Bytyqi: Shkollat profesionale janë prioriteti ynë

Aktuale

Bytyqi: Shkollat profesionale janë prioriteti ynë

Më: 11 mars 2018 Në ora: 16:06
Shyqiri Bytyqi ka deklaruar sot se shkollat profesionale janë prioritet i tij dhe Qeverisë së Kosovës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka deklaruar sot se shkollat profesionale janë prioritet i tij dhe Qeverisë së Kosovës.

Këto komente i pari i MASHT-it i bëri në vizitën që i bëri shkollën profesionale "11 marsi" në Prizren, në nder të 57-vjetorit të themelimit të kësaj shkolle.

Bytyqi: Shkollat profesionale do të jenë prioritet i qeverisjes sonë

"Shkolla profesionale është angazhimi edhe i joni, i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, jo rastësisht ne në programin qeverisës kemi deklaruar që shkollat profesionale do të jenë prioritet i qeverisjes sonë. Kjo ishte për një arsye, sepse të rinjtë tanë kishin nevojë që të fitonin dituri dhe shkathtësi të nevojshme, kompetencat e nevojshme dhe që të vijnë shumë lehtë deri tek punësimi i tyre. Këtu me shkollën tuaj e pash këtë, vizituam disa kabinete vërtet ishin fascionuese puna e jashtëzakonshme e nxënësve tanë që nga piktura e deri tek punimet mekanike", tha ai.

Bytyqi tha se Kosova ka nxënës të mrekullueshëm, por sipas tij ajo që duhet është një angazhim i mësimdhënësve t’iu ofrojnë dijen e nevojshme dhe shkathtësi të nevojshme. Ndërsa, shtoi se ata si udhëheqës të dikasterit të arsimit e kanë për obligim që të krijojnë kushte shkollave profesionale për mësimdhënësit.

Lëvdata për këtë shkollë në 57-vjetorin e themelimit pati edhe Jetmir Berisha nga Agjencioni për aftësim profesional.

Berisha: Jemi befasuar me gjithë atë çka kemi pa

"Sa herë që kemi ardhur në shkollën e mesme të lartë 11 marsi në Prizren jemi befasuar me gjithë atë çka kemi pa. Kemi qenë edhe herët e tjera dhe vazhdimisht kemi parë ndryshime në secilin prej sektorëve që i keni në secilin prej drejtimeve që i keni këtu në shkollë", tha ai.

Skënder Susuri, drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit para nxënësve ka paraqitur prioritetet e tij.

"Programi jonë bazohet në tri shtylla kryesore, shtylla e parë është siguria e nxënësve, ne angazhohemi që shkollat tona të jenë të sigurta dhe gjithëpërfshirëse. Shtylla e dytë është vendimmarrje e përbashkët, këtë jemi duke e thënë sa e sa herë nuk do të ketë në Komunën e Prizrenit asnjë vendimmarrje e cila nuk do ta ketë mbështetjen e komunitetit të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve. Angazhimi ynë i tret do të jetë cilësia, ne do të punojmë fuqishëm së bashku që cilësia në shkollat tona të shënoj rritje", tha ai.

Bujar Lajqi, mësues në shkollën  profesionale "11 marsi", tha se kjo shkollë është duke e trasuar rrugën drejt një qendre të mirëfilltë profesionale.

Lajqi: Na duhet ndihmë e veçantë edhe nga tregu i punës

"Falë punës dhe angazhimit të mësimdhënësve, menaxhmentit të shkollës, stafit tjetër administrativ dhe atij ndihmës shkolla jonë është duke e trasuar rrugën drejt një qendre të mirëfilltë profesionale. Në ngritjen e cilësisë në arsimin dhe aftësimin profesional të nxënësve tanë që ata të jenë kompetentë për profilin që e mbarojnë, pos stafit pedagogjik të shkollës na duhet ndihmë e veçantë edhe nga tregu i punës", tha ai.

Ndryshe, shkolla e mesme e lartë profesionale "11 marsi", ka gjithsej 1 mijë e 500 nxënës në profile të ndryshme.

Ministri Bytyqi gjatë ditës ka vizituar edhe objektet e kësaj shkolle.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat