Limaj: Sot kalon Demarkacioni

Aktuale

Limaj: Sot kalon Demarkacioni

Më: 20 mars 2018 Në ora: 14:52
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, është optimist se Demarkacioni me Malin e Zi do të kalojë sot. Ai beson se ligjvënësit e Kuvendit do të reflektojnë dhe me këtë edhe do të hapet mundësia për korrigjimin e gabimeve eventuale. Limaj lë të nënkuptohet se votat për Demarkacionin, tashmë janë siguruar.

Ka mbetur vetëm edhe një orë që nga fillimi i seancës për Demarkacionin me Malin e Zi. Megjithatë, ende nuk dihet nëse votat për ta kaluar këtë marrëveshje janë të siguruara.

Krejt kjo pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së, veçanërisht deklarimit kundër të Ramiz Kelmendit për marrëveshjen.

Sidoqoftë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pret që sot kjo marrëveshje të kalojë. Ai kërkon nga deputetët që të jenë në nivel të detyrave që u takojnë.

“Ne presim që sot të kalojë Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi. Ne besojmë në reflektimin dhe detyrat që kanë deputetët e Kuvendit të Kosovës, rëndësinë që ka kjo temë. Me kalimin e Demarkacionit ne i japim një mundësi korrigjimit të gabimeve eventuale. Besoj sot që secili deputetët do të jetë në nivel të detyrave dhe përgjegjësive që kanë para vendit të tyre”, ka shtuar Limaj.

Ai është shprehur optimist se Demarkacioni do të kalojë sot, derisa i ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të votojnë demarkacionin, votimi i të cilit i hap një perspektivë të re evropiane vendit.

Limaj ishte i pari që mori iniciativën për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve për kufirin. Ai qysh nga muaji tetor kishte qenë i angazhuar në gjetjen e një zgjidhjeje për demarkacionin, i cili angazhim rezultoi me marrëveshjen në mes të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij nga Mali i Zi.

Koalicioni qeverisës është shprehur i bindur se dita e parë e pranverës do të ishte edhe ditë e ratifikimit të Demarkacionit.

Pas disa dështimesh, së fundmi, potencohej se janë mbledhur 80 votat e nevojshme për Demarkacionin, prandaj edhe ishte thirrur seanca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat