Haradinaj: Miqësi e partneritet afatgjatë me Kroacinë

Aktuale

Haradinaj: Miqësi e partneritet afatgjatë me Kroacinë

Më: 14 mars 2018 Në ora: 13:08
Pamje nga takimi Haradinaj-Pejçinoviq-Buriq

Miqësia ndërmjet dy popujve, atij të Kosovës dhe Kroacisë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sikurse ishin bashkë dhe i dolën në ndihmë njëri-tjetrit edhe në kohë të vështira.

Këtë mesazh e përcolli kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me zëvendëskryeministren dhe ministre e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Marija Pejçinoviq-Buriq, duke shtuar se Kosova është e rëndësishme ta ketë në krah shtetin kroat si partner dhe si mik.

Haradinaj, e njoftoi zëvendëskryeministren Pejçinoviq-Buriq për të arriturat në Kosovë dhe agjendën evropiane, duke theksuar se shembulli i rrugëtimit të Kroacisë deri në anëtarësim në BE dhe në NATO, është një shembull i mirë, të cilin duhet ta ndjekë edhe Kosova në rrugën e saj euroatlantike.

Në takim u bisedua edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, për krijimin e ushtrisë, anëtarësimin në organizatat e huaja, për pozitën dhe rolin e shqiptarëve në Kroaci, por edhe për pozitën e komunitetit kroat në Kosovë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se do të ofrojë përkrahjen e nevojshme. 

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Maria Pejçinoviq-Buriq, shprehu gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit të saj për bashkëpunim bilateral në fushën e ekonomisë dhe përkrahjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj integruese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat