LDK kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit

Aktuale

LDK kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit

Më: 9 mars 2018 Në ora: 21:07
Shpend Ahmeti

Shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së në asamblenë komunale të Prishtinës, Halim Halimi, i ka kërkuar sot kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, të dorëhiqet nga kjo pozitë.

Kërkesa e Halimit erdhi tri ditë pasi Ahmeti u largua nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Halimit, largimi i Ahmetit nga VV ka shkaktuar përçarje brenda grupit të këshilltarëve të kësaj partie.

Kjo, sipas tij, u vërejt edhe në seancën e së mërkurës të asamblesë komunale kur një grup i këshilltarëve të VV-së nuk ia votuan Ahmetit një raport financiar.

“Tani, sipas meje, ne do të jemi grupi më i madh parlamentar, prej 15 anëtarëve sa jemi. Më e mira do të ishte që Shpend Ahmeti të japë dorëheqje. Nëse vazhdon kështu do të jenë katër vite të humbura sikurse mandati i kaluar”, tha Halimi për kallxo.com.

Halimi tha se tani grupi më i madh në kuvendin komunal të Prishtinës mbetet LDK me 15 asamblistë.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje mori 17 asamblistë, por katër nga ta u larguan nga grupi i këshilltarëve të partisë dhe tani po veprojnë si grup i pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat