Gjykata rrëzon vendimin e kryeshefit të IPK-së që anuloi konkursin për hetues, obligohet vazhdimi i procedurës së rekrutimit

Aktuale

Gjykata rrëzon vendimin e kryeshefit të IPK-së që anuloi konkursin për hetues, obligohet vazhdimi i procedurës së rekrutimit

Më: 14 mars 2018 Në ora: 13:53
Ilustrim


Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar të bazuar kërkesëpadinë e paditësve Adrianit Ibrahimi, Leotrim Bytyqi, Hazer Mallaku, Lenart Berisha, Dukagjin Halitaj, Ragip Rexhepi, Visar Shehu, Taulant Nika dhe Avdi Prokshi, kundër të paditurës Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), respektivisht Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Gjykatësja Saranda Bogaj-Sheremeti, më 9 mars 2018, ka marrë vendim, me të cilin ka anuluar vendimin e kryeshefit ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Hilmi Mehmeti, i cili kishte anuluar konkursin për pozitën inspektor/hetues të IPK-së.

Sipas aktgjykimit që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Gjykata gjithashtu e ka obliguar këtë institucion që të vazhdojë procedurën e rekrutimit për pozitën inspektor/hetues të IPK-së, në të cilën pozitë, paditësit ishin përzgjedhur si kandidatë të suksesshëm.

Po, ashtu e njëjta është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 810 euro, të gjitha këto në afat prej 7 ditësh nga dita e marrjes së aktgjykimit.

“Gjykata duke marrë parasysh provat e administruara dhe deklaratat e palëve ndërgjyqëse gjeti se e paditura ka vepruar ne kundërshtim me Ligjin e Procedurës së Përgjithshme Administrative neni 4, 7, 8, 13, 47, pastaj ka vepruar në kundërshtim me nenin 48 par.3 të udhëzimit administrativ nr.17, nenin 48 par.4 dhe 5, dhe nenin 47 të këtij udhëzimit”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

Ndër të tjerash, në këtë arsyetim thuhet se ministri nuk ka legjitimitet që në situata të tilla të pranojë ankesa, ku si arsye nga ana e të paditurës, ceket se kjo procedurë është anuluar për shkak të shumë ankesave lidhur për këtë përzgjedhje dhe se për këtë është bërë një raport i auditimit, të cilit gjykata edhe ia fali besimin.

Po ashtu, gjykata ka gjetur se neni 10 paragrafi 2 i Ligjit për IPK-në, në mënyrë decidive i përcakton përgjegjësitë e ministrit në raport me inspektoratin e punës dhe në asnjë nen të këtij ligji nuk përcaktohet se ministri ka të drejtë të kërkojë anulimin e procedurës së rekrutimit.

Në rastin konkret, gjykata ka vlerësuar se ministri ka tejkaluar kompetencat e veta për anulimin e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve, madje edhe kryeshefi ekzekutiv, vendimin të cilin e kishte marrë në bazë të kërkesës së ministrit ka tejkaluar kompetencat e veta ligjore.

Gjykata pas administrimit të provave gjeti se vendimi për anulimin e procedurës së rekrutimit, nga i cili vendim janë prodhuar gjithë këto pasoja juridike, i njëjti nuk ka elementet qenësore të një vendimi të rregullt dhe nuk është i arsyetuar pothuajse fare.

Nëntë paditësit, më 2 shkurt 2018, kishin ushtruar padi ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) – Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), me të cilën kishin kërkuar anulimin e vendimit të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, Hilmi Mehmeti dhe kishin kërkuar që e paditura IPK, të vazhdojë procedurën e rekrutimit.

Me 24 korrik 2017, Divizioni i Burimeve Njerëzore në kuadër të Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), kishte shpallur hapjen e konkursit për rekrutim dhe për plotësimin e vendeve të lira të punës.

Në kuadër të këtij konkursi, nëntë paditësit i ishin nënshtruar testit me shkrim, testit fizik, intervistës me gojë, kontrollit mjekësor-psikologjik si dhe verifikimit të dhënave dhe të kaluarës së tyre.

Sipas padisë, duke qenë se kandidatët e pakënaqur kanë pasur të drejtë ankese pas secilës fazë, paditësit kishin vazhduar në fazën e dytë, vetëm pas vendosjes sipas ankesave përkatëse.

Kështu, paditësit u ishin nënshtruar të gjitha testeve, më 29 gusht 2017 testimit me shkrim, më 4 tetor testimit fizik, më 18 dhe 19 tetor kishin vazhduar me testin me gojë (intervistës), të cilat teste, sipas padisë, paditësit i kishin kaluar me sukses.

Më 20 tetor 2017, Divizioni për Burime Njerëzore në kuadër të IPK-së, sipas padisë, kishte publikuar listën e rezultateve të testimit dhe intervistimit dhe nëntë paditësit ishin radhitur në fillim të listës.

Gjithnjë sipas padisë, pas publikimit të këtyre rezultateve, paditësit kishin vazhduar edhe në dy fazat tjera, atë të testit mjekësor-psikologjik si dhe të verifikimit të dhënave dhe të kaluarës së kandidatit, në të cilat faza paditësit i kishin kaluar me sukses.

Më 3 nëntor 2017, Divizioni për Burime Njerëzore i IPK-së, kishte publikuar listën përfundimtare të kandidatëve të përzgjedhur, në të cilën listë figuronin emrat e secilit prej paditësve si kandidatë të suksesshëm nga e gjithë procedura e rekrutimit.

Përmes kësaj liste, sipas padisë, ky divizion i kishte bërë thirrje të gjithë kandidatëve të suksesshëm që me 6 nëntor 2017, të paraqiteshin në IPK për t’i nënshtruar kontratat e punës me punëdhënësit.

Në të njëjtën datë, paditësit ishin paraqitur në IPK për nënshkrimin e kontratave dhe ishin njoftuar se kontratat ishin përgatitur, ishin protokolluar dhe nënshkruar nga IPK, respektivisht nga kryeshefi ekzekutiv, Hilmi Mehmeti.

Mirëpo, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, gjatë kohës sa kandidatët ishin në pritje të nënshkrimit të kontratave të punës, kishte marrë vendim për pezullimin e nënshkrimit të këtyre kontratave individuale, gjoja si pasojë e disa ankesave që ishin parashtruar tek ai në lidhje me procesin e rekrutimit.

Ministri Sefaj, më pas i kishte bërë kërkesë kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, Hilmi Mehmeti, i cili e kishte anuluar vendimin për konkursin në fjalë.

Paditësit, pretendojnë se e drejta e ankesës ishte shteruar dhe nuk ekziston mundësia që të ushtrohet ankesë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, pasi gjatë tërë procesit të rekrutimit, kandidatët e pakënaqur me rezultate kishin pasur mundësi që pas publikimit të rezultateve për secilën fazë, të ushtrojnë ankesë për shkeljet eventuale të pretenduara nga ta.

Sipas padisë, arsyetimi i ministrit Sefaj, ishte i pabazuar dhe i paqëndrueshëm, për arsye se e drejta e ankesës ka mundur të ushtrohet pas çdo faze veç e veç, e jo pas përfundimit të gjithë procesit.

Paditësit duke e konsideruar vendimin e ministrit Sefaj, si jo ligjor, më 3 janar 2018, kishin ushtruar ankesë pranë komisionit për shqyrtimin e ankesave, duke kërkuar që të obligohet kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, për lidhjen e kontratave individuale të punës.

Paditësit më 5 janar 2018, i ishin drejtuar me parashtresë edhe ministrit Sefaj, duke kërkuar anulimin sipas detyrës zyrtare të vendimit të tij.

Por, si pasojë e mos marrjes së përgjigjes, paditësit edhe një herë i ishin drejtuar komisionit për shqyrtimin e ankesave në kuadër të IPK-së, dhe atë me urgjence për vendosje të ankesës.

Më 22 dhe 23 janar 2018, paditësit kanë dërguar disa njoftime rreth procesit të rekrutimit në IPK dhe ndërhyrjeve politike të ministrit Sefaj.

Këto njoftime, ata iu kanë dërguar, Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Komisionit Parlamentar për të drejtat e njeriut, barazisë gjinore dhe persona të pagjetur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisionit parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës të Kuvendit të Republikës së Kosovës, EULEX-it, zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadave të huaja në Kosovë dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Si rezultat i këtyre njoftimeve, më 24 janar 2018, KMDLNJ kishte lëshuar komunikatë për media me të cilën kishte njoftuar se kishin pasur takim me ministrin Sefaj për shqyrtimin e ankesave të 17 kandidatëve për hetues në IPK, për arsye që sipas KMDLNJ-së, ndaj tyre po bëhen shkelje drastike të të drejtave të njeriut.

Po ashtu, më 29 janar, Avokati i Popullit kishte publikuar raportin me rekomandime drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, ministrit Sefaj dhe kryeshefit ekzekutiv në IPK, Hilmi Mehmetit me konstatimin se paditësve iu ishin cenuar: të drejtat e tyre në punë dhe në ushtrimin e profesionit, të drejtat për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtat ë tyre në mjete juridike.

Duke qenë se paditësit nuk kishin marrë përgjigje në ankesën e tyre, ata ishin detyruar që brenda afatit ligjor t’i drejtohen gjykatës përmes kësaj padie për të realizuar të drejtën e tyre ligjore, të cilët pretendojnë se u takon.

Paditësit me anë të padisë, kishin kërkuar që të anulohet vendimi i kryeshefit ekzekutiv të IPK-së si i kundërligjshëm, të obligohet IPK-ja që të vazhdojë procedurën e rekrutimit duke i nënshkruar kontratat e punës me paditësit, të obligohet IPK-ja që paditësve t’ia kompensojë pagat e papaguara nga 29 dhjetori 2017 e deri në kthimin e tyre në punë me kamatë ligjore nga dita e ushtrimit të padisë e deri në pagesën definitive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat