Haradinaj: Një votë kundër demarkacionit, mund ta mbajë Kosovën në izolim

Aktuale

Haradinaj: Një votë kundër demarkacionit, mund ta mbajë Kosovën në izolim

Më: 16 mars 2018 Në ora: 10:36
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Mungesa e një deputeti të vetëm në seancën e të martës, kur do të votohet për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, mund të ndikojë në vazhdimin e izolimit të Kosovës, ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj. Ai ka ftuar deputetët e të gjitha partive parlamentare, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, që ta kuptojnë rëndësinë e pranisë së tyre në seancën e të martës dhe rëndësinë e peshës së votës së tyre atë ditë.

“Mungesa e një deputeti atë ditë, është porosi për ta mbajtur Kosovën në izolim”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Ai është shprehur i bindur se numri më i madh i deputetëve po e kuptojnë rëndësinë e votës për demarkacionin, ndonëse u ka bërë thirrje publike disa prej tyre që të ndryshojnë qëndrimin.

“Iu bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, krahut tjetër, Visar Ymerit, sepse e kemi marrë premtimin e LDK-së dhe grupeve tjera ta votojnë, që të votojnë, sepse nuk ka arsye që për një temë të tillë të ndahemi”, tha Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Po dëgjoj plotë deputetë që thonë se çka duhet të bëj Qeveria nëse votohet apo nuk votohet ligji për demarkacionin. E unë po e shtroj pyetjen, se çka duhet të bëjnë ata deputetë që bëhen shkaktar për mos kalimin e këtij ligji, i cili e ndalë izolimin e vendit dhe respekton tërësinë territoriale”, theksoi Haradinaj.

Ai rikujtoi se një kohë të gjatë edhe vet ishte kundër ratifikimin të kësaj marrëveshjeje, por tani, pas deklaratave të presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi për mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes dhe raportit të Komisionit shtetëror, Haradinaj tha se janë mundësitë e hapura që korrigjimet e marrëveshjes të ndodhin pas ratifikimit.

Gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seanca plenare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka arritur të kalojë në procedurën e votimit, ngase kishte mungesë të votave për ratifikimin e marrëveshjes.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, mbetet kusht i vendosur nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Haradinaj: Mungesa në seancën e demarkacionit, porosi për izolim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të krahut të Visar Ymerit, që ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi, pasi nuk ka arsye për një temë nacionale të ketë ndarje.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët me Listën Serbe, derisa ka shtuar se mungesa e një deputeti në seancën e së martës është porosi për ta mbajt Kosovën në izolim.

Sipas Haradinajt, është e pakuptimta pozicioni i mos përkrahjes së demarkacionit, në situatën e re të krijuar, konkretisht me deklaratën e dy presidentëve dhe mundësinë me u heq bllokimi i vendit.

"Çështja e votës është proces derisa ndodh. Ne e kemi votën por duhet të jemi serioz dhe vigjilent që të mos ndodhë ndonjë dështim. Për këtë arsye ne shkojmë me seriozitet të madh që të martën të jenë të gjithë. Mungesa e një deputeti në seancë të martën është porosi me mbajt Kosovën në izolim. Ne kemi negociuar me listën serbe, s’kemi gjet një gjuhë të përbashkët deri tani. I bëjë thirrje Visarit e kolegëve tjerë të mendojnë pak ku jemi ardhur. Nëse në këso momente nuk e kuptojmë rolin tonë, nuk e di si do të reflektojnë proceset”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu prezantoi koordinatorin nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahirin. Ky i fundit tha se e ka temë të interesimit administratën qeverisëse komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat