Demarkacioni – Behgjet Pacolli dhe Milan Radojiçiq, takohen në rezidencën në Hajvali

Aktuale

Demarkacioni – Behgjet Pacolli dhe Milan Radojiçiq, takohen në rezidencën në Hajvali

Më: 9 mars 2018 Në ora: 20:48
Behgjet Pacolli dhe Milan Radojiçiq

Demarkacioni me Malin e Zi po bëhet i pakalueshëm edhe pas pajtimit të AAK-së dhe Nismës që të votojnë pro marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë.

Mospajtimi i Vetëvendosjes, dhe kushtet e Listës Serbe, po bëjnë të pamundshme sigurimin e 80 votave në Kuvend për ratifikimin e kësaj marrëveshje, e cila është kusht për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Burimet e TV Dukagjinit, bëjnë të ditur se zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli është duke zhvilluar takim me Milan Radojiçiq, në rezidencën e tij në Hajvali.

Sipas këtyre burimeve, në takim po bisedohet lidhur me mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për ta votuar Demarkacionin.

Radojiçiq apostrofohet si njëri i duhur për t’i bindur deputetët e Listës Serbe, që të ndryshojnë qëndrim lidhur me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Emri i Milan Radojiçiq është përmendur shumë me ngjarje në veri të Mitrovicës, e madje një gjë e tillë është bërë edhe me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanovic.

Ndërkaq, sot gjatë ditës, është raportuar se Lista Serbe po kërkon që të adaptohen kushtet e privatizimit të Trepçës dhe Brezovicës, në atë formë që t’u jepej mundësi kontrolli serbëve.

Serbët pretendojnë që të fusin nën kontroll të dy këta gjigantë të ekonomisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat