Presheva, mirëpret zyrtarizimin e shqipes në Maqedoni

Aktuale

Presheva, mirëpret zyrtarizimin e shqipes në Maqedoni

Nga: Sevdail Hyseni Më: 15 mars 2018 Në ora: 08:15
Talat Xhaferi

Lajmi i shumëpritur se Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror, ka gëzuar dhe trimëruar shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Me këtë lajm të mirë, janë gëzuar të gjithë shqiptarët kudo që janë, ngase sipas “dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet”, theksojnë mediet lokale dhe rajonale.

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni, është një hap përpara në rrugëtimin e gjuhës shqipe për zyrtarizim  edhe në republikat tjera të ish Jugosllavisë, ku ka shqiptarë, si Serbia dhe Mali i Zi.

Deri sa në Mal të Zi, ku ka më pak shqiptarë se në Luginë të Preshevës, ka një avancim më të përparuar të gjuhës shqipe në institucionet lokale dhe qendrore.

Po mbetet gjuha shqipe në Luginë të Preshevës e vetmja në hapësirat e etnikumit shqiptar më e diskriminuara në përdorimin e saj zyrtar, me shpresë se në një të ardhme jo të largët me ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve të pakicave kombëtare në Serbi dhe gjuha shqipe do të trajtohet si gjuhë e barabartë me gjuhën serbe, jo vetëm në nivel lokal, aty ku e ka pushtetin, por edhe në atë qendror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat