Maqedonia të marrë mësim nga Kosova për sistemin dy gjuhësor

Aktuale

Maqedonia të marrë mësim nga Kosova për sistemin dy gjuhësor

Më: 16 mars 2018 Në ora: 07:47
Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka nisur përgatitjet për një mbledhje me Qeverinë e Maqedonisë, e cila duhet të ndodhë së shpejti. Deri tash janë identifikuar rreth 30 tema, të cilat do të duhej t’i trajtohen, megjithatë ministrave i mbetet deri në fund të këtij muaj të mbyllin listën e propozimeve.

Në mbledhjen e Qeverisë, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj,  ka njoftuar kabinetin qeveritar mbi koordinimin e mbledhjes së  përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë.

Hoxhaj tha se po punohet intensivisht që të ketë një mbledhje sa më të shpejtë në mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Hoxhaj: Po punojmë intensivisht që shpejtë ta kemi mbledhjen

“Ne vazhdën e traditës së mirë sikurse që kemi pasur mbledhjen me Shqipërinë, po punojmë intenzivisht që ta kemi një mbledhje sa më shpejtë me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.  Koha dhe vendi i mbledhjes i takon kryeministrit Haradinaj ta caktoj me homologun e tij Zaev, por ne kemi identifikuar dhe në bazë të propozimeve të juaja edhe pse nuk janë të shumta, presim edhe më shumë propozime, që janë diku rreth 30 tema, të cilat do të duhej t’i trajtojmë. Arsyeja pse unë kam kërkuar ta kemi një pikë të rendit të ditës në këtë mbledhje të qeverisë, është që t’iu them juve që ne kemi një kalendar shumë preciz, në fund të marsit të mbyllet lista dhe koha e propozimeve”, tha ai.

Ndërsa tha se përtej nivelit të bashkëpunimit qendror mes dy qeverive, ministrive, agjencive qendrore, duhet të ketë bashkëpunim dhe mes odave ekonomike dhe në nivel komunash.

Hoxhaj foli dhe për tri çështje të rëndësishme siç i quajti ai si autostrada Prishtinë-Hani i Elezi që duhet të përfundojë gjatë këtij viti, të vazhdohet nga Bllaca deri në Shkup dhe se insistimi i tyre ka qenë që pala maqedone, ta kryej pjesën e punës në territorin e saj. Ndërsa tha se pika kufitare Stanqiq- Bellanovc, e cila është vazhduar prej vitit në vit, brenda 10 ditëve do të fillojnë punimet në këtë pikë kufitare, e cila jo vetëm që do ta ndihmojë lëvizjen e lirë të njerëzve por do ta lehtësoj lëvizjen e mallrave.

Hoxhaj: Kërkuam nga pala maqedone të merr mësim nga Kosova për përdorimin e sistemit dy gjuhësor

“Dje është kërkuar nga pala maqedone, pas miratimit të ligjit të gjuhës shqipe në Kuvendin e Maqedonisë, që Maqedonia të marrë mësim nga Kosova për përdorimin e sistemit dy gjuhësor. Do ta dërgojnë një ekip i cili në mbështetjen tuaj dhe me kolegë në Qeveri do të sheh mundësinë e mësimit nga praktika e mirë e Kosovës, e përdorimit të dy gjuhëve në nivel qendror. Unë dua t’iu lus dhe njëherë që të dilni me një listë të propozimeve, por jo vetëm që këtë listë të propozimeve, por të ketë hierarki të rëndësisë së temave. Meqë i kemi dhe nja dy javë në dispozicion, ju e dini cilat janë çështjet”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky do të duhej të jetë një takim domethënës.

Haradinaj: Duhet të dimë saktë numrin e temave

 “Republika e Maqedonisë është vërtetë një partner serioz për Kosovën. Kemi marrëdhënie të fuqishme dhe do të thellohen. Përgatitja e kësaj mbledhje ka dhe implikime të caktuara dhe  protokollare dhe kohore. Duhet ta dimë saktë numrin e temave, numrin e marrëveshjeve, protokolleve. Me u bë një plan funksional i këtij takimi. Mund ta merr karakterin dhe të një samiti, nëse kemi disa marrëveshje, disa protokolle... Ato që mund t’i bëni gati përpara iu lutem t’i bëni dhe t’i bëni si i takon. Njëkohësisht mos hezitoni dhe merrne me seriozitet  përgatitjen e takimit të dy qeverive”, tha ai.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 31 mijë euro, për Komunën e Prishtinës, për të kompensuar ndërmarrjen trafiku urban, e cila dy ditë me radhë ka bartur falas qytetarët, pas vendimit të Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës, për të ndalur qarkullimin e automjeteve nëpër qytet, si pasojë e ajrit të ndotur.

Zëvendësministri i Mjedisit, Besim Demi tha se me këto mjete do të kompensohet Trafiku Urban, i cili dy ditë me radhë ka bartur falas qytetarë.

Demi: Ta kompensojmë trafikun urban

“ Vendimi 1326 të datës 29 janar 2018 dhe vendimit të komunës së Prishtinës me numër 14 030, dhe të datës 30 janar 2018, me qëllim të përmirësimit të ajrit të Prishtinës, bën ndalimin e qarkullimit të të gjitha automjeteve, brenda zonës së parë të qytetit nga ora 6:00 deri në orën 22:00, për dy ditë rresht. Transporti i qytetarëve gjatë kësaj periudhe kohore, është bërë nga ndërmarrja komunale Trafiku Urban falas për të gjithë qytetarët. Me qëllim të kompensimit të shpenzimeve të kësaj ndërmarrje i propozoi Qeverisë, të nxjerr vendim për pagesën e shërbimeve në vlerë prej 31 mijë e 795 e 20 cent”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Qeveria po mbulon koston e ajrit të pastër.

Haradinaj: Qeveria mbulon koston e ajrit të pastër

“Kostoja e ajrit te pastër  për dy ditë, po mbulohet prej Qeverise”, tha ai.

Kurse, pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj në një konferencë për media, prezantoi koordinatorin nacional për reforma shtetërore Besnik Tahiri.

Haradinaj tha se kërkoi ndihmën e Tahirit, që të punohet në këtë fushë, e që janë dhe një nga reformat e kërkuara nga BE.

Haradinaj: E falënderoj për gatishmërinë për të marrë një përgjegjësi kaq të vështirë

“Këtë ndihmë ia kemi kërkuar kolegut tim por dhe të partisë, por jo për këtë arsye z. Besnik Tahiri, i cili një kohë të gjatë pikërisht e ka temë të trajtimit interesimit, administratën, qeverisjen, qeverisjen komunale, vendimmarrjen. E falënderoj për gatishmërinë për të marrë një përgjegjësi kaq të vështirë, kaq të zorshme dhe shumë të rëndësishme për avansimin e Kosovës, drejtë BE-së”, tha ai.

Besnik Tahiri  tha se detyra e dhënë nga kryeministri, është një përgjegjësi e madhe për të.

Tahiri: Është përgjegjësi e madhe

“Për mua është përgjegjësi shumë e madhe. Një  detyrë që ma ka dhëne kryeministri dhe që Qeveria dhe  kabineti e ka miratuar. Është procesi më i rëndësishëm i forcimit të zhvillimit të Republikës së Kosovës. Është detyrë që të ndërtojmë strukturat, tanimë do të ndërtojmë shtylla dhe do të mbërrijmë në kulmin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe krijimit të institucioneve, që për synim themelor kryesor kanë shërbimin publik. Unë pas gati dhjetë vjet, kur kam qenë në zyrën e kryeministrit, po kthehem me një detyrë që do të mundohem ta kryej duke i përfshirë akteret e ndryshëm”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu kërkoi nga deputetët e Vetëvendosjes që të martën ta votojnë demarkacionin.

Mblidhet qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës mban mbledhjen e rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Mbledhja mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe fillon nga ora 09:00.

Vetëm një orë më pas, Haradinaj pritet që të dalë në interpelancë para deputetëve me kërkesën e Vetëvendosjes, lidhur me vdekjen e ish-aktivistit të tyre, Astrit Dehari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat