“Një komunë e re serbe, mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit”

Aktuale

“Një komunë e re serbe, mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit”

Më: 11 mars 2018 Në ora: 10:17
Mazllum Baraliu

Partitë shqiptare në Kuvendin e Kosovës nuk po munden t`i bëjnë votat për ta votuar demarkacionin. Atyre iu nevojiten edhe votat e deputetëve serbë që ta ratifikojnë marrëveshjen. Përveç Asociacionit të Komunave Serbe, deputetët serbë raportohet të kenë vënë si kusht edhe formimin e një komune të re. Është paraparë që kjo komunë të përfshijë fshatrat Prilluzhë, Plemetin, Babin Most e Gracë, që tashmë janë pjesë e komunës së Obiliqit dhe Vushtrrisë.

Kërkesa e tillë, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, Mazllum Baraliut, vjen nga Beogradi përmes Listës Serbe. Në një prononcim për media ai e ka përmendur planin e Marti Ahtisaar-it, pjesë e së cilës ishte decentralizimi. Baraliu në këtë rast, është shprehur se pikërisht ky decentralizim i ka sjellë shumë dëme Kosovës.

Në këtë aspekt, Baraliu ka thënë se as Kushtetuta nuk mund të ndryshohet meqë pakicat nuk lejojnë asnjë ndryshim në të drejtat e tyre të garantuara.

“Mendoj që me decentralizimin në planin e Ahtisaar-it, Kosova ka humbur shumë, edhe pse ai plan asnjëherë nuk është ideuar, është statik dhe i pandryshueshëm. Kjo duhet të shihet a po funksionon mirë, nëse jo të ndërhyhet. Ndërkohë, Kushtetuta në këtë aspekt nuk ka mundësi të ndryshohet sepse nuk ka pajtim nga komunitetet pakicë, të gjitha komunitetet janë treguar të vendosura që të mos preket asgjë në të drejtat e tyre të garantuara”, ka thënë ai.

Baraliu është shprehur se udhëheqësit dhe përfaqësuesit e popullit duhet të mendojnë mirë se si të veprohet tutje. Ai ka hedhur dilema se një komunë e re mund të rrezikojë funksionalitetin dhe territorialitetin e Kosovës.

Kësisoj, Baraliu ka shtuar se edhe serbët duhet të mendojnë nëse duan që të integrohen në një shoqëri të përbashkët.

“Këtyre komunave iu shtohet edhe Asociacioni dhe nëse i shtohet edhe një komune tjëtër, do të kenë ndërlidhje dhe nëse kjo rrezikon funksionalitetin dhe territorialitetin e Kosovës, unë mendoj se do të duhej që të mendohej mirë dhe të thuhej qartë e të rishikohej decentralizimi. Edhe qytetarët e këtyre komuniteteve duhet të mendojnë se a duan të integrohen në një shoqëri të përbashkët, e nuk duhet të krijohen presedante asimetrike, etnike që e rrezikojnë funksionalitetin dhe ardhmërinë e këtij vendi”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat