Vetëvendosje: Zaev kurresesi nuk e kreu detyrimin ndaj shqiptarëve

Aktuale

Vetëvendosje: Zaev kurresesi nuk e kreu detyrimin ndaj shqiptarëve

Nga: A.ZH Më: 15 mars 2018 Në ora: 17:21
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, ka përshëndet urvotimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni, i cili edhe pse nuk është zyrtarizim i gjuhës shqipe në Maqedoni, është një përparim sa i përket të drejtave të shqiptarëve.

“Ky ligj megjithatë ende e trajton shqipen si një gjuhë minoritare, të barabartë me gjuhët e tjera minoritare, romishten, turqishten, vllahishten etj. Kjo është diçka që duhet synuar të ndryshohet, pasi shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet, por komb shtetformues autokton”, thotë VV-ja.

“Edhe pse sipas këtij ligji në banknota dhe në uniformat e ushtrisë e policisë nuk do të shkruhet shqip, votimi në kuvend përbën një hap përpara, krahasuar me kushtet e vështira dhe diskriminimin shtetëror me të cilin janë ballafaquar shqiptarët në vitet e fundit. Mbetet shqetësuese qasja antishqiptare e VMRO-së, partisë më të madhe opozitare, e cila vazhdon rrugën e njëjtë që ndoqi kur ishte në qeverisje, duke synuar joshjen e segmenteve elektorale me prirje shoviniste kundër shqiptarëve. Kjo qasje ndjehet që prej bllokimit ë presidentit të Republikës, Ivanovit, i cili e ka kthyer këtë projektligj disa herë në kuvend, e deri tek gjestet prej rrugaçi të Gruevskit”, thuhet më tej në reagimin e VV-së. 

Sipas kësaj partie, votimi i ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është arritje e domosdoshme por e pamjaftueshme.

“Kryeministri Zaev kurresesi nuk mund të thotë se tash e kreu detyrimin ndaj shqiptarëve, të cilët e mbështetën të vinte në pushtet. Shqiptarët kanë nevojë të marrin investime prej shtetit pa u diskriminuar, për shkolla më të mira e për vende pune. Ata kanë nevojë për infrastrukturë e pjesëmarrje të barabartë në institucione e administratë shtetërore. Mbi të gjitha kanë nevojë të ndalen ofendimet e kërcënimet ndaj tyre, si dhe diskriminimi në sistemin gjyqësor. Miratimi i këtij ligji ishte dashur të ndodhte që prej gushtit 2001, si pasojë e Marrëveshjes së Ohrit. 17 vjet vonesë nuk justifikohen me një arritje kaq të vogël. Shkollat, punësimi, trajtimi, investimet, buxhetimi, respektimi i shqiptarëve në Maqedoni ende nuk është as për së afërmi në nivelin e Marrëveshjes së Ohrit e lëre më në ato se çka me të drejtë u takojnë shqiptarëve”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat