KDI: Deputetët të penalizohen për mospjesëmarrje në seanca dhe votim

Aktuale

KDI: Deputetët të penalizohen për mospjesëmarrje në seanca dhe votim

Më: 20 mars 2018 Në ora: 12:43
Artan Murati

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të punës së vet nuk është treguar shumë efikase.

Kjo periudhë është karakterizuar me shumë pak ligje të miratuara, seanca plenare të stërngarkuara me pika të rendit të ditës e vazhdime të shpeshta, mungesë kuorumi, mos-pjesëmarrje në votim e shpeshherë edhe me gjuhë e veprime joparlamentare.

Kjo u bë e ditur sot gjatë konferencës së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ku u paraqit një vlerësim rreth punës së deritashme të kësaj legjislature.

Me këtë rast Artan Murati nga KDI, ka theksuar se bazuar në monitorimin e realizuar nga KDI deri më tani, Kuvendi në legjislaturën e gjashtë ka miratuar 9 ligje, në procedurë të shqyrtimit aktualisht nga Komisionet Parlamentare janë edhe 42 ligje, janë mbajtur gjithsej 24 seanca dhe janë thirrur 4 interpelanca.

Ai ka thënë se komisionet me më së shumti mbledhje të organizuara janë ai për Zhvillim Ekonomik (20), Komisioni për Legjislacion (18) dhe Komisioni për Buxhet dhe Financa (17).

Më së paku takime kanë realizuar Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së (7), Komisioni për Bujqësi (10) dhe Komisioni për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim (11).

“Në 29 raste ka pasur raportim nga Kabineti Qeveritar para Komisioneve Parlamentare. Katër Komisione Parlamentare nuk kanë pasur në raportim asnjë Ministër. Janë realizuar 126 pyetje parlamentare, më së shumti nga GP VV (56), LDK (34), PDK (19), AAK (8), Nisma (4) dhe Lista Serbe (1)”, ka thënë Murati.

Murati ka theksuar se mungesa e deputetëve në seanca plenare por edhe në mbledhje të komisioneve parlamentare është një nga problemet më të mëdha të evidentuara në punën e legjislaturës së gjashtë.

Po ashtu në shumë raste ka dështuar votimi për projektligje apo çështje tjera të parapara në rendin e ditës në punimet e Kuvendit, për shkak të mungesës së Kuorumit.    

“KDI u bën thirrje të gjitha subjekteve politike parlamentare që të trajtojnë dhe rregullojnë këtë çështje përmes Rregullores së Punës së Kuvendit, dhe deputetët që mungojnë në seanca, e sidomos në votim, të penalizohen. Mos pjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia. Deputetët mund të abstenojnë, por jo të bllokojnë vendimmarrjen në Kuvend. Për deputetët që nuk marrin pjesë në votim duhet të parashihen ndëshkime, jo vetëm me votë por edhe ndëshkime financiare”, ka thënë Murati.

Një mënyrë për ta rregulluar këtë çështje ka shtuar se është përmes Rregullores së re të Punës së Kuvendit, ku mund të parashihet që deputeti i cili nuk merr pjesë në votim, por që është prezent në seancë, vota t’i llogaritet me automatizëm si abstenim.

Murati ka potencuar se KDI shfrytëzon rastin edhe një herë t’u bëjë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë demarkacionin dhe t’i japin fund sagës që po mban të bllokuar jetën institucionale, por edhe po mohon të drejtën e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat