Lekaj për herë të parë jep detaje për përplasjen me Pacollin në Kuvend

Aktuale

Lekaj për herë të parë jep detaje për përplasjen me Pacollin në Kuvend

Më: 15 mars 2018 Në ora: 16:47
Pal Lekaj

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në fund të muajit shkurt, kur dështoi seanca për ratifikimin e demarkacionit, patën një përplasje verbale mes vete. Ministri Pacolli akuzonte ministrin Lekajn se ka ndryshuar trasenë e autostradës Prishtinë-Gjilan, por ky i fundit ende vazhdon ta mohojë kategorikisht një gjë të tillë.

Lekaj për herë të parë ka folur për detajet e kësaj zënke dhe për raportet e tij me Pacollin tani.

“Sa i përket pretendimeve të zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, se unë kam ndikuar në ndërrimin e trasesë, para qytetarëve them që fare nuk jam marr me ndryshimin e trasesë, vetëm jam kujdes që procedurat të shkojnë në bazë të normave dhe Prokurorimit Publik. E kam gjetur të firmosur këtë projekt të firmosur nga ish-Komiteti Ndërministror, nga ish-ministri, Lutfi Zharku, dhe asnjë ndërhyrje nuk e kam bërë në projektin në fjalë”, ka thënë Lekaj.

Më pas, ai ka thënë se i ka qartësuar Pacollit se ndryshimi i trasesë së autostradave dhe rrugëve nacionale nuk mund të bëhet për interesa të caktuara.

“Autostradat dhe rrugët nacionale nuk mund të jenë interes i individit të caktuar apo klaneve të caktuara, por bëhen për lidhjen e korridoreve për transporteve të mallrave, njerëzve, por edhe që të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”, ka thënë ministri.

Lekaj tha se pretendimet e Pacollit nuk kanë qenë të bazuara në argumente.

“Ka pas një ngritje te tonit të zërit, por gjithçka është normale… por jam i thirrur ta respektojë ligjin”, ishin fjalët e Lekajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat