Vetëvendosje: Qeveria ka rënë moralisht dhe me numra, të bie dhe vendi të shkojë në zgjedhje - Bota Sot
Vetëvendosje: Qeveria ka rënë moralisht dhe me numra, të bie dhe vendi të shkojë në zgjedhje

Aktuale

E enjte, 21 qershor 2018

Vetëvendosje: Qeveria ka rënë moralisht dhe me numra, të bie dhe vendi të shkojë në zgjedhje

Nga: G.B Më: 13 mars 2018 Në ora: 13:34
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Qeveria ka rënë edhe moralisht edhe me numra dhe duhet të bjerë edhe formalisht.

Përmes një komunikate për media, kjo parti ka thënë se Kuvendi tash e sa kohë është bllokuar nga deputetët e koalicionit, që nuk e lejojnë vendimmarrjen dhe zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, përcjell Bota sot.

VV thotë se vendi nuk mund të mbetet peng i një koalicioni të tillë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Komunikata e plotë e VV-së:

Qeveria ka rënë edhe moralisht edhe me numra - tash duhet të bjerë edhe formalisht

Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucioni më i lartë dhe i rëndësishëm i Republikës tonë parlamentare, tash e sa kohë është bllokuar nga deputetët e koalicionit qeverisës që nuk e lejojnë vendimmarrjen dhe zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

Bllokimi i seancës së sotme të Kuvendit nuk ishte rasti i parë, por një praktikë e përsëritur rëndomtë që prej fillimit të vitit 2018. Debati për seancën e mbajtur sot në lidhje me interpelancën kundër rritjes së jashtëligjshme të pagave të qeverisë dhe për nevojën për rritjen e pagës minimale, është shtyrë tri herë. Sakaq, votimi për rezolutën e propozuar për këtë interpelancë është shtyrë dy herë. Siç ka ndodhur edhe herë të tjera, edhe për çështje të tjera, deputetët e koalicionit qeverisës marrin pjesë në fillim të seancave të Kuvendit por pastaj nuk votojnë dhe kështu pamundësojnë kuorumin në votim dhe bllokojnë punimet. Në fillim të seancës së sotme kishte kuorum, por më tej punimet u ndalën sepse votimi nuk përmbushi kuorumin edhe pse mori shumicën e votave të atyre deputetëve të opozitës që votuan. Deputetët e koalicionit qeverisës bëjnë numra akrobatikë në Kuvend gjatë votimeve për të prishur kuorumin, sepse koalicioni qeveritar thjesht nuk i ka numrat e votave në Kuvend për ta mbajtur veten në pushtet.  

Ky koalicion pushteti ka rënë moralisht ende pa u formuar. Ai u krijua përmes dredhisë para dhe pas zgjedhjeve për interesa të ngushta. Ai e fryu qeverinë që të kënaqte të gjitha apetitet e mundshme të partive e individëve të ndryshëm që bëjnë pjesë në të deri sa emëroi edhe 70 zëvendësministra. Ky koalicion, më tej qëndroi në pushtet përmes tradhtisë ndaj premtimeve që u ishin bërë qytetarëve para zgjedhjeve. Sikur këto të mos mjaftonin qytetarët po përjetojnë një prej gjendjeve më të rënda socio-ekonomike të vendit, për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe faturave të shtrenjtuara, për shkak të rritjes së papunësisë dhe varfërisë, dhe si pasojë edhe e skandaleve me pasoja të rënda si përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit për arsimin e lartë duke rrezikuar njohjen e të gjitha diplomave universitare të Kosovës.

Ky koalicion ka rënë tashmë edhe moralisht edhe me numra në Kuvend dhe mbahet në pushtet me zor dhe padrejtësisht. Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbeten peng e një koalicioni të tillë pushteti krejtësisht të dështuar e të papërgjegjshëm, që po bllokon vendimmarrjen në Kuvend. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen!

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test