Nesër s’ka mësim, paralajmërohet grevë e përgjithshme

Aktuale

Nesër s’ka mësim, paralajmërohet grevë e përgjithshme

Më: 11 mars 2018 Në ora: 15:26
Nënkryetari i SBASHK-ut, Lutfi Mani

Nesër nuk do të mbahet mësimi në të gjitha institucionet arsimore, universitete dhe shkollat e mesme dhe fillore, duke përjashtuar çerdhet, e nëse Qeveria e Kosovës nuk reflekton ndaj kërkesave për ligjin e viteve të 90-ta, SBASHK do të hyjë në grevë të përgjithshme.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i SBASHK-ut, Lutfi Mani, i cili në një intervistë tha se pas grevave 2 orëshe, SBASHK-u e ka parë të rrugës që të vazhdojë me një grevë gjithëditore në mënyrë që institucionet e vendit të reflektojnë ndaj kërkesave të tyre.

Mani: Nëse nuk ka reflektim, veprimi i radhës është grevë gjenerale

“Nesër është akti i radhës që është marrë, pas vërejtjeve me nga një orë dhe dy orë. Nesër është një grevë gjithëditore. Do të thotë nesër nuk mbahet mësim fare dhe në qoftë se nuk kemi reflektim të institucioneve tona, nuk kemi bisedime dhe gjetje të gjuhës së përbashkët për të shkuar ligji i viteve 1990-1999, atëherë me siguri se veprimi i radhës është grevë gjenerale. Ne dëshirojmë që kjo punë të zgjidhet me dialog dhe të reflektojnë institucionet të cilat janë përgjegjëse për vitet e 90-ta”, tha ai.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës nuk është e interesuar të humbas mësim, e për këtë nënkryetari i saj, Lutfi Mani thotë se ditën e martë mësimi do të zhvillohet normalisht në të gjitha institucionet arsimore.

Me shpresën se institucionet përkatëse do të reflektojnë, ai thotë se SBASHK-u do t’i jap afatin e nevojshëm Qeverisë të Kosovës për të gjetur zgjidhjen për zbatimin e kërkesës së tyre.

Mani: Ditën e martë do të jetë mësim normal

“Ditën e martë do të jetë mësim normal. Tubohen strukturat e SBASHK-ut, tubohet Këshilli i Përgjithshëm, të gjitha organet e SBASHK-ut dhe pastaj mendojmë për hapat e mëtutjeshëm, por gjithmonë duke i lënë rrugë bisedës. Ne prapë prej të martës do t’i japim kohë dhe hapësirë Qeverisë, Ministrisë të Financave, asaj të Mirëqenies Sociale, sepse këto janë të ndërlidhura, që të gjejnë zgjidhjen e draft-ligjit që është prej vitit 2013 duke u sillë në sirtarët e Qeverisë”, u shpreh Mani.

Ai thotë se nuk do të pushojnë së angazhuari që përmes dialogut me Qeverinë të arrihet plotësimi i kërkesave të tyre dhe që ligji mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta, të marrë dritën e gjelbër dhe të shkojë në Parlament.

Derisa u shpreh optimist se kjo nuk do të vonojë shumë, pasi që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë disa takimeve me mësimdhënës ka premtuar se do të përkushtohet në zbatimin e ligjit në fjalë.

Mani: Ata mësimdhënës meritojnë shumë

“Është fakt që nuk kanë reflektuar, nuk ka një sukses në ato, por diçka ka. Ne kemi pasur takim me kryeministrin, pastaj ai ka ardhur në kongres, ka marrë pjesë në shpërndarjen e  mirënjohjeve dhe në të gjitha këto takime kryeministri ka thënë se është personi që do të bëjë të pamundurën për t’u realizuar ai ligj, sepse ai ligj ngërthen në vete, jo vetëm anën materiale për punëtorët e arsimit, por ka edhe anën politike, sepse një diçka e tillë, 10 vite me u mbajtur mësim jashtë sistemit të një shteti, kjo nuk ka ndodhur askund në botë... Prandaj e ka vlerën e vet historike. Ata mësimdhënës meritojnë shumë, secili mësimdhënës meriton ta ketë vendin, nderin më të madh, ku duhet të mendohet në nivel të shtetit se cila do të jetë mirënjohja që do t’iu jepet atyre për meritat që kanë punuar në atë kohë”, tha ai për KosovaPress.

Nënkryetari i SBAHSK-ut për KosovaPress ka shprehur bindjen e tij të plotë se verifikimi i mësimdhënësve të viteve të 90-ta mund të bëhet edhe brenda një muaji, por megjithatë, ka potencuar se është Qeveria ajo që përcakton afatet.

Mani: Verifikimi i listave mund të bëhet brenda 1 muaji

“Ajo nuk besoj se do të jetë aspak e vështirë për arsye sepse janë 2-3 institucione që i kanë ato shënime, i ka Këshilli për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ka Këshilli i Financimit, që ka qenë bartës, i ka të gjitha listat, pastaj Enti i Teksteve dhe Mjeteve Shkollore që ka nxjerrë 2-3 libra me ata emra. Secila komunë gati, kur e ka bërë historikun e komunës së vet për arsimin, i kanë emrat e atyre mësimdhënësve dhe ajo është shumë e lehtë. Është një fakt se asnjë mësimdhënës nuk lejon që të barazohet me atë që nuk ka marrë pjesë në atë kohë... Do të thotë ato janë shumë të lehta, shumë të verifikueshme, por edhe ajo e ka një kohë të vet, mund të jetë një muaj, varësisht prej afateve të cilat do t’i përcaktojë Qeveria”, theksoi ai.

Ndryshe, SBASHK ka mbajtur greva të herë pas hershme përmes të cilave ka kërkuar zbatimin e këtij ligji në mënyrë që mësimdhënësit e asaj periudhe të marrin sadopak mirënjohje për kontributin e tyre në dhënien e dijes përgjatë asaj kohe të vështirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat