Amendamenti që përplasi gratë dhe burrat në Kuvend

Aktuale

Amendamenti që përplasi gratë dhe burrat në Kuvend

Më: 15 mars 2018 Në ora: 12:53
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për shoqëritë tregtare me 68 vota për, tre kundër dhe asnjë abstenim.

Një amendament i propozuar nga deputetja e LDK-së, Mimoza Kusari-Lila, që parasheh futjen e 40 për qind të femrave në bordet e ndërmarrjeve private, ka ngjallur debat të ashpër ‘pro’ dhe ‘kundër’ këtij propozimi.

Megjithatë, amendamenti 12, edhe pse pa përkrahjen e Komisionit funksional, mori 50 vota ‘për’, 35 ‘kundër’ dhe 5 abstenime.

Deputetja Kusari-Lila, tha se është rasti që në mënyrë afirmative të ndihmojnë fuqizimin e gruas në ekonomi.

Kusari-Lila: E kemi rastin ta fuqizojmë gruan në ekonomi

“Neni 34 pika 2 e Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Numri i grave në borde të shoqërive aksionare të jetë 40 për qind. E kemi rastin e drejtpërdrejtë që në mënyrë afirmative të ndihmojmë në përfshirjen dhe fuqizimin e gruas në ekonomi, përderisa numri i shoqërive aksionare private nuk e kalon numrin 240”, tha Kusari-Lila.

Mirëpo, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kërkoi mos kalimin e këtij amendamenti për shkak se mund të krijojë telashe te ndërmarrjet private.

Hasani: Nuk duhet të kalojë ky amendament

“Pavarësisht dëshirës për të përkrahur pjesëmarrjen 40 për qind të gruas në borde, për shkak të rrethanave që janë për shkak të telasheve që mund t'u shkaktojmë ndërmarrjeve private unë propozoj që ky amendament të mos kalojë veç nëse marrim vendim për ndërmarrjet publike. Për ndërmarrjet publike na shkakton telashe, sepse edhe në vendet më të zhvilluara sot është 23.3 pjesëmarrja e grave në borde. Edhe ne nuk jemi të përgatitur të kemi 40 për qind këtë pjesëmarrje të grave në borde drejtuese. Për shkak se shtetet më të zhvilluara nuk e kanë këtë kuotë, dhe nuk mund të merret një vendim për të gjitha bordet. Kemi praktika evropiane që kanë kuota për sektor të caktuar, por ju siguroj që ky ligj na shkakton telashe gjatë zbatimit nëse miratohet ky amendament”, theksoi Hasani.

Në dysh u ndanë edhe deputetët e Kuvendit, ku gratë deputete thuajse ishin njëzëri që ky amendament të kaloj, derisa një pjesë e deputetëve ishin kundër. Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, tha se gratë janë të përgatitura, nëse ai vetë nuk është i përgatitur.

Osmani: Ministër nëse s’jeni ju i përgatitur, gratë janë të përgatitura

“Ministër nëse ju nuk jeni i përgatitur gratë janë të përgatitura që të marrin rolin në institucionet publike që më në fund të marrin vendin e merituar jo vetëm në institucione publike, por t'i ndihmojmë nëpërmjet rolit tonë që atyre tu njihet meritat përgatitja e profesionalizimit edhe në ndërmarrje shoqërore. Ju thatë se asnjë vend i zhvilluar nuk ka një model të tillë. Norvegjia është vend i zhvilluar, Italia e Islanda janë vende të zhvilluara. Mbi të gjitha, ne të ndalemi në kushtetutën tonë, neni 24.3 i Kushtetutës pa bërë dallim mes institucioneve publike a ndërmarrjeve  private thotë se nëse një grup është më pak i përfaqësuar, atëherë institucionet publike ndërmarrin masa deri në momentin kur të arrihet kjo barazi, prandaj ne po e bëjmë këtë”, theksoi Osmani.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka kundërshtuar këtë nen, duke thënë se nuk mund t’ia kushtëzojnë bizneseve private numrin e anëtarëve femra që duhet t’i kenë në bordet e tyre.

Krasniqi: E pa kuptimtë kushtëzimi i ndërmarrjeve private

“Për mua është komplet, jo veç e pakuptimtë, por dyfytyrësi dhe përtej dyfytyrësi e një partie e qendrës së djathtë kërkon të bëjë ligje, të cilat ia imponojnë sektorit privat dhe kompanive private, ndërmarrjeve private qysh duhet t’i rregullojnë punët e brendshme, ku ka kështu me një vend privat. Ndërmarrjet publike në sektorin publik jam qind për qind për t’i mbështet jo vetëm 30 për qind që kemi në Kuvend, por hajde ta bëjmë edhe 50 për qind, edhe në ndërmarrjet publike në të cilat ne kemi interesin publik. Po me çfarë logjike shkojmë i themi një ndërmarrje private s’ki qare pa i pasur burra ose gra kaq shumë. Ju e dini që shumica e ndërmarrjeve në Kosovë janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, shumica e këtyre janë ndërmarrje familjare, dhe sot me këtë amendament po themi s’keni qare pa i futur në bord një numër të caktuar të grave. A e dini që me këtë amendament është mbi të gjitha shkelje e sektorit privat, është një imponim që shteti donë t’ia bëjë sektorit privat”, tha Krasniqi.

Pro këtij amendamenti me të zëshme ishin gratë deputete. Deputetja e grupit të deputetëve të pavarur, Shqipe Pantina, tha se është detyrë e shtetit dhe e tyre si deputetë që të korrigjojnë padrejtësitë, pasi ka pabarazi gjinore në vend.

Pantina: Është detyrë e jona në këtë rast në korrigjimin e këtyre padrejtësive

“Është detyrë e shtetit, është detyrë e jona në këtë rast në korrigjimin e këtyre padrejtësive. Ne nuk mund të pretendojmë të ndërtojmë një shoqëri të barabartë ku një shans të tillë nuk ua japim grave në biznese. Kjo është një mundësi e mirë që të fillohet që këto padrejtësi, e nuk mund të garantojmë zbatimin e ligjit, sepse ne për çdo ditë hasim në ose mos zbatim të ligjeve ose në shkeljen e tyre”, theksoi ajo.

Edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, u shpreh në favor të këtij amendamenti, duke thënë se edhe Kushtetuta siguron mundësi të barabarta të pjesëmarrjes në jetën politike, ekonomike e sociale.

Haxhiu: Kushtetuta siguron pjesëmarrje të barabartë

“Jo shumë larg 8 marsit jemi, pikërisht në ditën kur në këtë Kuvend flitej për barazi gjinore dhe po me duket qëndrimet e sotme goxha regres në këtë drejtim. Edhe në Kushtetutën e vendit, duke qenë se në Komisionin për legjislacion ka për detyrë t’iu vlerësojë amendamentet, po dua ta lexoj nenin 7 që ka të bëjë me vlerat. Kosova siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabartë të pjesëmarrjes së grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale dhe fushat tjera”, tha Haxhiu.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zeka, e ka quajtur demagogji miratimin e këtij neni dhe sa për ta fituar ndonjë votë nga gratë.

Zeka: Kjo është hajgare

“Me pas dashtë këta deputetë me luftuar për të drejtat e grave ua kishit bërë sigurimet shëndetësore, ju ua kishit bërë pushimin e lehonisë 12 muaj, ju kishit bërë ligje që favorizojnë gruan dhe e rrisin forcën e gruas në shoqëri. Le të dalë Behgjet Pacolli le të na tregon a i ndërhynë shteti i Zvicrës se sa njerëz i çon në bord kompania e tij. Kjo është hajgare të krahasohet këtu me Norvegjinë e Suedinë, ku na jemi shtet jashtëtokësor. Në Suedi e ke 18 muaj pushimin e lehonisë, në Suedi e merr baba pushimin e lehonisë. E na këtu s’kemi ndihma sociale, s’kemi asgjë kurrgjë. Ju s’keni sjellë kurrfarë ligji në favor të grave e tash po çoheni po i qesim në bord atje 40 për qind”, shtoi Zeka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat