Abdixhiku: Haradinaj po qeveris si të jetë në shtëpi

Aktuale

Abdixhiku: Haradinaj po qeveris si të jetë në shtëpi

Më: 16 mars 2018 Në ora: 00:21
Lumir Abdixhiku

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj për shpenzimin, siç thotë ai, të pamenduar të rezervave shtetërore.

Sipas Abdixhikut, Haradinaj po qeverisë me buxhetin si të jetë në shtëpi.

“Rezerva shtetërore ka shkuar drejt fundit në dy muajt e parë. Janë dhënë para si prej xhepit. Institucionet po menaxhohen si të qenit në shtëpi, vendime pa menduar dhe më pas po dalin të jenë të gabuara”, ka thënë Abdixhiku në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka kritikuar vendimin për dhënien e një milionë eurove për pagesën e rrymës për veriorët dhe planifikimin për ndarjen e një milionë eurove për shënimin e përvjetorit të 550-të të vdekjes së Skëndërbeut. Sipas Abdixhikut, më mirë do të ishte të ndaheshin këto para për barna dhe për mjekësi.

Abdixhiku ka shtuar se sapo të përfundojë votimi i demarkacionit, do të ketë “organizim më të mirë opozitar për të ndalur keqqeverisjen në vend”.

Ai ka komentuar edhe ndarjen e Vetëvendosjes dhe largimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga kjo parti. Nuk ka pranuar të bëjë ftesë, por ka shtuar se nëse Ahmeti ndryshon bindje dhe nuk i përket më krahut të majtë mund t’i bashkohet LDK-së.

“LDK i ka dyert e hapura për çdo njeri që mund të kontribuojë në të mirë të Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat