Mitchell: Zgjidhja e kufirit me Malin e Zi e rëndësishme

Aktuale

Mitchell: Zgjidhja e kufirit me Malin e Zi e rëndësishme

Më: 12 mars 2018 Në ora: 13:04
Wess Mitchell dhe Hashim Thaçi

Ndihmës sekretari i shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike Wess Mitchell tha sot se Kosova ka marrë hapa të rëndësishëm.

Mitchell  në një  konferencë të përbashkët  me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që u mbajt në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” tha se me presidentin kanë biseduar për çështjen e kufirit me Malin e zi dhe rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështje. Sipas tij vetëm Kosova mund të zgjedh të ardhmen e saj.

Mitchell tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë duke punuar krah për krah me Kosovën.

Zyrtari amerikan ka mohuar të ketë ndonjë plan për Kosovën që do ia dorëzojë Serbisë,  duke i quajtur raportimet për këtë çështje si  spekulim.

Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se askush nuk ka arsye që ta vonojë çështjen e demarkacionit.

Presidenti shpreson që partnerët e koalicionit qeveritar  janë duke biseduar me Listën Serbe që kjo çështje të përmbyllet ditët e ardhshme.

Sipas Thaçit askush s’ka arsye që ta vonojë demarkacionin dhe se kjo është interes strategjik dhe shtetëror.

Me zyrtarin e SHBA-ve presidenti tha se kanë biseduar edhe për transformimin e FSK-së dhe  mundësinë e vazhdimit të  dialogut Kosovë-Serbi.

Thaçi tha se Kosova nuk do të lejojë  asnjë formë të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.

Mitchell do të ketë një takim edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat