13 vite nga atentati ndaj Ibrahim Rugovës, ja tre emrat e përmendur si autor

Aktuale

13 vite nga atentati ndaj Ibrahim Rugovës, ja tre emrat e përmendur si autor

Nga: P.R Më: 15 mars 2018 Në ora: 08:04
Atentati ndaj Ibrahim Rugovës me 15 mars 2005

Ishte mëngjesi i 15 marsit 2005, derisa eskorta e Presidentit historik, Ibrahim Rugova po bënte rrugën e zakonshme nga rezidenca në Velani drejt ndërtesës së Kuvendit ku gjendet Zyra e Presidentit, Rugova i kishte shpëtuar një atentati.

Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë kishte thënë se rreth orës 8 e 20 minuta, sipas kohës lokale, kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm në rrugën Ramiz Sadiku, prapa Teatrit Kombëtar.

Pak minuta më pas, Rugova duhej të takohej në zyrën e tij në Presidencë, me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana i cili kishte ardhur në Prishtinë. Presidenti Rugova i mbijetoi edhe këtij sulmi.

Kryesit e këtij atentati nuk janë gjetur asnjëherë, por Agim Hoti pretendon se është autor i dy tentim atentateve ndaj ish-Presidentit Ibrahim Rugova. Nga burgu i Dubravës, Hoti thotë se ata që bënë pazar me të për të vrarë janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj.

Por personat e përmendur këto deklarime i kishin quajtur shpifje.

Në bisedë telefonike nga burgu për Express, kohë më parë Hoti kishte deklaruar se përveç atentatit që ka kryer në vitin 2007 ndaj Anton Berishës, ai vetë ka kryer edhe dy sulme të tjera, njërin në vitin 2004, e tjetrin një vit më pas. Të dy këto tentim atentate ndaj ish-Presidentit Rugova.

Që të dy sulmet ndaj ish-Presidentit, ai kishte deklaruar se i ka kryer me urdhër të Xhavit Halitit, Artan Nimanit, si dhe Agron Haradinajt.

Hoti pretendon se për këto punë, ka marrë 5 mijë euro në janar 2004.

“Unë jam ai i cili e kam gjuajtur bombën më 12 mars të vitit 2004, në oborrin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, me urdhër të Xhavit Halitit, Agron Haradinajt e Artan Nimanit”, kishte thënë Hoti.

“Unë e kam kryer atentatin e parë në vitin 2004 ndaj Rugovës. E kam gjuajtur bombën në shtëpinë e tij, me urdhrin e atyre që i përmenda”, kishte thënë Hoti.

Më tej, ai deklaron se sulmin tjetër që ka ndodhur një vit më pas ndaj ish-Presidentit e ka kryer vetë, dhe me të njëjtit urdhra nga të njëjtit njerëz.

“E kam ndrequr dinamitin dhe e kam instaluar në një kontejner. Jam ulur në një qebaptore kinse për të ngrënë dhe me teledirigjues është aktivizuar, kur makina e tij ka kaluar andej”, kishte deklaruar Agim Hoti.

Ndërsa, kujtojmë se Presidenti aktual Hashim Thaçi, ne 4 letrat e tij dërguar prokurorisë për zbulimin e vrasjeve politike, kishte përmednur edhe atentatin ndaj presidentit Rugova. Deri më tash, nuk ka asnjë rezultat nga kërkesa e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat