Muhaxhiri: Kalimi i Demarkacionit lajm i mirë edhe për ata që e kanë kundërshtuar

Aktuale

Muhaxhiri: Kalimi i Demarkacionit lajm i mirë edhe për ata që e kanë kundërshtuar

Më: 15 mars 2018 Në ora: 18:29
Artan Muhaxhiri

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka deklaruar se kalimi i demarkacionit në seancën e thirrur për të martën në 16:00, nuk do të ishte lajm i mirë vetëm për ata që e duan miratimin e këtij ligji, por edhe për ata që e kanë kundërshtuar.

“Do të fillojë një ecuri më dinamike drejt proceseve integruese”, ka deklaruar Muhaxhiri, “prandaj kalimi i vijës kufitare është një lajm i mirë për të gjithë, edhe për ata që kanë qenë kundër demarkacionit, pasi tani mund të kalojnë në një etapë tjetër të sfidimit të qeverisë”.

Muhaxhiri beson se demarkacioni do të kalojë të martën, megjithatë, në një intervistë në Info Magazine, ka pohuar se befasi s’do të ishte edhe po të ndodhë e kundërta, kur kihet parasysh jo serioziteti i klasës politike kosovare.

“Sipas të gjitha indikacioneve duket se të martën do të marrë fund saga e panevojshme, duket se më në fund është arritur ai numri magjik prej 80 votave – me kalimin e Donika Kadaj-Bujupit dhe premtimin e deputeti goran, zotëri Hoxhës që i takon grupit të Listës Serbe – por duket se më në fund ky numër do të arrihet”.

“Kjo situatë është një rezultat se si funksionon skena jonë politike, në vend se të bëjnë aleanca ideologjike dhe partneritet konstruktiv, politikanët në shumicën e rasteve kanë tendencë që ta personalizojnë çështjen dhe kështu të tentojnë ta marrin besimin e tyre për një votë në këtë proces jashtëzakonisht strategjik”.

“Tani e rëndësishmja është të kalohet, do të ishte e tmerrshme të thirrej seanca pa votat e sigurta”.

“Por, po mendoj se Haradinaj e di këtë dhe nuk besoj se do të bëjë gabim aq të madh dhe t’i shohim edhe njëherë tjetër deputetët duke vrapuar nëpër sallë kinse po i bëjnë votat”.

“Megjithatë niveli i jo seriozitetit është tashmë aq i madh sa edhe të martën është vështirë të besohet plotësisht, por ka indikacione se deputeti goran i është premtuar një beneficion për rajonin e tij të cilin mund ta bëjë ministria e Pal Lekaj dhe në këtë mënyrë edhe ai do të fitojë para votuesve të tij”.

Muhaxhiri e ka cilësuar kalimin e Demarkacionit me Malin e Zi si procesin më të rëndësishëm në Kosovë qysh nga shpallja e pavarësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat