deputeti Visar Ymeri tha se projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi përmban një mori dëshirash të individëve brenda kabinetit qeveritar, teksa pranoi se për shkak të relievit mund të ketë nevojë për korrektime, porse asnjëherë nuk merr përmasa të mijëra hektarëve, siç edhe ka ndodhur ne rastin e Kosovës.

Ymeri: Këto korrektime nuk do t’i kthejnë ato mijëra hektarë që janë humbë

“Natyrisht se ka korrektime kur vendosen gurët kufitar në teren. Pra secilin rast të shënimit të vijës kufitare në teren, obligohen të dyja palët që me marrëveshje të kenë korrektime për shkak të relievit e kështu me radhë, që e përcakton dhe kushtëzon një lloj korrektimi. Mirëpo këto lëvizje asnjëherë nuk marrin përmasa të hektarëve, qindra apo mijëra hektarëve siç po pretendohet në rastin tonë. Pra, këto korrektime nuk do t’i kthejnë ato mijëra hektarë që janë humbë”, tha Ymeri.

Teksa bëri të ditur se si grup parlamentar nuk e votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, shtoi se Qeveria aktuale e Kosovës vuan nga kompleksi i multipersonalitetit, për shkak të mënyrës se si përfaqësojnë qëndrime të kundërta dhe përjashtuese për njëra – tjetrën.

Sipas tij kjo më së miri shihet në ligjin për ratifikimin e marrëveshjes.

Ymeri: Aty praktikisht janë përmbledhur të gjitha dëshirat e Kabinetit Qeveritar

“Aty praktikisht janë përmbledhur të gjitha dëshirat e kabinetit qeveritar apo të individëve brenda kabinetit. Njërën anë është marrëveshja për demarkacion e nënshkruar në vitin 2015 nga Hashim Thaçi si ministër i Jashtëm dhe Skënder Hyseni si ministër i Brendshëm, me homologët e tyre malazez, e cila vjen si rezultat i punës së Komisionit Shtetëror të drejtuar nga Murat Meha i cili ka pasur mandat zyrtar për demarkim dhe mirëmbajte  të kufirit e jo për të caktuar vijë të re të kufirit siç ka bërë. Dhe e kemi raportin e Komisionit të ri shtetëror, i cili është emëruar nga kryeministri Haradinaj, e drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi, i cili thotë se marrëveshja paraprake është e gabuar dhe Komisioni shtetëror në mandatin e kaluar e ka kaluar mandatin. Dhe ka caktuar kufi të ri në vend të shënjimit të atij ekzistues”, tha ai.

Sipas tij, kushdo që e ka ndërruar mendjen për këtë marrëveshje,  duhet të jetë i me qytetarët dhe t’iu tregojë se ato 8 mijë e 200 hektarë konstatohet se do t’i humbë Republika e Kosovës me Malin e Zi”, theksoi Ymeri.

Konjufca: Hajnat mbesin, vizat nuk hiqen

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje ka folur për nënshkrimin e marrëveshjes së demarkimit të kufinjëve me Malin e Zi. Ai, ia kujtoi kohën Haradinajt kur ky I fundit ia hudhte për fytyre hartat Murat Mehes.

''Ketu t’i kemi sjellë nënshkrimet e qytetarëve të cilat ta bëjnë të qartë që duhet ta rrëzojnë këtë marrëveshje të dëmshme . Kërkojmë që mos t’ia ktheni shpinën qytetarëve . Sot do ta marrim një vendim këtu i cili është i lehtë se duhet ta mbroni republiken Komisoni i ri gjeti se komisioni  i Murat Mehes ka bërë gabime. Andaj ky komision ka bërë të ditur se nuk duhet të votohet versioni i Murat Mehes . Sot Haradinaj e ka borxh të na tregoj se a pajtohet me komisionin Bulliqi. Haradinaj duhet t’i kërkojë falje qytetarëve për ndryshimin në qendrimin e tij për demarkacionin. Haradinaj duhet t’i kerkojë falje Murat Mehes për hartat që dikur ja përplasi për ftyre. Me këtë version, hajnat mbesin e vizat nuk hjeken'', përfundon Konjufca.

Krasniqi: PDK unanimisht pro Demarkacionit, ftoj deputetët t'i kenë parësore interesat e qytetarëve

Shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi sot në Kuvend ka thënë se pas gati tre viteve që është votuar marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, por që beson se tashmë janë shuar të gjitha paqartësitë, raporton gazetari i “Bota sot”.

“Ne sot jemi mbledhur prapë të t’i dhënë drejtim përmes ratifikimit me të dy të tretat të projektligjit dhe për të çliruar qytetarët e Kosovës nga kjo temë e cila është shndërruar në një lloj traume kolektive dhe që ka pamundësuar për një periudhë temper të gjatë dhe në mënyrë të padrejtë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, duke i lënë  njerëzit tonë sikur vrimën e fundit të zeze që nuk mundet të lëvizë lirshëm në zonën e shëngenit. Në emër të grupit të PDK-së, kërkojmë nga të gjithë deputetët që në vendimin e tyre t’i kenë parasysh interesat e qytetarëve dhe të këtij shteti dhe jo interesat e politikave ditore apo qëndrime ditore apo qëndrime që dikush mendojnë që mund t’i sjellë një votë më shumë apo më pak”, është shprehur ai.

Gjatë fjalës së tij në seancë, Krasniqi ka thënë se PDK unanimisht është pro marrëveshjes.

“Andaj në emër të PDK kërkojmë që t’i keni parësore interesat e qytetarëve. Edhe PDK unanimisht do ta votojë marrëveshjen”, ka deklaruar Meli Krasniqi.

Avdullah Hoti thumbon Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK do ta përkrahë këtë marrëveshje.

“Ne besojmë që marrëveshja është e drejt përmes neneve 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes ku palët obligohen që të shikojnë marrëveshjen nëse paraqiten fakte të reja, pra formohen trupa të përbashkët për të shqyrtuar faktet e reja, përpilohet marrëveshja e re dhe bëhet ratifikimi. Prandaj LDK e ka mbështetur këtë proces, prandaj miqtë na kanë mbështetur në këtë proces...Kolegë të VV-së, e dhe ju e dini që ratifikimi i kësaj marrëveshje siguron lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshja kontribuon shumë në proceset eurointegruese të Kosovës, marrëveshja hap rrugë për forcimin e subjektivitetit të shtetit...Tash çfarë duhet të bëjë Haradinaj pas ratifikimit të kësaj marrëveshje? Me rregullat e demokracisë pas ratifikimit të marrëveshjes ai duhet të japë dorëheqje, Kuvendi duhet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje dhe sovrani të vendosë se kush e udhëheq Kosovën drejt integrimeve evropiane”, ka thënë Hoti, përcjellë “Bota sot”.

Fjala e Hotit:

I nderuari Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar anëtarë të Qeverisë,

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dua të shprehë kënaqësinë që, më në fund, gati tre vjet pas nënshkrimit, Kuvendi i Kosovës është mbledhur për ta votuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, me këtë shtet fqinj, shtet mik, anëtar të NATO-s, që ka njohur shtetin e Kosovës qysh në fillim, pa asnjë hezitim.

Për dallim prej herës së kaluar, seanca e sotme, siç po shihet, do të zhvillohet pa gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj Kryeministrit, deputetëve dhe policisë.

Njëri nga ata që nxiste dhunë sot është Kryeministër. Por, ne nuk do ta sulmojmë atë, edhe pse kemi të drejtë morale për ta bërë.

Për më tepër, kësaj radhe, si duket, nuk ka plan për të lejuar futjen e gazit në Kuvend.

Sidoqoftë, Lidhja Demokratike i gëzohet faktit që Kuvendi i Kosovës sot nuk po bëhet gaz i botës.

Të nderuar kolegë deputetë,

Ne besojmë se marrëveshja është e drejtë.

Përmes neneve 7, 9 dhe 11 të marrëveshjes, palët obligohen që të rishikojnë marrëveshjen në rast se paraqiten fakte të reja.

Pra, formohen Trupa të Përbashkëta për të shqyrtuar faktet e reja.

Nëse faktet validohen, atëherë përpilohet marrëveshje e re, dhe shkohet në procedurë të re të ratifikimit.

Prandaj, Lidhja Demokratike e ka mbështetur qysh në fillim.

Prandaj, miqtë tanë na kanë mbështetur në këtë proces.

Lidhja Demokratike është parti e themeluar nga Presidenti Rugova. Kauza jonë për shtet të pavarur dhe sovran ka nisur para tri dekadash.

Asnjëherë nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë veprime në dëm të shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht a jemi në opozitë apo në pushtet, të cilën gjë nuk mund ta them për disa parti që janë në Kuvend.

Haradinaj kërkon ratifikimin e demarkacionit 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paraqitur projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka ftuar të gjitha partitë dhe deputetët që të votojnë pro ratifikimit të kësaj marrëveshje.

Sipas Haradinajt, ratifikimi i kësaj marrëveshje, nuk e cenon territorin e vendit.

Haradinaj: Miratimi i këtij projektligji s’e rrezikon territorin e Kosovës 

“Vota pro këtij ligji sot me shumë se kurrë është votë për shtetin e Kosovës, është votë për perspektiven euroatlantike të vendit, është votë për liri të lëvizjes. I kemi analizuar të gjitha faktet dhe rreziqet dhe iu garantoj se ratifikimi i këtij projektligji me të gjitha dokumentet përcjellëse nuk e rrezikon territorin e Kosovës. Vendimi është në duar tuaja dhe miratimi i këtij ligji është kërkesë e shumicës së qytetarëve. Iu bëj thirrje pa dallim partie, etnie e dallime ideologjike që të votoni pro këtij projektligji”, tha Haradinaj.

Nis seanca për demarkacionin

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kjo seancë është thirrur që disa herë, por për shkak të mungesës së kuorumit është shtyrë.

Para seancës, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka deklaruar se në seancën për demarkacionin do të shihet cila parti  është serioze për të qeverisur Kosovën për të mirën e qytetarëve të saj dhe cilat janë të interesuara për të shënuar pikë politike.

I pranishëm në këto çaste është edhe Kadri Veseli Të pranishëm janë 85 deputetë, gjithashtu ka arritur edhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

Deputetët e VV-së edhe kësaj radhe kanë sjellë peticionin.

Është lideri i VV-së, Albin Kurti që me vete ka sjellë edhe peticionin. Ndërsa kanë filluar të vijnë edhe deputetët e GDP-së. Ka arritur edhe shefi grupit parlamentar të GDP, Dardan Sejdiu. Deputetët e të gjitha partive kamë filluar t'i zënë vendet e tyre.

Haradinaj: Nuk kishim mbajt seancë po mos ishin 80 vota pro

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se pas shumë pritjesh e debatesh, sot në Kuvendin e Kosovës diskutohet projektligji për demarkacionin me Malin e Zi, ku përveç marrëveshjes, është raporti i komisionit Bulliqi dhe marrëveshja në mes dy presidentëve, gjë që janë argumente të duhura për ta votuar projektligjin.

Ai pak para seancës tha se AAK do ta votojë projektligjin, ndërsa, duke njohur LDK-në, tha se të gjithë deputetët e saj do ta votojnë.

“Nuk kishim ardhë në seancë po të mos ishin 80 vota pro”, tha ai.

Mbërrijnë në sallë deputetët e AAK-së

Në këto momente kanë filluar të vijnë edhe deputetët e AAK-së. Është Daut Haradinaj dhe Time Kadrijaj ata që kanë ardhur të parët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti i parë nga VV që ka arritur është Adem Mikullovci. ?Në sallë ka mbërritur edhe deputetja nga radhët e AAK-së Donika Kadaj Bujupi. Në ndërkohë Ministri Pal Lekaj është duke e zhvilluar një bisedë me deputetin nga VV, Rexhep Selimi.

Deputetët e LDK-së të parët në sallë

Tashmë kanë filluar të vijnë deputetët. Janë deputetët e LDK-së, ata të cilët të parët që kanë arritur në Kuvend, raporton “Bota sot”. 

Janë Driton Selmanaj, Arban Abrashi dhe Naser Osmani që kanë arritur tashmë seancën, e cila ishte paraparë të fillojë në ora 16:00. Në këto çaste ka arritur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Por, sipas të gjitha gjasave, fillimi i saj do të shtyhet edhe për një orë.

 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat