Gëlltitja e shpejtë e afro gjysmës së rezervave shtetërore

Aktuale

Gëlltitja e shpejtë e afro gjysmës së rezervave shtetërore

Më: 18 mars 2018 Në ora: 12:27
ilustrim

Vetëm pak më shumë se dy muajt e parë të këtij viti, Qeveria ka shpenzuar gati gjysmën e rezervës shtetërore të paraparë me buxhetin e këtij viti. Jashtë gjashtë vendimet e shpejta të Qeverisë në të cilat janë paraparë shfrytëzimi i mbi 2 milionë eurove nga kjo rezervë.

Gjashtë vendimet e Kryeministrit të Kosovës, brenda pak më shumë se dy muajve, kanë bërë që të shpenzohet pothuajse gjysma e rezervës shtetërore.

Duke e parë këtë trend të shpejt të gëlltitjes së parasë nga kjo kategori e buxhetit, ka nxitur reagimin e ministrit të Financave, Bedri Hamza. Ai ka kërkuar që shpenzimet të planifikohen me kohë brenda buxhetit të rregullt dhe jo nga rezervat.

Ai kishte paralajmëruar se një trend i tillë shpejt mund ta lë vendin pa rezerva shtetërore.

Paratë e para të cilat Qeveria i mori nga rezerva e shtetit, ishin 54 mijë e 850 euro. Me vendimin e 12 janarit ato u dedikuan për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit 2018” për Komunën e Gjilanit.

Këto mjete u morën Shpenzimet e Paparashikuara dhe u transferuar në Komunën e Gjilanit në programin për kulturë, rini dhe sport. (Vendimi i Qeverisë 06/24 datë 12.01.2018)

Një muaj më vonë, Qeveria u tregua më dorëlirë – ndau 600 mijë euro për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton Insajderi.

“Ndahen mjete financiare në shumën 600.000 euro (gjashtëqind mijë) për realizimin e programit të Këshillit Organizativ për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë më 13 shkurt 2018. (Vendimi i Qeverisë 03/29 datë 13.02.2018)

Edhe këto mjete u ndan po ashtu nga Shpenzimet e Paparashikuara, kategoria e Shpenzimeve të Rezervës dhe u transferuan në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në po të njëjtën ditë, Qeveria ndau hiq më pak sesa 100 mijë euro për shënimin e Epopesë së UÇK-së.

“Për punën e Këshillit Organizues ndahen mjete financiare në vlerë prej 100.000.00 (njëqindmijë) euro, të cilat do të shfrytëzohen sipas nevojës për manifestim”, thuhet në vendimin tjetër të Qeverisë të po të njëjtës datë. (Vendimi i Qeverisë 04/29 datë 13.02.2018)

Sipas këtij vendimi, këto mjete ndahen nga Shpenzimet e Paparashikuara, nën programi Shpenzimet e Paparashikuara me kod 13100 dhe barten në Zyrën e Kryeministrit, nën programi Kabineti i Kryeministrit me kod 10700 në kategorinë ekonomike mallra dhe shërbime.

Një javë në vonë (20.02.2018), Qeveria në mbledhjen e saj mori vendim për ndarjen e 152 mijë e 619.46 euro për Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, mjete të cilat po ashtu u ndanë nga kategoria Shpenzime të Paparashikuara. (Vendimi i Qeverisë 07/32 datë 20.02.2018)

Gjithashtu, Qeveria në po të njëjtën mbledhje mori vendim që të ndahen 120 mijë euro për 800 familjet e rrezikuara të komunitetit egjiptian, raporton Insajderi.

“Ndahen mjete financiare në shumë prej 120.000.00 (njëqindenjëzet mijë) euro, për 800 familjet e rrezikuara të komunitetit egjiptian”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

“Mjetet nga pika 1. e këtij vendimi ndahen nga Shpenzimet e Paparashikuara, nën programi Shpenzimet e paparashikuara me kod 13100, kategoria e shpenzimeve të Rezervës, dhe transferohen në Ministrinë e Financave nën programin Thesari me kod 11200, kategoria e shpenzimeve subvencioneve dhe tranfereve”, thuhet më tej aty. (Vendimi i Qeverisë 08/32 datë 20.02.2018)

Më 5 mars të këtij viti, Qeveria mori vendim për t’ia ndarë 1 milion euro KOSTT-it.

“Ndahen mjete financiare në shumë prej 1.000.000 euro për KOSTT, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave veriore të Kosovës”, thuhet në vendim. (Vendimi i Qeverisë 02/34 datë 05.03.2018)

Këto mjete gjithashtu janë marrë nga “Shpenzimet e Paparashikuara, nën programi Shpenzimet e Paparashikuara me kod 13100 kategoria e Shpenzimeve të Rezervës, dhe transferohen në Ministrinë e Financave nën programi Thesari me kod 11200, kategoria e shpenzimeve subvencione dhe transfere. Këto mjete nga Thesari transferohen në llogarinë bankare të përcaktuar nga KOSTT”.

Nga e gjithë kjo del se Qeveria e Republikës së Kosovës deri më tani nga Rezervat Shtetërore ka shpenzuar 2,077,469.78 euro nga gjithsej 4,800,000 euro sa i ka kjo kategori.

Ndaj këtyre shpenzimeve kishte reaguar ish-ministri i Financave në qeverinë e kaluar, Avdullah Hoti (LDK).

Hoti kishte thënë se, krahasuar me Qeverinë Mustafa, qeveria aktuale ka shpenzuar pesë herë më shumë nga rezerva e shtetit.

“Nëse doni ta bëni një krahasim me Qeverinë Mustafa, për gjashtë muaj qeveria Mustafa ka shpenzuar 1.3 milion euro nga rezerva shtetërore. Pra, janë pesë herë më shumë që janë shpenzuar nga mjetet”, kishte thënë Hoti.

Ai kishte reaguar edhe për ndarjen e 1 milion eurove për KOSTT-in, duke quajtur atë si vendim skandaloz.

“Vendimi i fundit që është bukur skandaloz është ndarja e 1 milion eurove për rrymën e shpenzuar në veri”, kishte thënë tutje Hoti./Insajderi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat